Gruas nga Gjilani e cila kishte burrin në Siri iu refuzua tri herë sociali  

Arsyetimi se mund të mbahej nga të ardhurat e familjes kishte bërë që një grua nga Gjilani, burri i së cilës ishte në Siri t’i refuzohej për tri herë radhazi kërkesa për t`u pajisur me asistencë sociale nga ana e Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan.

Në mars të këtij viti Drejtësia në Kosovë transmetoi rrëfimin ekskluziv të një gruaje e cila tregonte se si i kishte shkuar burri në Siri.

Ajo edhe sot jeton së bashku me prindërit e saj pasi që burri i saj ishte larguar para tashmë gjashtë viteve.

Gruaja e cila është nënë e një 6 vjeçari të cilin babai i tij asnjëherë nuk e kishte parë, kishte rrëfyer për Drejtësia në Kosovë se si kishte arritur të marrë vesh se burri i saj kishte marrë rrugë drejtë Sirisë, atje edhe ku  po zhvilloheshin konflikte të armatosura.

Shpresa që burri t’i kthehej nuk i mungonte teksa shikonte djalin e saj gjashtëvjeçar ajo fliste për momentet e fundit që i kishte pasur me burrin e saj.

“Ka punuar në ndërtimtari në Prishtinë. Atë ditë (para gjashtë viteve) ai ka shkuar në punë, nuk është kthy gjithë ditën, e kam thirr në telefon e nuk më është lajmëruar. Më ka dërgu një mesazh edhe më ka thanë që është atje tani më ka lajmru mas një kohe. Nuk e di me kënd është shoqëruar. Kur jam fejuar në 2008 është kanë t`u u merr me fe. Asnjëherë se ka përmend që ka me shku në Siri veç kur u lajmru që ka shku. Aj më ka thanë që po shkon në punë sepse ne ta kishim ditë nuk e kishim leju”, rrëfen gruaja nga Gjilani.

Rrëfimi i saj vazhdon teksa tregon se djalin gjashtëvjeçar nuk e ka parë asnjëherë burri i saj i cili gjendej në Siri pasi që ai ishte larguar në muajin e nëntë, atë kohë kur të dy pritej të bëheshin prindër.

Nëna e gjashtëvjeçarit, tregon se askush nuk e kishte vizituar për një kohë të gjatë ndërsa në polici kishte dhënë një deklaratë për burrin e saj dhe vend ndodhjen e tij.

Madje probleme pati edhe kur kërkoi që të mbështetej me asistencë sociale nga ana e Qendrës për Punë Sociale.

Ajo tregon se për të mos iu bërë barrë prindërve të saj pasi që jetonte te ata, kërkoi që të paktën të merrte një social për të kryer obligimet ndaj djalit të saj. Rrëfimi i saj vazhdon teksa tregon se ka raste të shpeshta kur djali i saj sëmuret dhe ajo nuk arrin që ta trajtoj si duhet.

“Askush s`ka qenë me më vizitu përveç policisë që kam shku me dhanë deklaratë. Marr social, që gjashtë muaj. Jo s`kam marrë asnjë social më herët, kam bërë tri herë kërkesë ma kanë refuzu se më kanë thanë që munden me të mbajtë familja. 87 euro marr social, nuk është e mjaftueshme sepse ma shumë paret më shkojnë për djalin se më sëmuret shpesh”, tregon ajo.

Vetë drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, Mursel Zymberi tregon se janë disa familje që mbështeten me asistencë sociale, por për të marrë social do duhej të kryheshin disa obligime e dokumentacion.

Mursel Zymberi tregon se stafi i tij përbëhet nga 18 punëtorë, nga të cilët disa janë të profesionalizuar të merren me rastet e të involvuara në terrorizëm e ekstremizëm.

“QPS në Gjilan, punëtor profesional i ka 8 të tjerët numri i përgjithshëm është 18, shërbimi profesional merret me kategorinë e tillë sepse kjo çështje kërkon qasje profesionale sepse është e ndjeshme. Shërbime asistencë i referojmë kur e shohim se është e nevojshme. Në dy raste kemi asistuar me asistencë sociale në dy familje marrin ndihmë sociale por edhe ofrojmë qasje për punësim”, tha ai më tutje.

