Foto: Gent Cakaj/Facebook

Gent Cakaj largohet nga posti i Ministrit

Ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtmë i Shqipërisë, Gent Cakaj, është larguar sot nga ky post.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri shqiptar, Edi Rama përmes një postimi në Twitter.

Rama ka falenderuar Cakajn për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tij në këtë detyrë ndërsa tha se ai do të vazhdojë të punojë në kabinetin e kryeministrit.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë ka njoftuar se detyrën e Ministrës së Evropës dhe Punëve të Jashtme do ta marrë, Olta Xhaçka.

“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme”, tha Rama në një postim në Twitter.

“Dua ta falenderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes”, tha ai.