MPJ-ja e Skandaleve Ndërton Diplomaci Digjitale

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është disi më ndryshe prej ministrive të tjera të Qeverisë Thaçi II. Çka e bën unike këtë ministri është simbioza që ekziston në këtë shtyllë të ekzekutivit midis suksesit e fiaskos dhe planeve strategjike e ngathtësive që ngjizen përbrenda saj. 

E zhytur në epideminë e skandaleve dhe parregullsive sikurse pjesa tjetër e Qeverisë, Ministra e Punëve të Jashtme rishtazi u përmend për sjellje shtazarake të stafit të saj nëpër Ambasadat e Kosovës në Evropë. Njerëzit që do të duhej ta përfaqësonin vendin në mënyrën më të denjë dhe dinjitoze, shpeshherë kanë zbehur e edhe degraduar imazhin e këtij institucioni. Pakkush mund të ketë harruar skenat e dehjes së një zyrtari të MPJ-së nëpër rrugët e Zagrebit në gusht të këtij viti, ose raportet mbi sulmet fizike midis stafit të Ambasadës së Kosovës në Berlin gjatë 2012-ës. 

Por, reputacioni i kësaj ministrie nuk është duke u zbehur vetëm nga ata që shërbejnë jashtë vendit, por edhe nga të brendshmit e Ministrisë së Jashtme dhe Qeverisë në Prishtinë. Që nga hyrja e Behxhet Pacollit në ekzekutiv, MPJ-ja dhe pjesa tjetër e Qeverisë nuk kanë arritur të pajtohen për politika të përbashkëta në diplomaci dhe lobim. Mungesa e koordinimit midis shtyllave të ndryshme të qeverisë është ushqyer edhe më shumë, falë raporteve të acaruara dhe tejet joprofesionale midis zëvendëskryeministrit të parë Behgjet Pacollit dhe ministrit të Jashtëm Enver Hoxhajt. Këto raporte shumë herë kanë çuar në polemika banale me ç’rast egot dhe inatet kanë ngufatur logjikën dhe mirësjelljen. Fundja, po flasim për një ministri që ende nuk nuk ka arritur konsensus për numrin e shteteve që e kanë njohur Kosovën. Një situatë e tillë duhet shqyrtuar me seriozitet, sepse sinjalizon ekzistencën e çalimeve serioze në punën e MPJ-së. 

Duke marrë parasysh betejat diplomatike me të cilat ballafaqohet Kosova, gjëja e fundit që i duhet shtetit, janë çalimet e tilla në MPJ. Këtu nuk duhet harrur faktin se kemi punë me një Serbi, e cila ka ndezur tërë makinerinë e saj diplomatike, për të penguar depërtimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. E bash kjo është arsyeja pse lobimi dhe një diplomaci e shëndoshë janë të domosdoshme për të siguruar njohje më të gjerë dhe promovim të shtetësisë së Kosovës. 

Mirëpo, përkundër ngathtësive e fiaskove, MPJ-ja po dëshmon se mund të jetë edhe një inkubator ku frymojnë idetë e reja dhe qasjet bashkëkohore në diplomaci. Një ilustrim adekuat i kësaj risie është edhe portali i posalansuar Digital Kosovo (www.digitalkosovo.org) si pjesë e projektit për Diplomaci Digjitale të MPJ-së. Kjo nismë synon që të arrijë njohje më të gjerë të Kosovës në aspektin digjital, duke i angazhuar kosovarët të bëhen diplomatë e ambasadorë të Kosovës nëpër internet. 

Të klikojmë për njohje të Kosovës

Për një ministri që është hisedare e madhe në portfolion e skandaleve të Qeverisë, është befasuese e edhe mbresëlënëse të shohim projekte të tilla të një rëndësie qenësore për Kosovën. Projekti i Kosovës Digjitale pa dyshim se kaloi nëpër planifikim të përpiktë dhe vlerësim të detajuar. Të interesuarit do të mbeten të kënaqur kur të mësojnë se faqja në internet e këtij projekti ofron nëntë shabllonë të përpiluar në bazë të skenarëve që kanë të bëjnë me rastet kur Kosova nuk figuron si shtet nëpër listat shtetërore në internet, ose nëpër to është e përfshirë si pjesë e Serbisë. Shabllonët janë të thukët, e të qartë dhe mund të përdoren për t’iu qasur gjigantëve si Facebook, Amazon, Lufthansa, Google dhe sajteve tjera që ende nuk e kanë  njohur Kosovën. 

Kjo nismë e MPJ-së është shumë e qëlluar, nëse marrim parasysh faktin se është në përputhje të plotë me gjetjet e Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), në lidhje me shkallën e përdorimit të internetit në Kosovë. Studimi më i ri, i cili pritet të publikohet javën që vjen, citon se Kosova ka 76.6 për qind depërtim të internetit, numër ky i ngjashëm me shumë vende të tjera të Europës. Gjetjet e STIKK-ut së bashku me aktivizmin e rinisë kosovare në rrjetet sociale, janë tejet shpresëdhënëse se projekti Kosova Digjitale mund të kthehet në një vegël të fuqishme për promovimin e vendit.  

Zëvendësministri Petrit Selimi, i cili edhe e menaxhoi këtë projekt, nënvizoi rëndësinë e përkrahjes qytetare për lobim në rrafshin online. Vlen të ceket se Strategjia e Diplomacisë Digjitale, e nisur nga MPJ-ja është veçuar si strategjia më e mirë prej vendeve ballkanike, nga revista Diplomacia e Re, një revistë turke që fokusohet në bashkëkohore në diplomaci, e cila e vendosë Kosovën pas SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Izraelit. 

Kjo nismë e menduar shumë me mprehtësi tash pret ndihmën e mijëra përdoruesve kosovarë të internetit. Puna jonë individuale do të jetë qenësore për suksesin e këtij projekti dhe afirmimin e Kosovës. Andaj, është detyrë e secilit prej nesh ta kapim këtë mundësi dhe t’i sjellim Kosovës gjith[përfshirjen globale që po i mungon. 

Një aktivizëm në diplomacië digjitale, jo vetëm se do të ishte e frytshme për Kosovën, por edhe do të ndihmonte në përmirësimin e imazhit që ka MPJ-ja.

Pra, le të klikojmë!