Vrasësi i heshtur

Në periudhën para luftës në Kosovë, banesa kolektive dhe objekte të tjera të mëdha, si dhe gypat e ujit kanë qenë të ndërtuara nga materiale që kanë pasur përmbajtje të azbestit.

Azbesti është një lloj minerali i cili në të kaluarën është përdorur për izolimin e pajisjeve elektrike si dhe të ndërtesave.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në një Raport, thotë se të gjitha llojet e azbestit shkaktojnë kancer të mushkërive. Sipas këtij Raporti, ekspozimi ndaj azbestit ndodh nëpërmjet thithjes së fibrave (pluhurit) në ajër, në mjedisin e punës, ajrit në afërsi të burimeve, siç janë fabrikat që trajtojnë azbestin, ose të ajrit të brendshëm në banesa dhe ndërtesa që përmbajnë azbest.

Është quajtur vrasës i heshtur, sepse fibrat e azbestit pasi të depërtojnë në trupin e njeriut mund të qendrojnë aty për shumë vjet, e më pas të aktivizohen dhe të shkaktojnë dëme.

Por së fundmi në Kosovë, një projekt i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) në Prishtinë, ka ‘ringjallur’ problemin e heshtur të azbestit.

Gjatë disa punimeve në lagjen Lakrishte të kryeqytetit, për rrënimin e disa objekteve të vjetra aty, për lirimin e hapësirës për një objekt shumë katësh, rezultoi se në ato objekte të vjetra kishte materiale me përmbajtje të azbestit.

Inspektoriat i Ministrisë së Ambientit me datë 4 tetor 2021 kishte dalë në teren për të bërë vlerësimin e situatës, ndërsa shkolla që është shumë afër atij lokacioni, u mbyll për një ditë.

Ministria, me datë 6 tetor 2021 vendosi që punimet në atë lokacion të pezulloheshin, pikërisht për shkak të azbestit.

Ndërsa me datë 12 tetor 2021, ministri i Ambentit, Liburn Aliu mbajti një konferencë për media ku ndër të tjera, foli edhe në lidhje me problemin e shfaqur me materialin e azbestit.

Ai, në këtë konferencë për media akuzoi Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), se e kanë ditur se në ato objekte ka pasur azbest.

Aliu deklaroi se nga NPB-ja është marrë një leje për rrënim në komunën e Prishtinës, për rrënimin e atyre objekteve. Sipas tij, në kërkesën për leje, NPB-ja e ka fshehur faktin se aty ka azbest.

“Leja e rrënimit bazohet një një dokument, i cili nuk e përmend azbestin askund. Meqenëse pala ka apliku për leje duke mos e treguar këtë, kanë mashtruar me drejtorinë e Urbanizmit. Për këtë arsye, leja e rrënimit duhet të anulohet, ashtu si edhe leja mjedisore”, tha ndër të tjera Aliu në konferencë.

Ndërsa në të njejtën ditë, kryeshefi i NPB-së, Hajdar Hoxhaj, mbajti po ashtu konferencë për media, në të cilën e pranoi se si NPB e kanë ditur se aty ka azbest.

Kurse për lejën mjedisore apo atë të rrënimit, Hoxhaj në atë konferencë nuk u deklarua, duke thënë se nuk i di detajet teknike.

“Ne e kemi ditur, sepse aty i kemi pasur zyret. Nuk e përjashtojmë faktin se e kemi ditur se aty ka pasur azbest”, tha ai.

Shteti nuk e ka një përgjigje

KALLXO.com në tetor 2021 kishte dërguar pyetje në Ministri të Ambientit, për të pyetur fillimisht se si Ministri a kanë informatë sa ndërtesa në të gjithë Kosovës, kanë materiale me përmbajtje të azbestit.

Gjithashtu, ministria është pyetur se ka ndonjë plan shtetëror, se si do të veprohet në lidhje me materialin e azbestit dhe si do të largohet, por deri në publikimin e këtij shkrimi, ministria nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Po ashtu, KALLXO.com ka dërguar pyetje në 7 komunat më të mëdha të Kosovës, Prishtinë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë dhe Ferizaj, në lidhje me azbestin nëpër ndërtesat e këtyre komunave, por përveq komunës së Mitrovicës, asnjëra komunë tjetër nuk ka kthyer përgjigje, deri në publikimin e këtij shkrimi.

Komuna e Mitrovicës ka thënë se nuk ka informata se në cilat lagje të komunës ka azbest. Sipas përgjigjes me shkrim, komuna ka thënë se rrjeti i ujësjellësit pas luftës ka qenë me gypa me përmbajtje të azbestit, por që ka pasur investime për ndërrim të rrjetit.

“E dijmë që pas luftës ka pasur investime në ndërrim të rrjetit, nga Luksemburgu përmes drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe në bazë të informatave që kemi, ky rrjet është ndërru në masën më të madhe”, thuhet në përgjigje.

Ndërsa Komuna për momentin nuk ka një plan apo marrëveshje me nivelin qendror, për largimin e azbestit nga ndërtesat e gypat.

“Nuk kemi ndonjë të dhënë, por Komuna ka bashkëpunim të vazhdueshëm me nivelin qendror, por edhe me organizata të tjera. Drejtoria e Mjedisit nuk ndonjë marrëveshje bashkëpunimi të tillë”.

Në Kosovë është Udhëzimi Administrativ për menaxhimin e mbeturinave që përmbajnë azbest, i cili thotë se duhet të ketë kompani apo persona të licencuar, për t`u menaxhuar ato mbeturina.

Sipas ministrit Liburn Aliu, në Kosovë nuk ka ndonjë kompani të licencuar që merret me azbest, e për këtë arsye është dashur që në rastin e NPB-së, mostrat të dërgohen jashtë vendit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 125 milionë njerëz në botë janë të ekspozuar ndaj azbestit në vendin e punës. Sipas OBSH-së, në vitin 2004, kanceri i mushkërive i lidhur me azbestin, ishte shkaktar i rreth 107 mijë vdekjeve në gjithë botën.

Për periudhën 2018-2019, sipas një Raporti të  Agjencionit të Statistikave të Kosovës (ASK), kanceri ishte shkaktari numër dy i vdekjeve në Kosovë.

 

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.