Riorganizohen Njësitë Elite

Në përpjekje për t’u bërë më vigjilente dhe më e aftë në kryerjen e detyrave, Policia e Kosovës ka iniciuar reformimin e pesë njësive krruciale brenda saj. Një konkurs do të hapet gjatë këtij muaji, që duhet të mbarojë në gjashtëmujorin e parë të vitit, dhe është mundësi e mirë për ata policë që dëshirojnë të punojnë në këto njësi të specializuara si dhe për riorganizimin e policisë.

Njësia Speciale Intervenuese (NJSI). Kryen operacionet e sigurisë në raste të veçanta dhe zgjidhjen e situatave me të cilat nuk mund të përballohen shërbimet e tjera të policisë. Angazhohet në rastet kur përmbushja e detyrave zyrtare të mbrojtjes së jetës dhe pasurisë paraqet rrezikshmëri tejet të lartë për rendin dhe sigurinë në përgjithësi dhe për pjesëtarët e policisë. Aktualisht aty punojnë 80 punonjës. Ishte themeluar në vitin 2004 dhe deri më tash ka qenë në gjendje të nxjerrë shpesh rezultate pozitive gjatë operacioneve intervenuese.
          
Njësia Speciale Operative (NJSO). Është njësi e specializuar në kuadër të departamentit të njësive të specializuara të policisë e cila ka përgjegjësi për të siguruar rendin dhe qetësinë publike me rrezikshmëri të mesme dhe t’ju ofrojë mbështetje e përkrahje njësive në kuadër të policisë në nivele rajonale. Është ngritur në vitin 2003 dhe aty kanë punuar rreth 450 policë. Në konkursin e ri do të mund të aplikojnë të gjithë pjesëtarët e policisë dhe të gjithë ata që i plotësojnë kriteret si testet fizike, testi shëndetësor, verifikimi i së kaluarës dhe gjendja e mirë psikike për punë. Sipas planeve, numri optimal i të punësuarve do të jetë 165 policë të cilët do të kenë bazën e tyre dhe do të shërbejnë vetëm atëherë kur parashihet nevoja e intervenimeve në raste trazirash dhe operacione të parapara me ligjin mbi policinë, në raste të negocimit për lirimin e pengjeve dhe kontrollit të masave të qytetarëve gjatë manifestimeve të ndryshme si protestat ose trazirat e mundshme publike, asistimi i shtyllave të larta të policisë dhe institucioneve të Kosovës etj.

Njësi e Qenve (K9). E autorizuar për përdorimin e qenit për gjetjen/ kapjen e të dyshuarve, kontrollimin e ndërtesave dhe të dyshimtëve të dehur, kontrollimit të ndërtesës vetëm po qe se ekziston ndonjë rrezik i lartë për të lënduar personat e pafajshëm brenda objektit, për bastisje ose kapjen e ndonjë individi apo ndonjë intervenim të natyrës së përcaktuar. Deri më tash në njësi kanë punuar vetëm 20 policë, ndërsa pritet që njësia të rritet.

Njësia për Eksploziv dhe Mjete Shpërthyese (IEDD). Ka rol të veçantë në kryerjen e detyrave policore sa i perket mjeteve shpërthyese. Kjo njësi ka treguar rezultate në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe vendor dhe forcimin me trajnime specifike për policët të cilët punojnë ne sektorin e mjeteve shpërthyese.

Njësia e Mbrojtjes së Afërt (NJMA). Deri më tash ka pasur rolin e sigurimit të personaliteteve me rendësi të veçantë dhe objekteve, përcjelljen e delegacioneve të ndryshme, përcjelljen dhe ekstradimin e të dyshuarve, mbrojtjen e personaliteteve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, kontrollimet antiterroriste, arrestimin e personave me rrezikshmëri të lartë dhe gjithashtu sigurimin e objekteve diplomatike dhe qeveritare. Edhe më tutje ajo do të përkujdeset për personalitetet me rendësi të veçantë.

Këto njësi deri më tash kanë treguar rezultate shumë pozitive duke ofruar shërbimet e tyre në mënyrë efikase gjatë intervenimeve dhe operacioneve të ndryshme si në arrestime, bastisje, intervenime në raste të ndryshme, zbulime, mbrojtje dhe përkujdesje të personaliteteve dhe objekteve etj. Falë tyre, në vitin 2011 ka pasur 30 për qind raste më pak se vitin e kaluar.

Reforma në këto njësi, në bazë të strukturës organizative dhe ligjit të policisë, do t’i ofrojë  organit të rendit një stabilitet dhe formë adekuate për zgjedhjen e policëve dhe ofrimin e shërbimit për qytetarët.

Sipas planit, pas testeve, të gjithë punonjësve të cilët do të mbeten në njësitë e specializuara do t’u ofrohen specializime të ndryshme studimore jashtë vendit ku do të kenë mundësi të shkëmbejnë përvoja praktike me kolegë nga vende të ndryshme të Europës. Gjithashtu parashihet që t’ju krijohen kushte më të mira duke u ofruar pajisje adekuate për punë, siç janë automjetet dhe armët e gjata speciale.

Duhet të ceket se Policia e Kosovës ka filluar të kompletohet më shumë rreth centralizimit të njësive të veçanta – elite policore, duke zbatuar programet dhe rekomandimet e BE’së.