Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kurti pranon nga Hoti detyrën e kryeministrit
Nën intonimin e himnit të Kosovës nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ia ka dorëzuar detyrën kryeministrit të zgjedhur dje, Albin Kurtit.
Deputët e Kuvendit të Kosovës me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim kanë votuar dje për Qeverinë e re të vendit.
Po ashtu dje është konstituar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës. Kryetar Kuvendi është zgjedhur Glauk Konjufca me 69 vota.
Qeveria Kurti 1 ishte votuar më 3 shkurt të vitit të kaluar pas një koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Kjo Qeveri është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars 2020, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ndërsa më 3 qershor, deputet votuan për Qeverinë Hoti, e cila erdhi pas koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.
Më 21 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese konstatoi se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt 2021.
Në këto zgjedhje LVV-ja së bashku më listën ‘Guxo’ të Vjosa Osmanit u rendit e para me 438 mijë e 335 vota apo 50,28%.