Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Foto: EPA/Malton Dibra

Meta: Sa të jem president, territori i Kosovës nuk diskutohet

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka shtuar një deklaratë në polemikat lidhur me mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër i Punëve të Jashtme dhe Evropës.

Lidhur me vendimin e Ilir Metajt pati kundërshtime dhe aprovime, ndërsa vetë Meta tha se nuk pranon idenë e cënimit territorial të Kosovës, që sipas tij e përkrah kosovari Cakaj.

“Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit si President i vendit tim”, tha Meta.

Ndryshe sot, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta nuk e ka dekretuar Gent Cakajn si ministër të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, për shkak të deklaratave të tij pro korrigjimit të kufijve.

Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur vendimin e marrë sot nga presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, për refuzimin e dekretimit të z. Gent Cakajt si Ministër për Evropën dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë. Sipas tyre Republikës së Shqipërisë nuk i duhen ministra të Baton Haxhiut dhe Hashim Thaçit.

Tutje ata kanë thëne se vetë Cakaj ka qenë anëtar ‘ formal’ brenda kësaj lëvizjeje.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk e ka komentuar mos dekretimin e kosovarit, Gent Cakaj nga ana e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta si ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Ai në një konferencë për media në AAK tha se nuk ka të drejtë ta komentojë.

“Nuk mund ta komentoj. Nuk është detyrë e imja ta komentoj dhe s’kam as të drejtë ta komentojë është detyrë e Qeverisë së Shqipërisë. Veç se është qytetar i Kosovës nuk do të thotë që kam të drejtë  me e komentu. Kjo është çështje e Shqipërisë dhe ne i respektojë qëndrimet e institucioneve të Shqipërisë”, tha Haradinaj.

https://kallxo.com/ilir-meta-nuk-e-dekreton-gent-cakajn-shkaku-i-deklaratave-pro-korrigjimit-te-kufijve-dokument/