6 shtetasit turq të deportuar nga Kosova për në Turqi

Fëmijët e turkut të deportuar gabimisht kërkojnë nga Kosova të veprojë

Kosova ka dëbuar gjashtë shtetas turq në rrethana të mjegullta në mars të vitit 2018. Të gjithë thonë se ata janë të pafajshëm ndaj akuzave të “terrorizmit” në Turqi, por njëri nga ta as që duhej të ishte në aeroplan.

Një vit pas dëbimit kontravers të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, të akuzuar nga Turqia për lidhje me Fetullah Gylen, njeriun të cilin Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grushtshtetit të dështuar në vitin 2016, familjet e gjashtë shtetasve turq vazhdojnë të protestojnë për pafajësinë e tyre.

Por fëmijët e njërit prej shtetasve ndjehen veçanërisht të dëmtuar- babai i tyre nuk ishte as në mesin e atyre që kërkonte Turqia. Një gabim i emrit nga autoritet kosovare do të thotë se ai rrezikon 30 vitet e ardhshme në burg.

“Për mua ishte  shumë e errët”, tha biri i Hasan Hysein Gunakan për periudhën e marsit të vitit 2018, kur Gunakan dhe pesë turq të tjerë u kapën nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe u dorëzuan me shpejtësi në inteligjencën turke dhe i nisën për Turqi. Ndërsa i gjithë ky operacion sipas raportit ekspertit amerikan Tienmu Ma  është shoqëruar me hiq më pak se 31 shkelje ligjore.

“Këto dy, tre ditë ishin më të errëtat; ne thjesht nuk mund të merrnim ndonjë informacion, “tha ai për BIRN.

Dështimet e detajeve të hetimeve

Djali dhe vajza e Gunakanit kërkuan të mos u bëheshin publik emrat në këtë artikull. Babai i tyre ishte ngatërruar me Hasan Hysein Demir, i cili tani besohet të jetë në Gjermani.

Një vit më vonë, Gunakan rrezikon kalimin e dekadave të tëra në burg, ai është një nga dhjetëra mijëra turq të kapur nga presidenti Rexhep Tayyip Erdogan si kundërpërgjigje e grushtetit të dështuar për të cilin ai fajëson klerikun i cili gjendet në Amerikë, Fethullah Gulen

Raporti, i kërkuar nga komisioni hetimor parlamentar dhe i kryer nga një ekspert i pavarur, Tienmu Ma  ka vërtetuar se Gunakan u ka thënë vazhdimisht zyrtarëve të Kosovës të cilët ishin të përfshirë në dëbim, se ata kishin arrestuar njeriun e gabuar, por pavarësisht insistimit të tij ai ishte dorëzuar tek autoritetet turke, thuhet në raportin e siguruar nga BIRN.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në atë kohë mohoi se ishte i informuar rreth këtij operacioni dhe shkarkoi nga detyra shefin e AKI-së.

“Në aeroport babi im (Gunakan) nënshkroi një letër që ishte në emër të Demirit”, tha djali i Gunakanit, që do të thotë se familja nuk kishte asnjë bazë për të kundërshtuar deportimin. “Ai është jashtë vendit dhe u dërgua në Turqi nën një emër tjetër, kështu që zyrtarisht ai ende e ka lejen e qëndrimit të tij këtu në Kosovë” tha tutje ai për BIRN.

Të gjashtë kanë punuar në rrjetin e shkollave të Gylenit në Kosovë ndërsa familja Gunakan në Kosovë ka jetuar për 12 vjet.

Të tronditur

Djali i Gunakanit tha se fillimisht besonte se babai i tij thjesht po hetohej për lejen e qëndrimit, derisa mediat turke filluan të raportonin se të gjashtët ishin dëbuar. Familja nuk kishte marrë asnjë informacion nga autoritetet e Kosovës dhe ishte lënë e vetme për të gjurmuar lëvizjet e tij të fundit me shpresën se do të gjenin ndihmë.

“Nuk kishte informacion të besueshëm në cilin mund të mbështeteshim”, tha vajza e Gunakan për BIRN. “Sinqerisht, besoja në demokracinë e Kosovës dhe isha pak e tronditur sepse nuk prisja diçka të tillë nga Kosova”, shtoi tutje ajo.

Nazmi Ulus, drejtori i Kolegjit Mehmet Akif në Lipjan, tha se ditëve të para në shkollë ishte përhapur një konfuzion total.

“Prindërit po bënin pyetje, studentët po pyesnin se çfarë po ndodhte dhe gjithashtu mësuesit kishin pyetje për atë që po ndodhte,” tha ai.

Ulus tha se Demiri ishte në Kosovë në kohën kur kishte ndodhur deportimi, por pasi që kishte ndodhur e gjitha, ai ishte larguar për në Gjermani.

Kosova duhet ‘ta korrigjojë këtë gabim’

Gunakanit mundi të  fliste me gruan apo  tre fëmijët vetëm pasi kishin kaluar 80 ditë. Kur e bëri këtë, thirrja telefonike zgjati rreth 10 minuta, tha djali i Gunakanit.

Babai i tij menjëherë e  kishte pyetur për vajzën e vogël e cila ishte pesëvjeçare.

“Ajo e do shumë atë dhe kalonte shumë kohë me të, dhe papritur babai im u zhduk”, tha ai për BIRN. “Ne i thonim asaj se babai ishte në një udhëtim pune. Ai ishte shumë i shqetësuar, sepse motra ime nuk flinte pa të”, tregon tutje ai.

Drejtori i shkollës në Lipjan, Nazmi Ulus,, dyshon se ata ishin torturuar gjatë udhëtimit të  tyre në Turqi dhe pasi kishin mbërritur. “Ata pastaj u mbajtën në izolim në dhoma të ndara”, tha ai.

“Momenti i vetëm kur kanë kontakt me njëri-tjetrin është një herë në javë, gjatë rrugës për vizitë mjekësore, e cila zgjatë gjysmë ore”, shtoi ai.

Fëmijët e Gunakanit, të cilët ende janë në Kosovë, thonë se nuk kanë hequr dorë nga shpresa.

“Unë besoj se do të ketë drejtësi një ditë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Turqi,” tha djali i tij. “Ashtu si graviteti, ai gjithnjë kthehet. Ne duhet ta besojmë këtë, sepse nëse nuk e besojmë atëherë ne po e pranojmë këtë padrejtësi dhe kur e pranoni, [drejtësia] nuk do të vijë kurrë”, theksoi tutje ai.

Motra e tij tha se priste që autoritetet në Kosovë të korrigjonin gabimin e tyre.

“Ne duam që autoritetet e Kosovës të ndjekin sundimin e ligjit; ata duhet të kërkojnë nga Turqia që ta kthejnë babin tim, sepse ai ishte rrëmbyer gabimisht dhe institucionet së paku duhet të përpiqen ta bëjnë më të mirën e mundshme për ta korrigjuar këtë gabim “, përfundoi ajo.

 

 

 

29 Mars 2019 - 10:35

Arta Sopi, Die Morina 29/03/2019 - 10:35
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend