Ministria e Mjedisit pezullon punimet e NPB-së në Prishtinë, shkak materiali kancerogjen i azbestit

Ministria e Mjedisit ka pezulluar punimet e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), në lagjen Lakrishte të Prishtinës, pasi gjatë rrënimit të një objekti të vjetër, doli se kishte materiale të azbestit e të cilat konsiderohen kancerogjene.

NPB-ja bashkë me kompani private, si bashkë-investim, në atë lokacion synon të ndërtojë një objekt të madh afaristo-banesor.

Sipas Anita Cacajt, që është menaxhere e Departamentit për Mbështetje të Brendshme në kuadër të NPB-së, kjo ndërmarrje është në koordinim me Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Mjedisit dhe atë të Mbrojtjes, për të asgjësuar materialin e azbestit.

“Nuk ka asnjë kompani të licencuar në Kosovë që bën asgjësimin e azbestit, me këtë rast ne jemi në koordinim me këto institucione që ta trajtojmë në mënyrën e duhur këtë problem”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Sipas Cacajt, objekti në fjalë ishte planifikuar të rrënohej më vonë, por që nënkontraktuesi i kompanisë fituese të projektit, ka pasur problem me disa gypa në atë lokacion.

“Mirëpo nënkontraktuesit me gjasë i ka dalë një problem me gypat, sepse qarkullojnë gypat andej, edhe është rrënu në këtë fazë. Aty parashihet të jetë rrugë, pikërisht për këtë kemi pasur procedura fillimisht e më pastaj me fillu ai rrënim, por ka ndodh një keqkuptim i tillë edhe nënkontraktuesi i kompanisë me të cilin kemi bërë marrëveshje, nuk ka qenë në dijeni për një gjë të tillë, me këtë rast janë shkaktu këto problemet e mëtutjeshme”, ka thënë Cacaj.

Për rastin ka reaguar edhe Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, duke thënë se pezullimi i punimeve është një lajm i mirë. Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, ky Asociacion ka thënë se sot ministri Liburn Aliu është takuar me banorët e lagjes, ku u ka komunikuar vendimin për pezullim.

“Siç u bë e ditur, mostrat për të përcaktuar shkallën e kontaminimit dhe të rrezikut të shkaktuar nga rrënimet e papërgjegjshme, do të dërgohen për analiza jashtë vendit, meqenëse në Kosovë nuk ka laborator të licencuar”, thuhet ndër të tjera, në reagim.

Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), po synon që përmes ndërtimit të përbashkët me sektorin privat, të rrisë të hyrat dhe pasurinë e saj. Lokacioni i ndërtimit është pikërisht në lagjen Lakrishte të Prishtinës, ku kanë filluar punimet.

Ndërmarrja Publike Banesore prezanton projektin që synon rritjen e të hyrave përmes ndërtimit të përbashkët

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.