Rriten Remitancat, Harxhohen për Ushqim dhe Veshmbathje

Sipas studimit, remitancat e dërguara në vitin 2012 kanë shënuar rritje prej 23,1% krahasuar me vitin 2011.  Gjatë vitit 2012, shifra totale e remitancave të dërguara llogaritet të jetë 457 milion euro, apo ndryshe 9.3%  e Bruto Produktit Vendor të Kosovës, kurse gjatë vitit 2011 janë dërguar 371,6 milionë euro.

Grumbullimi i këtyre të dhënave nga ekonomitë familjare është bërë gjatë muajve dhjetor të vitit 2012 dhe muajit janar të vitit 2013, periudhë që në studim thuhet se është optimale për arsye se shumica e dërguesve të remitancave e vizitojnë Kosovën për t’u takuar me familjaret e tyre.

Gjatë këtij studimi janë intervistuar 8 mijë ekonomi familjare dhe 443 emigrantë të cilat dërgojnë remitanca në Kosovë.

Sipas këtij studimi, 43% e qytetarëve të Kosovës kanë anëtarë që jetojnë jashtë vendit, dhe gjatë vitit 2012, 22,4% e familjeve kosovare kanë pranuar remitanca. Studimi tregon se ekonomitë familjare remitencat i marrin në dy forma kryesore: në para të gatshme dhe mallra dhe shërbime.  

Si formë tjetër të remitancave studimi ka llogaritur edhe shpenzimet që emigrantët i bëjnë personalisht gjatë vizitave në Kosovë. 

Në vitin 2012, familjet emigrante që kanë vizituar Kosovën kanë shpenzuar mesatarisht nga 2,715 euro, apo në total 270 milion euro. Pjesa më e madhe e emigrantëve, apo 63,86 për qind e tyre, e vizitojnë Kosovën tri deri në katër herë brenda një viti.

Nga mjetet financiare që ekonomitë kosovare marrin në formën e remitancave nga diaspora, studimi tregon se një përqindje shumë e madhe e tyre u harxhuan për ushqim. 

Konsumi i ushqimit në vitin 2012 ka marrë 36% të buxhetit të ekonomive kosovare pranuese të remitancave. Ekonomitë familjare harxhojnë më pak nga buxheti i tyre për mallra të qëndrueshme (shembull makina) dhe gjysmë të qëndrueshme (veshmbathje, celularë).

Ndërsa sa i përket dërgesave në mallra dhe shërbime, gjysma e këtyre dërgesave janë veshmbathje (49%). Vijojnë dërgesat për vetura (20%), blerje të tokës (11%), dhe orenditë shtëpiake (8%).

Pa i përfshirë remitancat, ekonomitë familjare pranuese kanë të ardhura mujore prej 526 eurosh, në ndërkohë që ato jopranuese kanë të ardhura mujore 523 euro.  Kur familjeve pranuese u shtohen edhe remitancat, të ardhurat e tyre mujore arrijnë shumën prej 724 eurosh.

Familjet që jetojnë në vende rurale pranojnë më shumë remitanca sesa familjet që jetojnë në zona urbane.  24% e ekonomike familjare që jetojnë në zonat rurale pranuan remitanca në vitin 2012, kurse për zonat urbane kjo shifër është 21%.

Përqindjet më të larta të familjeve pranuese të remitancave janë në rajonet e Gjakovës (35%), Pejës (30%), Gjilanit (29%), dhe Prizrenit (23%).

Në rajonin e Ferizajt ka rritje të dukshme të familjeve pranuese ku trendet e emigrimit dhe të dërgesave ndërlidhen me misionet afatshkurta në bazat ushtarake në Afganistan dhe në Irak.  Rritje të theksuar të disponimit për emigrim është shënuar te banorët e Mitrovicës dhe Gjilanit.

Studimi tregon se pjesa më e madhe e emigrantëve janë të vendosur në Gjermani dhe Zvicër, kurse destinacione të tjera të shpeshta janë edhe Italia, Sllovenia, Austria, dhe ShBA-të.  

Ministri i Financave Besim Beqaj, gjatë prezantimit të Projektbuxhetit 2014, të enjten në Kuvendin e Kosovës, remitancat nga diaspora i vlerësoi të rëndësishme për faktin se këto para kryesisht vijnë dhe shpenzohen në Kosovë.