Cakaj përplas dy anët e kufirit

I zgjedhuri nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për zëvendësministër të Jashtëm dhe Evropë,  Gent Cakaj,  nuk mori “bekimin” nga ana e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Ky i fundit përmes një letre drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dha sqarimet e tij se pse nuk e dekretoi Cakajn.

Meta ia përmend Ramës deklaratat e Cakajt dhënë në intervistë televizive për çështje të korrigjimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke i cilësuar si të rrezikshme dhe me pasoja për rajonin.

“Këto deklarata të rrezikshme të z.Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian. Përkrahja, sponsorizimi apo edhe mosreagimi me vendosmëri ndaj tezave për shkëmbim territoresh/korrigjim kufijsh në rajon është qasje destruktive që kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit dhe në mospërputhje me angazhimet e detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe minon besueshmërinë e vendit tonë si faktor stabiliteti në rajon”, thuhet në mes tjerash në letrën e Metës për mos-dekretimin e Cakajt si ministër.

Në po këtë letër të gjatë, Meta e cilëson Cakajn si të papërvojë.

“Profili i z.Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”, thuhet në letrën e presidentit Meta drejtuar kreut të Qeverisë, Edi Rama.

Ai po ashtu ia ka përmendur se Cakaj nuk posedonte Certifikatë të Sigurisë dhe se ajo i është lëshuar me 3 janar të këtij viti, kështu duke shkelur ligjet në fuqi të Shqipërisë.

E në lidhje më këtë letër i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili e ka quajtur të turpshëm vendimin e Presidentit Ilir Meta për të mos e dekretuar si ministër të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, kosovarin Gent Cakajn.

Për shkak të këtij vendimi të presidentit Meta, Rama i ka kërkuar falje Kosovës.

“Refuzimi i Presidentit për dekretimin e Ministrit të ri për Evropën e Punët e Jashtme, është jo vetëm antikushtetues, po edhe i turpshëm. Argumentet e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin. Ndjesë Kosovës për këtë turp”, ka shkruar Rama në Twitter.

Ndërsa, Meta në një postim në Facebook tha se sa të jetë ai president territori i Kosovës nuk diskutohet.

Kurse, Edi Rama vazhdoi mbrotjen e Cakajt duke thënë në Twitter se Cakaj ka njohuri 1000 më shumë sesa Meta.

Polemika mes Edita Tahirit dhe Edi Ramës

Në lidhje me mos dekretimin e Cakajt pati reagime edhe nga Kosova, por se pati edhe polemika mes politikanëve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ishte ish-ministrja e Kosovës për dialog, Edita Tahiri e cila tha se vendim i Metës është vendim kombëtar dhe vizionar.

“E përshëndes vendimin kombëtar dhe vizionar të Presidentit te Shqipërisë në mbrojtje të kufijve të Kosovës. Ai sot nuk dekretoi një kandidat për ministër të jashtëm që ishte pro prekjes së kufijve, të nominuar qëllimshëm dhe me djallëzi nga kryeministri Rama.”, ka shkruar Tahiri në Twitter.

https://kallxo.com/edita-tahiri-duartroket-mos-dekretimin-e-ministrit-nga-kosova-nga-ilir-meta/

Pas këtij postimi, Rama i doli përsëri në mbrotje Cakajt, duke thënë se Tahiri është bashkuar me ‘qyqarë’ në kundërshtimin e emërimit të Cakajt.

https://kallxo.com/rama-i-reagon-gezimit-te-edita-tahirit-per-cakajn/

“Ah edhe Edita Tahiri, bashkuar me ca qyqarë që salutojnë vendimin e vizionarit IM! Ah çfarë llumi mllefi e terri që “vizionarët”e kësaj kategorie e jashtëqesin si lumë dashurie për kombin! Genti e dashur Edita i meriton sulmet tuaja aq sa këta “vizionarë” emrin njeri! Po ti xhan?”, kishte shkruar Rama.

E Edita Tahiri në një intervistë për “Ora News”,  theksoi se Rama nuk ishte i zoti për të kundërshtuar gjatë vizitës në Beograd ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.

Haradinaj: Qeveria i respekton qëndrimet e Shqipërisë për Cakajn

Kurse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk ka dashur të komentojë vendimin për mos dekretimin e Cakajt por se ka thënë që e mbështetë cdo vendim të Shqipërisë.

