Ne, Improvizuesit e Demokracisë

Në kohën kur Gjermania po i përmbyllë zgjedhjet e përgjithshme dhe po përgatitet për formimin e qeverisë së re, urime të shumta kanë vërshuar adresën e Angela Merkelit, apo “Thatcherit të Gjermanisë” siç e portretizojnë disa gazeta britanike. Mirëpo, përtej fitores së saj dhe urimeve që i vijnë nga liderët botërorë, ekziston një dukuri që është tejet e pazakontë në Ballkan dhe definitivisht e paparë në Kosovë.

Pranimi i mesazheve të urimit prej homologëve nga mbarë bota, paraqet një protokoll standard dhe respekt midis liderëve. Edhe në Kosovë, në vitin 2010, ndodhi po e njëjta gjë. 

Shumëkush i kujton titujt e lajmeve të asaj dite të zymtë të 13 dhjetorit 2010, pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve. Përveç triumfit të PDK-së në këto zgjedhje, lajmet u shoqëruan edhe me raportime se zgjedhjet ishin kontaminuar me akte kriminale, sikurse vjedhja industriale e votës. 

Zhgënjimi, demoralizimi dhe nevrikosja kishin shpërthyer nëpër tërë Kosovën për dështimin e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Por, falë apatisë që ka lëshuar rrënjë thellë në shoqërinë kosovare, asnjë nga këto ndjenja të pakënaqësisë nuk arritën ta sfidojnë sistemin që po çalonte. 

Me shpalljen e rezultateve preliminare, kryeministri Hashim Thaçi u urua nga pothuaj se të njëjtit liderë botërorë që e uruan zonjën Merkel javën që shkoi. Por, përkundër fjalëve miradije të qëndisura për Gjermaninë, letrat e dërguara në Kosovë asokohe kishin edhe një paragraf të veçantë ku shprehej gëzimi i dërguesit, lidhur me “zgjedhjet fer, demokratike dhe të lira në tërë Kosovën”. 

Këto letra urimi gjithmonë përsërisnin pjekurinë e Kosovës për mbajtje të zgjedhjeve, siç e ceknin, me standarde europiane dhe amerikane. Mirëpo, janë mu këto zgjedhje “fer” që u shoqëruan me anulimin e rezultateve në pesë komuna dhe shkuarjen e tyre në rivotim, falë parregullsive. Në fund, doli se zgjedhjet ishin aq “fer” sa që edhe të vdekurit u “ngritën” nga varret dhe votuan në emër të demokracisë kosovare. 

Raporti i fundit i Freedom House-it për Kosovën, nxori në pah ekzistimin e problemeve serioze në reformën zgjedhore të Kosovës – proces ky që nisi si rezultat i zotimit të partive politike për luftimin e mashtrimeve në zgjedhje. Konsultimet për reformën zgjedhore zgjatën gjatë vitit 2011 dhe 2012 dhe përfundimisht dështuan, për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive politike në Kosovë. 

Si rezultat, dënimi i kryetarëve të komunave në Kaçanik dhe Ferizaj i futi këto dy komuna në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, me sistemin e vjetër zgjedhor. E me hyrjen në qorrsokak të reformës zgjedhore, Kosova po i përvjelë mëngët të mbajë zgjedhje lokale sivjet me sistemin e pandryshuar që lehtësoi vjedhjen e votës në vitin 2010. 

Kjo pasqyrë përforcon kontrastin e madh dhe të dhimbshëm që ekziston midis Kosovës dhe Gjermanisë. Të të urojë dikush për diçka aq bazike dhe thelbësore sikurse zgjedhjet fer do të ishte çmenduri dhe absurditet në një vend normal. 

Ta lavdërosh dikë për performancën e tij në diçka aq esenciale sikurse zgjedhjet e lira, është përulje e pastër e atij që urohet!

Por, në rastin e Kosovës këto urime nuk janë vetëm përulëse, por janë edhe ironike, kur dihet se zgjedhjet ishin të zhveshura nga çdo mundësi e të qenët të lira e demokratike, siç e thonë liderët botërorë. E kështu, është populli atij të cilit i ofendohet inteligjenca nga perëndimorët që na urojnë për dështim. 

Megjithatë, ofendimin e meritojmë pasi që vazhdojmë të tolerojmë manipulimin e votës sonë. 

Zgjedhjet e nëntorit paraqesin provimin më rigoroz të pjekurisë, i cili ia teston Kosovës zotimin që ka për ndërtimin e një shteti demokratik. 

Sfidat dhe pengesat pa dyshim se janë të mëdha. Por, e madhe është edhe pritja për të parë se a kemi mësuar nga sjelljet tona të turpshme gjatë zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2010. Në shikim të parë duket se shanset për përmirësim i kemi të vogla, duke marrë parasysh dështimin e reformës zgjedhore. 

Por, në këtë ekuacion me shumë të panjohura, një gjë dihet: ajo ditë kur na vijnë urime nga liderët botërorë pa përmendjen e zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike, do të jetë dita kur Kosova me të vërtetë do të ketë përmbushur zotimin e saj ndaj demokracisë. 

E deri atëherë, mund të jemi të sigurt, se e rizgjedhura Angela Merkel do të na dërgojë një letër urimi në nëntor, duke na e përgëzuar demokracinë e improvizuar. E keqja është se nuk po e improvizojmë vetëm demokracinë, por edhe zgjedhjet dhe jetën normale në Kosovë.