Sipas tij, të rikthyerit apo familjarët e tyre duhet të trajtohen në mënyrën më të mirë pasi që vetë rastet e tilla janë të ndjeshme dhe kërkojnë trajtim të duhur.

“Realisht ajo kategori donë tretman psiko-social sepse fillimisht nuk janë të gatshëm për punë, kanë një ide krejt tjetër. Rinia kanë nevojë për një informim më të drejtë me pa që edhe Kosova është vend i shpresës. Asgjë më e dobishme se familja nuk është, e persona të tillë që kuptojnë që përveç vetes ka futur edhe familjen në rrezik janë pendu dhe kanë thanë mos me pas qenë ju ku me e dit çka kishim bo”, tha ai.

Frika e gruas nga Gjilani ishte edhe moskthimi i burrit të saj për të cilin pati thënë se nuk ishte dëgjuar as në telefon dhe nuk dinte asgjë rreth tij viteve të fundit.

“Jeton në Siri. Që 6 vite. Kam komunikuar me të, ka thanë që normal s`ka dashtë por, ka dalë sepse i kanë thanë që e paguajnë po në fakt, nuk i kanë dhanë kurrgjë hiq. Ka thanë që tash nuk po e lejojnë me u kthy. Edhe ma prej atëherë asnjë lajm nuk e kam prej tij. Para katër viteve kam komunikuar. Këta të ISIS-it se lejojnë me u kthy. Si ka përmend asnjëherë kush janë. Është frikësu që ja marrin djalin edhe ja dërgojnë në Siri sikur të tjerëve, për këtë ai nuk ka kallxu as që është i martuar. Vetë ka shku. I kam kërkuar me u kthy po aj ka thanë se s’mundet se se lejojnë, e asnjëherë më nuk ka thirrë”, është rrëfimi i gruas e cila pret që burri t’i kthehet nga Siria.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pati thënë se qëllimi i komunës dhe i tij ishte që të arrinte të parandalonte terrorizmin në komunën që drejtonte.

“Komuna e Gjilanit është zgjedh për vitin e katërt, si komunë e cila po aplikon mekanizmin ndër komunal që quhet preventiva lokale kundër redaklizmave që qojnë në terrorizëm. Marrin pjesë institucionet e shtetit. Ne punojmë në parandalim, qëllimi ynë është parandalimi”, tha Haziri.

Ai nuk harroi edhe që të përmendte disa raste të suksesshme të parandalimit.

“Kemi zbuluar disa raste, si pasojë e lajmërimit të prindërve, familjarëve, nëpër shkolla, që të rinjtë me prirje radikaliste, dhe kemi arrit me i zgjidh këto raste duke i involvuar edhe pedagog psikolog dhe imamët që kanë treguar një rezultat shumë të mirë. Në Gjilan kemi të deklaruar tre të rijnë të vrarë në pozita komanduese të luftërave të huaja dhe disa raste të bashkimit familjarë. Po ashtu prokuroria dhe gjykata e ka dënuar edhe një imam në lidhje me këtë rast”, tha Haziri.

Në anën tjetër për rreth 20 kilometra larg Gjilanit gjendet Komuna e Vitisë. Pavarësisht se i takojnë të njëjtit regjion, të dy këto komuna nuk kanë projekte të njëjta sa i përket të rikthyerve ose të involvuarve në rastet e terrorizmit dhe ekstremizmit.

Duke filluar nga stafi, ku Komuna e Gjilanit ka 18, ajo e Vitisë ka dhjetë më pak, nuk ka psikolog dhe nuk ka trajnime adekuate për trajtimin e këtyre rasteve.

“Ka projekte dhe hapat e përcaktuar për të gjitha kategoritë që kanë nevojë për shërbime sociale. Edhe në këtë rast, personat që janë rikthyer nga luftërat e huaja janë disa procedura ku do të trajtohen dhe trajtohen familjeve të të rikthyerve.  Qendra për Punë Sociale i ka gjithsej 8 punëtor, katër prej tyre shërbim social. Nuk ka psikolog. Trajnime në nivel lokal nuk kemi pasur por disa takime kohë pas kohe por kanë qenë informative por jo takime afatgjate, takimet kanë ardhur nga disa OJQ, niveli ministror”, ka thënë për Drejtësia në Kosovë, Drejtori i QPS-së në Viti, Demush Mehmeti.

