Foto: Gent Cakaj/Facebook

Gent Cakaj: Nuk synoj të bëhem pjesë e asnjë partie politike në Kosovë

Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje e më pas ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka bërë një sqarim pas lakimit të emrit të tij si kandidat i mundshëm për të drejtuar PDK-në.

Cakaj, përmes një komenti në Facebook, ka bërë të ditur se nuk është pjesë dhe nuk synon të bëhet pjesë e asnjë partie politike në Kosovë.

“Ashtu siç e kam sqaruar disa herë tashmë, unë nuk jam dhe nuk synoj të bëhem pjesë e asnjë partie politike në Kosovë”, ka shkruar ai.

Emri i Gent Cakajt është lakuar në mediat e Kosovës si kandidat për të marrë kreun e PDK-së, parti e cila më 3 korrik do ta mbajë kuvendin e saj për të zgjedhur drejtuesin e partisë.

Këtë pozitë aktualisht përkohësisht e mban Enver Hoxhaj që nga dorëheqja e Kadri Veselit pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Gjykata Speciale.