“Nuk mund ta komentoj. Nuk është detyrë e imja me e komentu. Është detyrë e Qeverisë së Shqipërisë. Veç se është qytetar i Kosovës nuk do të thotë që kam drejt  me e komentu. I respektojmë qëndrimet e institucioneve të Shqipërisë”, tha Haradinaj.

VV akuzon Cakajn, PSD thotë se Albini e kishte lutur të kthehet

Larg debatit të mos dekretimit të Cakajt nuk kanë qëndruar as partitë opozitare në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje tha se Cakaj dikur ishte pjesë e ksaj partie dhe se Republikës së Shqipërisë nuk i duhen ministra të Baton Haxhiut dhe Hashim Thaçit.

https://kallxo.com/vetevendosje-republikes-se-shqiperise-nuk-i-duhen-ministra-te-baton-haxhiut-dhe-hashim-thacit/

Po ashtu kjo parti përmendin lidhjen që sipas tyre e ka Gent Cakaj me drejtorin e televizionit Klan Kosova Baton Haxhiun, të cilin e kanë fajësuar për ndarjen e kësaj partie.

Kurse deputeti i PSD-së i cili ishte pjesë e VV-së, Dardan Molliqaj tha se në vitin 2008 Cakaj kishte dalur nga VV shkak të qëndrimëve të VV-së për Planin e Ahtisaarit por se Kurti e kishte lutur të kthehet në vitin 2014.

https://kallxo.com/molliqaj-kurti-e-kishte-lutur-cakajn-qe-te-kthehet-ne-vv/

Kurse deputeti i Alternativës, Ilir Deda tha se Meta sot i dha një goditje të fortë planit për ndarjen e Kosovës.

“Gent Cakaj është pa mëdyshje një i ri me shumë perspektivë dhe me arsim superior. Por nuk mundet një shqiptar i Kosovës, si Ministër i Jashtëm të Shqipërisë, të bëhet pjesë e politikës së ndarjes së Kosovës. Presidenti Ilir Meta sot i dha një goditje të fortë atij plani, goditje që ende nuk u dha në Kosovë”, ka shkruar Deda në Facebook

Reagime të tjera

Ndërsa, drejtori i “Klan Kosova”, Baton Haxhiu mos dekretimin e Cakajt e quajti gabim historik.

“Në rast se do ta mbash pezull dekretimin e Ministrit të ri, do ta mbani edhe përgjegjësinë institucionale për mosdekretim të politikanëve me mendësi të re në Shqipëri, përjashtimin e një kosovari të shkëlqyer nga jeta e lartë institucionale në Shqipëri edhe bllokimin praktik të bashkëpunimit të frytshëm midis dy vendeve. Ilir! Degjoje mire cka po te thote Batoni: Po gabon shume dhe mos shko ma tutjeshem ne kete gabim historik!”, thuhet në një pjesë të letrës së tij ndaj Metës.

Kurse, për publicistin dhe shkrimtarin Veton Surroi, debati për Cakajn po merr kahen e tifozërisë, e në tifozëri, sipas tij, nuk ka debat.

Surroi thotë se ky është moment që kryeministri Rama të sqarojë, a e përkrah Shqipëria ndarjen e Kosovës në vija etnike të propozuar nga presidenti Vuçiq e të pranuar nga Thaçi.

“Nëse ky është rasti , atëherë kryeministri duhet të japë në konsultime të gjera me grupacionin e tij politik dhe me Presidentin shpjegimin se çka duhet të ndryshojë në politikën e jashtme të Shqipërisë. Këtu kryeministri mund të ndihmojë në sqarimin se a duhet të përkrahë Shqipëria apo jo ndarjen e Kosovës në vija etnike të propozuar nga presidenti Vuçiq dhe të pranuar nga presidenti Thaçi?”, thotë Surroi.

KALLXO.com ka kontaktuar Cakajn që të marrë një qëndrim rreth këtij vendimi të Metës, në profilin e tij zyrtar në Facebook por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje

https://kallxo.com/ilir-meta-nuk-e-dekreton-gent-cakajn-shkaku-i-deklaratave-pro-korrigjimit-te-kufijve-dokument/