Drejtori përmendi tri raste ku QPS ka trajtuar tre të mitur dhe familjet e tyre.

“Raste të të rikthyerve nuk kemi. Deri më tani në QPS në lidhje me këto raste janë paraqitur 3 raste.  Rasti i … i njëjti është trajtuar, është marrë në intervistë nga prokurori special në prezencë të QPS, i  njëjti është dënuar me një vit burg për të mitur, ku pas qëndrimit të tij kanë hasur në një sjellje të mirë dhe është liruar para kohe. Rasti i dy të miturave, rasti është paraqitur në vitin 2016. Ato kanë dashur që t’i bashkëngjiten luftërave të huaja. Në rastin e parë të… qendra ka vepru njëjtë sikur te rasti i parë, vajzës i është shqiptuar masa edukative, ne e kemi përcjell gjatë gjithë kohës dhe ajo është kthyer në normalitet. Ndërsa në rastin e dytë QPS ka kontaktu me familjen e saj por familja nuk ka dashur të bashkëpunoj me ne”, tha drejtori i QPS.

Se nuk kanë projekte për të rikthyerit apo edhe për ata që kanë tentuar të shkojnë në luftërat e huaja e pranon edhe Nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu.

“Projekte të tilla nuk kemi, por gatishmëri për të pasur projekte të tilla për ata të cilët janë pjesëmarrës në luftërat në këto dy shtete e kemi dhe gjithmonë do të kemi. Komuna është e gatshme ashtu siç edhe ka qenë në implementim të strategjisë të nxjerrë nga ana e qeverisë, ku ka pasur shumë trajnime, dhe këtë luftë e kemi përkushtuar ma shumë në ndalje apo motivimin e gjeneratave të reja që të marrin pjesë në luftërat si në Irak e Siri”, tha ai.

Në disa emisione të transmetuara në “Drejtësia në Kosovë” janë trajtuar rastet e të rikthyerve nga luftërat e huaja, dështimin për deradikalizim nga ana e institucioneve përkatëse, e ku gjithashtu tregohet se Komunat e Kosovës nuk kanë buxhet e platforma për t’i trajtuar këto raste e Qendrat për Punë Sociale nuk kanë punëtorë.

Javë më parë, 110 kosovarë janë rikthyer nga luftërat e huaja. Katër burra, 35 gra dhe 84 fëmijë nëntë nga ta pa asnjë prind janë kthyer në Kosovë pas një plani të institucioneve të Kosovës.

Për 72 orë gratë dhe fëmijët ishin dërguar në Qendrën e Azilkërkuesve në Vranidoll për tu verifikuar e më pas janë liruar në shtëpitë e tyre.

Për gratë që kanë qenë në luftrat e huaja janë zhvilluar edhe seanca gjyqësore. Ndaj 32 grave është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak.

Drejtësia në Kosovë, ka transmetuar edhe emisionin për të rikthyerit e fundit në Kosovë.

Koordinatori Nacional për Terrorizëm dhe Ekstremizëm, Fatos Makolli kishte dhënë detaje për planin e rikthimit.

Ai shtoi edhe se plani ishte përgatitur në vitin 2017.

“Institucionet e Kosovës kanë qenë të përgatitura, qysh me kohë. Në vitin 2017 kemi parashiku që një ditë luftërat e huaj dhe familjarët kosovar mund të kthehen në Kosovë dhe ka mesi i vitit 2017 kemi përgatit një plan të detajuar sidomos planin e pjesës së parë i cili ka qenë i detajuar. Megjithëse që nuk kemi pasur njohuri që ka me kanë një kthim i koordinuar por ka ekzistuar gjithmonë dyshim i se ata mund të kthehen në forma të ndryshme, coftë ilegalisht por edhe në mënyrë të organizuar”, shtoi ai.

Rikthimi i 110 kosovarëve në Kosovë është konsideruar si njëri ndër aksionet më të mëdha kundër terrorizmit.