Rektori – Dorëheqja e Tij Është Domosdoshmëri

Ka ardhur koha që për hir të krejt atyre njerëzve të ndershëm që jetojnë sot në Kosovë, profesorëve të respektuar të UP-së, gjeneratave që e themeluan dhe me shumë përkushtim i dhanë jetë edhe kur u bë pre e diskriminimit serb, ta shpëtojmë Universitetin nga shkatërrimi.

A thua çka do të thonin rektorët e dikurshëm shumë të angazhuar e të respektuar të Universitetit të Prishtinës, si Gazmend Zajmi e Dervish Rozhaja për greminën në të cilën është rrokullisur ky Universitet?

Sigurisht se do të gjykonin me shumë zhgënjim potencialin që kemi si shoqëri për të qëndruar duarkryq ndaj atyre që po e rrjepin të ardhmen tonë.

Ndërkaq sot, ne si shoqëri nuk po mund të bëhemi gardianë të një fryme të teknokracisë dhe meritokracisë që përfundimisht betonon avancimin e jomeritorëve dhe njerëzve të implikuar politikisht në pozita kyçe në Kosovë.

E rasti i Ibrahim Gashit është fatura që po e paguajmë shumë shtrenjtë si shoqëri!

Situata e krijuar në UP me prodhimin e punimeve kinse shkencore, është pasqyra jonë si shtet.

Kjo paraqet një përmbledhje të vlerave që kemi instaluar për këto gati 15 vjet të pasluftës. UP-ja nuk është vendi ku ngjizet problemi, ajo është simptoma më e dhimbshme që tregon thyerjen dhe ndryshkjen e vlerave që kemi pësuar.

Simptoma bëhet edhe më serioze kur ajo paraqitet në njërin prej institucioneve që është shtylla e zhvillimit të Kosovës. Kemi pësuar një ndryshkje të vlerave të përmasave aq të mëdha, saqë tash kemi një konstalacion që mundëson avancimin akademik dhe personal të njerëzve që në vende normale do të mbaheshin larg çdo institucioni edukativo-arsimor.

Madje, plagjiatura dhe mashtrimet e tyre do t’i shpinin prapa grilave, sepse të luash me arsimin është ekuivalent me kurdisjen e një kurthi shtetëror që merr në qafë gjenerata të tëra.

Institucioni universitar që dikur ishte vatra e mbijetesës kosovare në Jugosllavi, sot është bërë çerdhja e shumimit alarmant të mashtruesve që përmbysin dijen dhe e ngufasin edhe më të voglën përpjekje për rimëkëmbje.

Cektësia e njerëzve të tillë e bashkëdyzuar me mungesën e turpit për veprimet e tyre, përçon mesazhin se të jesh punëtor, të punosh me dinjitet dhe integritet nuk është premisa mbi të cilën duhet të ndiqet suksesi, sidomos kur rrugët alternative të dallavereve përgjysmojnë mundin për të arritur te një titull. 

A ka tragjedi më të madhe kur një shembull i tillë vjen edhe nga njeriu (rektori) që do të duhej të ishte shtytësi kryesor i  një arsimimi modern dhe cilësor? A ka ofendim më të madh për tërë këtë shoqëri kur përfaqësohesh ndërkombëtarisht nga të diplomuarit që janë derivat i paskrupulltësisë që mbretëron në Universitet?

Rektori i sotëm Ibrahim Gashi mund të pagëzohet me qindra tituj e dekorata, por të gjitha ato shumëzohen me zero kur zhveshesh prej fisnikërisë së të qenit profesor.

Në prononcimet e tija pas skandalit, z. Gashi haptazi thotë se janë banale thirrjet për dorëheqjen e tij dhe se nuk do ta ndërmarrë një hap të tillë. Pikësëpari, këtu shihet se z. Gashi as nuk është në gjendje të rezonojë mbi përgjegjësinë që mban pas këtij skandali. Dorëheqja nuk është dobësi, ajo është virtyt. 

Ndërkaq, të kuptosh konceptin e aktit të dorëheqjes kërkon integritet personal.

Z. Gashi, largimi juaj nga UP-ja nuk është opsion, ai është domosdoshmëri.

Është domosdoshmëri, sepse punimi në të cilin figuron emri i rektorit të një Universiteti është botuar në një revistë që nuk ka asnjë kriter. Së dyti, ky punim i ngjan një hartimi narrativ të shkollës fillore, pa kurrfarë thellësie të analizës dhe një vobektësie të mendimit kritik.

Së treti, ky punim që flet për menaxhimin e minierave e që ka ndihmuar avancimin tuaj në titullin e profesorit të rregullt është në një fushë krejt tjetër prej përgatitjes suaj profesionale si historian, që ndoshta edhe e shpjegon cektësinë analitike të tij.

Dhe në fund, z. Gashi, ekziston diçka që quhet moral, dromcat e fundit të të cilit mund t’i shpëtoni vetëm nëse largoheni nga UP-ja.

Ndërkaq për ne si shoqëri, domosdoshmëri është që të jemi mbikëqyrës të atyre që na shërbejnë, të sigurohemi se etika e punës është korrekte dhe të kërkojmë llogaridhënie nga ta. E këtë nuk duhet ta bëjmë vetëm kur lindin skandalet, por duhet të kemi një mekanizëm vëzhgues si shoqëri rregullisht.

Pra, ka ardhur koha që për hir të krejt atyre njerëzve të ndershëm që jetojnë sot në Kosovë, profesorëve të respektuar të UP-së, gjeneratave që e themeluan dhe me shumë përkushtim i dhanë jetë edhe kur u bë pre e diskriminimit serb, ta çlirojmë Universitetin nga amebat që po e çojnë UP-në dhe Kosovën praktikisht në shkatërrim total.

Para së gjithash, këtë ua kemi borxh gjeneratave të reja. 

ETIKETA

26 Janar 2014 - 11:00

Kreshnik Hoxha 26/01/2014 - 11:00
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Rektori - Dorëheqja e Tij Është Domosdoshmëri

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend