Si u parandaluan dy të mitura të niseshin për në Siri e Irak

Në emisionin e “Drejtësia në Kosovë” u transmetua rrëfimi i një gruaje e cila që gjashtë vite po pret kthimin e burrit të saj nga Siria. Në anën tjetër gjatë këtij emisioni u shfaqën edhe rrëfimet e imamëve të cilët ligjërojnë nëpër burgjet e Kosovës, të cilët treguan gjendjen e të burgosurve të cilët po vuajnë dënimin për terrorizëm dhe ekstremizëm. Gjithashtu në emisionin e sotëm u tregua se si Qendra për Punë Sociale në Viti arriti të parandaloj dy të mitura të cilat synim kishin pjesëmarrjen në luftërat e huaja si Siria e Iraku.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Viti, Demush Mehmeti tha se çdo i rikthyer nga luftërat e huaja kalon nëpër procedurat e QPS-së.

“Ka projekte dhe hapat e përcaktuar për të gjitha kategoritë që kanë nevojë për shërbime sociale. Edhe në këtë rast, personat që janë rikthyer nga luftërat e huaja janë disa procedura ku do të trajtohen dhe trajtohen familjeve të të rikthyerve.  Qendra për Punë Sociale i ka gjithsej 8 punëtor, katër prej tyre shërbim social. Nuk ka psikolog. Trajnime në nivel lokal nuk kemi pasur por disa takime kohë pas kohe por kanë qenë informative por jo takime afatgjate, takimet kanë ardhur nga disa OJQ, niveli ministror”, tha ai.

Drejtori përmendi edhe tri raste ku QPS ka trajtuar tre të mitur dhe familjet e tyre.

“Raste të të rikthyerve nuk kemi. Deri më tani në QPS në lidhje me këto raste janë paraqitur 3 raste.  Rasti i … i njëjti është trajtuar, është marrë në intervistë nga prokurori special në prezencë të QPS, i  njëjti është dënuar me një vit burg për të mitur, ku pas qëndrimit të tij kanë hasur në një sjellje të mirë dhe është liruar para kohe. Rasti i dy të miturave, rasti është paraqitur në vitin 2016. Ato kanë dashur që t’i bashkëngjiten luftërave të huaja. NË rastin e parë të … qendra ka vepru njëjtë sikur te rasti i parë, vajzës i është shqiptuar masa edukative, ne e kemi përcjell gjatë gjithë kohës dhe ajo është kthyer në normalitet. Ndërsa në rastin e dytë QPS ka kontaktu me familjen e saj por familja nuk ka dashur të bashkëpunoj me ne”, tha drejtori i QPS.

Nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu tha se nuk kanë projekte për të trajtuar të kthyerit.

“Projekte të tilla nuk kemi, por gatishmëri për të pasur projekte të tilla për ata të cilët janë pjesëmarrës në luftërat në këto dy shtete e kemi dhe gjithmonë do të kemi. Komuna është e gatshme ashtu siç edhe ka qenë në implementim të strategjisë të nxjerrë nga ana e qeverisë, ku ka pasur shumë trajnime, dhe këtë luftë e kemi përkushtuar ma shumë në ndalje apo motivimin e gjeneratave të reja që të marrin pjesë në luftërat si në Irak e Siri”, tha ai.

Në katër emisione të transmetuara në “Drejtësia në Kosovë” janë trajtuar rastet e të rikthyerve nga luftërat e huaja, dështimin për deradikalizim nga ana e institucioneve përkatëse, e ku gjithashtu tregohet se Komunat e Kosovës nuk kanë buxhet e platforma për t’i trajtuar këto raste e Qendrat për Punë Sociale nuk kanë punëtorë.

Në luftërat e huaja si Siria e Iraku, janë ende afër 200 persona të cilët nuk janë kthyer në Kosovë, mbi 100 të tjerë janë vrarë ndërsa 400 e më shumë persona të tjerë po përballen me sistemin e drejtësisë kosovare.