Kreshnik Hoxha: “Rehatia” që e ka kapluar Kosovën me pandemi, jashtëzakonisht e rrezikshme

Doktori i shkencave të kristalografisë, Kreshnik Hoxha, e ka quajtur të rrezikshme “rehatinë” me pandeminë në Kosovë.

Ai përmes një shkrimi në facebook ka krahasuar numrin e rasteve pozitive me COVID-19 dhe vdekjeve në Kosovë me Britaninë e Madhe.

Hoxha tregon se numri i të vdekurve në Britani të Madhe brenda një dite është 35 përderisa në Kosovë është 9-12. Sipas tij krahasuar me numrin e banorëve, rastet më të larta të infeksionit janë në Kosovë.

“Duhet ta kuptojmë se “rehatia” që e ka kapluar Kosovën me pandemi është jashtëzakonisht e rrezikshme. Edhe jo, ky virus nuk i prekë vetëm të moshuarit. Në fakt, varianti britanik ka ndikuar që të rinj 30-40 vjeçar të përfundojnë në spitale e të kenë pasoja afatgjate pas virusit”, ka shkruar mes të tjerash Hoxha.

Postimi i plotë nga Kreshnik Hoxha:

Numri i të vdekurve në Kosovë = rreth 9-12 në ditë.

Numri i të vdekurve në Britani = rreth 35 në ditë.

Rastet në Kosovë = rreth 600-900 raste në ditë.

Rastet në Britani = rreth 3000 në ditë.

Kosova më pak se 2 milion banorë, Britania rreth 68 milion banorë.

Para 4 muajve, kur u hoqën masat për Krishtlindje, janari e gjeti Britaninë me rreth 1,500 të vdekur në ditë e 60,000 raste ditore – falë variantit britanik që ka 70% përhapje më të lartë e që është 30-40% më vdekjeprurës.

E di që masat janë shumë problematike dhe të dëmshme për biznese e për shëndet mendor. Mirëpo, nuk mund të zhvillohet jetë normale në kohë të një krize të shëndetit publik. Kushdo e shprehë këtë mendim, në fakt tregohet thellësisht i papërgjegjshëm dhe e rrezikon shëndetin publik. Duhet ta kuptojmë se “rehatia” që e ka kapluar Kosovën me pandemi është jashtëzakonisht e rrezikshme. Edhe jo, ky virus nuk i prekë vetëm të moshuarit. Në fakt, varianti britanik ka ndikuar që të rinj 30-40 vjeçarë të përfundojnë në spitale e të kenë pasoja afatgjate pas virusit.

E kam thënë më herët se Kosova nuk ka dëgjuar ende për “Variantin Kosovar”. Me hovin e përhapjës në Kosovë, virusit po i jepet rasti për të pësuar mutacion. Fakti se nuk kemi raportuar për diçka të tillë deri më tash, nuk do të thotë se ajo nuk ka ndodhur – veçse ne nuk i kemi kushtet e testimit të gjenomit të virusit për të detektuar ndryshime të tilla e as nuk dërgojmë rregullisht mostra të mjaftueshme dhe representative për testim jashtë.

Në anën tjetër në Kosovë janë identifikuar 147 mostra pozitive me variantin e ri të coronavirusit.

Nga data 1- 7 prill në Kosovë 76 qytetarë kanë vdekur si pasojë e infeksionit përderisa 4,908 janë infektuar dhe 4,736 janë shëruar.

COVID-19, për një javë: 76 qytetarë të vdekur, 4,908 të infektuar dhe 4,736 të shëruar