Drejtori i QPS-së në Gjilan, Mursel Zymberi

Video: QPS në Gjilan me staf profesional për trajtimin e të kthyerve nga Siria e Iraku

Në emisionin e “Drejtësia në Kosovë” u transmetua rrëfimi i një gruaje e cila që gjashtë vite po pret rikthimin e burrit të saj nga Siria. Në anën tjetër gjatë këtij emisioni u shfaqën edhe rrëfimet e imamëve të cilët ligjërojnë nëpër burgjet e Kosovës, të cilët treguan gjendjen e të burgosurve të cilët po vuajnë dënimin për terrorizëm dhe ekstremizëm.

Komuna e Gjilanit thotë se ka projekte të cilat kanë për qëllim parandalimin e shkuarjeve në Siri e Irak. Qendra për punë Sociale në po të njëjtën komunë thotë se ka staf të profesionalizuar për të trajtuar rastet e terrorizmit dhe ekstremizmit.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, Mursel Zymberi ka thënë se stafi i tij përbëhet nga 18 persona, tetë nga ta merren me rastet e ekstremizmit dhe terrorizmit.

“Ka raste kur ne vet mund të hasim në palën që ka elemente potenciale, por kemi edhe raste të interferuara dhe si zakonisht punëtorët e QPS i qaset dhe sheh se cilat janë mundësitë më të mira të mundshme për parandalim të rastit. Nëse vjen si rast ne e trajtojmë. Kemi dy a tri raste që i kemi trajtuar. Kemi pasur efekt të plotë sepse, nuk ka ndodh ajo që ata kanë paraparë me ndodhë. Ato raste që kemi pasur kemi arritur me i trajtu kërkesat që kanë pasur”, thotë drejtori.

Murseli tregoi edhe për stafin e tij.

“QPS në Gjilan, punëtor profesional i ka 8 të tjerët numri i përgjithshëm është 18, shërbimi profesional merret me kategorinë e tillë sepse kjo çështje kërkon qasje profesionale sepse është e ndishme. Shërbime asistencë i referojmë kur e shohim se është e nevojshme. Në dy raste kemi asistuar me asistencë sociale në dy familje marrin ndihmë sociale por edhe ofrojmë qasje për punësim”, tha ai më tutje.

Drejtori i QPS në Gjilan tregon edhe se si duhet trajtuar të rikthyerit.

“Realisht ajo kategori donë tretman psiko-social sepse fillimisht nuk janë të gatshëm për punë, kanë një ide krejt tjetër. Rinia kanë nevojë për një informim më të drejtë me pa që edhe Kosova është vend i shpresës. Asgjë më e dobishme se familja nuk është, e persona të tillë që kuptojnë që përveç vetes ka futur edhe familjen në rrezik janë pendu dhe kanë thanë mos me pas qenë ju kumedit çka kishëm bo”, tha ai.

Në katër emisione të transmetuara në “Drejtësia në Kosovë” janë trajtuar rastet e të rikthyerve nga luftërat e huaja, dështimin për deradikalizim nga ana e institucioneve përkatëse, e ku gjithashtu tregohet se Komunat e Kosovës nuk kanë buxhet e platforma për t’i trajtuar këto raste e Qendrat për Punë Sociale nuk kanë punëtorë.

Në luftërat e huaja si Siria e Iraku, janë ende afër 200 persona të cilët nuk janë kthyer në Kosovë, mbi 100 të tjerë janë vrarë ndërsa 400 e më shumë persona të tjerë po përballen me sistemin e drejtësisë kosovare.