Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Liburn Aliu kërkon që të hetohet NPB për projektin shumëkatësh në Lakrishtë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka kërkuar që të hetohet projekti i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), për ndërtimin e një objekti shumëkatësh, si bashkëinvestim me kompani private.

Ai ka kërkuar nga avokatura shtetëroree anulimin e aktit noterial të realizuar në 17 maj të vitit 2021 në të cilin akt figuron si palë e Ndërmarrjes Publike Banesore kompania private Made Group Construction.

“I jam drejtuar avokatit shtetëror duke kërkuar anulimin e aktit noterial”, tha ai.

Sipas Aliut, në këtë akt thuhet se kjo kompani është hisedarë me 64% në një projekt, duke i lënë kështu NPB – së vetëm 36%.

“Tek ky projekt që planifikohet të ndërtohet bashkëpronar privat do të jenë 64% të sipërfaqes, që i bie 64% e sipërfaqes tokësore bëhet pronë private [..] e kjo i bie të quhet privatizim”, tha Aliu.

I njëjti tregoi se në këtë akt noterial thuhet se prona e paluajtshme duhet të jepet në tërësi në shfrytëzim të përhershëm me qëllim të ndërtimit të objektit banesor afarist.

Mirëpo, sipas Aliut, ligji nuk lejon që prona publike të jepet në shfrytëzim të përhershëm.

“Fjala ‘Shfrytëzim i përhershëm’ nuk ka bazë ligjore. Ka shfrytëzim të përkohshëm nuk ka shfrytëzim të përhershëm”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, ky veprim përben shkelje të rend penale.

“Privatizimi nuk mund të behët me një akt noterial, janë procedura që duhet ndjekur dhe kjo përben një shkelje të rënde”, ka shtuar ai.

Një kërkesë Aliu ka pasur edhe për udhëheqësit e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

“Kryetarit të Komunës, Kryetarit të Kuvendit Komunal dhe Kuvendit Komuanl të Prishtinës i kërkojmë që të veprojnë në përputhje dhe në mbrojtje të interesit publik”, tha ai.

I njëjti tregoi dhe se sot i ka shkruar Agjencisë Kadastrale të Kosovës në mënyrë që këta të fundit të trajtojnë këtë lëndë dhe në rast se ka shkelje akti i rregullimit të pronës ta tërheqë atë.

Aliu shpjegoi procesin e kësaj ngjarje duke treguar që me dy tetor të këtij viti është ndërprerë rrënimi i ndërtesave në pronësi publike të NPB -së.

Kjo pasi që në objektet e rrënuara kishte materie të supozuara si të rrezikshme për shëndetin e njeriut për të cilat Ministri ka njoftuar se janë marrë mostra të cilat janë dërguar në një laborator profesional jashtë shteti.

“Pas daljes së inspektoreve në lokacion është vërtetuar dhe është parë se ndërhyrja është masive në rrënim me pajisje të rënda duke shkaktuar edhe pluhur”, ka thënë ai.

Tutje ai ka shtuar se pluhuri nga mbulimi i kulmit me sallonit azbestit realisht mund të jetë rrezik potencial për shëndetin.

“Punëtoret të cilët kanë qenë të duke kryer punimet kanë qenë fare të pambrojtur”, tha Aliu.