Ilustrim

Shtëpitë që ende nuk u ndërtuan: Të moshuarit e Kosovës presin që premtimet e qeverisë të bëhen vepra

Ajete Arifi është e gatshme ta lë banesën e saj në të cilën ka jetuar qe 80 vjet, në këmbim të një shtrati në një nga shtëpitë për kujdes ndaj të moshuarve. 

Shëndeti i rënduar, pensioni i vogël e vetmia, e kanë bindur 100-vjeçaren Ajete Arifi nga Podujeva, se tani është koha ta lë banesën e saj për të cilën thotë se ka kaluar momentet më të mira të jetës së saj.

Ajo është vetëm një nga mbi 600 të moshuarit në Kosovë që kanë nevojë për kujdes nga shteti. Ndonëse numri i përsonave që kanë nevojë për përkujdesje nga shteti po rritet, ndërtimi i shtëpive të reja të kujdesit për të moshuarit për përkujdesje familjare vazhdon të mbetet premtim në letër. 

‘Nana Ajete’ siç e thërrasin banorët e ndërtesës, ka rrëfyer për KALLXO.com jetën e vështirë që është duke e bërë si e vetmuar brenda katër mureve të banesës.

“Jetoj vet, veç vet, nuk e kam kërkon. Një çikë e motrës vjen kaniher me më vizitu, po pjesën ma të madhe të kohës jam vetë. Pensionin e marr 100 euro, po tybe veç më kanë ndihmu populli me social t’u më dhanë që sa vjet, se pensioni s’më del, isha dek uni” – thotë ajo.

Ajetja ka rrëfyer për KALLXO.com se pleqërinë po e kalon krejtësisht e vetme, pasi që dy bashkëshortët e saj kanë ndërruar jetë, e fëmijë nuk ka pasur nga asnjëra martesë.

“Bukën ma bjen kojshia me një hoxhë, janë ardhë e më kanë kqyrë, se vet nuk muj, kam problem me reum, me zorrë të trashë, se kam hjek shumë. Unë kështu i kam i 100 vjet veç me hjeka 500” – ka thënë tutje ajo.

Sipas Kryqit të Kuq të Kosovës, si Ajete Arifi ka qindra persona në Kosovë.

Antigona Gashi Sopjani, koordinatore i Mirëqenies Sociale në Kryqin e Kuq të Kosovës ka thënë se numri i të moshuarve që kanë nevojë për kujdes nga shteti çdo vit po rritet.

“Sipas të dhënave të regjistruara nga KKK, numri i të moshuarve të vetmuar pa përkujdesje është duke u rritur. Ne vitin 2021 kemi pas te regjistruar 573 te moshuar, ndërsa në regjistrimin e vitit 2022 numri është rritur ne 635 te moshuar” – ka thënë ajo.

“Kërkesat kryesore të të moshuarve pa përkujdesje janë: ushqim, medikamente, veshmbathje, higjienë, transport deri në Qendrat e mjekësisë familjare”- ka theksuar ajo.

Aktualisht në Kosovë janë 4 shtëpi të kujdesit për të moshuarit, mirëpo sipas Gashi-Sopjanit, ky numër është i pamjaftueshëm. Shtëpitë e të moshuarve të udhëhequra nga shteti gjenden në: Prishtinë, Istog, Skenderaj dhe Graçanicë, me një kapacitet total prej 172 vendeve.

Shtëpitë për përsonat e moshuar pa përkujdesje familjare, janë shtëpitë në të cilat brenda 24 orëve ofrohet, ushqim, veshmbathje, strehim, përkujdesje shëndetësore, terapi të punës dhe shërbime fizioterapeutike për banorë.

E një mendim të njëjtë si Antigona Gashi Sopjani e ndan edhe njohësi i politikave sociale në Kosovë, Selatin Kllokoqi, i cili ka thënë se është momenti që kjo çështje të merret seriozisht.

“Nuk është duke u punuar mjaftueshëm, askush nuk është duke u marrë me këtë kategori të shoqërisë. Duhet me u punu më shumë duhet të mendohet në mënyrë strategjike, sepse tani cdo ditë kemi më shumë të moshuar, tani sidomos që parashikohet liberalizimi i vizave, ku rinjët do të dalin, ndërsa të moshuarit do të mbeten pa përkujdesje”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Njazi Gashi, numëri i të moshuarve që do të kenë nevojë për kujdesje pritet të rritet.

“Në 5-10 vitet e ardhshme, ne kemi me pasë një çrregullim të proporcionit në raport të të moshuarve dhe të të rinjve, në këtë rast në disfavor të shoqërisë, por në favor të pleqve që kanë me qenë më shumë se sa të rinjtë dhe kjo pas parasysh që, tanimë do të lirohet qarkullimi edhe për shqiptarët e Kosovës nëpër Evropë e tutje, del që numri i të rinjve ka me u zvogëlu në mënyrë drastike dhe nuk ka me pasë kush të merret me ta”- ka thënë ai.

Njëri nga premtimet e Qeverisë Kurti kur ka ardhur në pushtet në vitin 2021 ishte edhe ndërtimi e 5 shtëpive të kujdesit për të moshuarit.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy vjet që prej ardhjes në pushtet, ndërtimi i tyre ende nuk ka filluar. Në buxhetin e vitit 2023, qeveria ka paraparë ndarjen e 1 milion eurove për realizimin e këtij premtimi, ndërsa për vitin 2024 dhe 2025 janë paraparë të ndahen nga 2 milionë euro.

KALLXO.com ka kërkuar që nga tetori përgjigje nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Mjedisit në lidhje me këtë premtim, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Kreu i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Njazi Gashi, e ka kritikuar Qeverinë Kurti për neglizhencën e treguar karshi të moshuarve.

“Për fat të keq, sidomos kjo garniturë e Qeverisë që është tani në pushtet, edhe pse i ka marrë votat duke i premtu elektoratit që do ta angazhohen për politikat sociale të shoqërisë, kjo nuk ka tregu sens dhe nuk ka tregu ndjenja as me e ndëgju këtë shtresë të popullatës e lëreni ma të merret me ta” – ka thënë ai.

Mosimplementimin e politikave që kanë qasje progresiste nga Qeveria Kurti e ka potencuar edhe Arian Lumezit, hulumtues në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”.

“Kjo vërehet në fusha të ndryshme dhe mungesa e përparimit në ndërtimin e shtëpive të reja për të moshuarit e dëshmon një gjë të tillë në këtë fushë, pra në fushën e banimit social”- ka thënë ai.

Ai ka potencuar se shtëpitë për të moshuarit janë të rëndësishme si element i drejtësisë sociale.

“Për shkak që sigurojnë periudhë të jetesës së dinjitetshme për një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë, ndihmojnë në parandalimin e izolimit social për të moshuarit. Gjithashtu, shtëpitë për të moshuarit janë të rëndësishme në drejtim të një qasjeje holistike ku shoqëria përkujdeset edhe për shëndetin mendor dhe mirëqenien sociale, krahas shëndetit fizik”- ka theksuar ai.

Ajete Arifi, ndonëse në shtrat, sytë i mban tek dera e banesës së saj me shpresën se dikush nga institucionet do të trokas për t’ia ofruar një shtrat në një nga shtëpitë e të moshuarve. Por ajo preferon që të mbetet në Podujevë.

“Duhet me shku, le të vinë me më marr. Kam qejf në Podujevë, e dua Llapin a Prishtinën jo” – përfundon rrëfimin ajo.