Raport Policor: Prapakthimi

Në janar të këtij viti, Policia e Kosovës nxori një plan pune për periudhën 2011-2015 që kishte për qëllim ngritjen e besueshmërisë te qytetaret dhe institucionet vendore si dhe përforcimin e sektorëve të policisë. Kanë kaluar dhjetë muaj e që atëherë më shumë ka pasur pasoja negative.

Policia është e orientuar në konceptin e policisë në bashkësi që është një qëllim në kuadër të aspiratave europiane të Kosovës. Ajo parasheh reforma organizative dhe modernizim me pajisje e teknologji bashkëkohore. Prioritetet e parandalimit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe avancimit e kontrollit të sigurisë ndërkufitare dhe anëtarësimi në organizatat rajonale e ndërkombëtare fuqizohen. Kjo është në pika të shkurtra fryma e këtij plani.

Zhvillimet në muajt e kaluar kanë treguar për një realitet të kundërt me ato qëllime të mira. Lëvizjet kadrovike nëpër sektorë të policisë nuk rezultuan të suksesshme, ishin të paarsyeshme dhe një numër i madh i punonjësve mbetën të zhgënjyer me largimin nga pozitat në sektorët e krimit ekonomik, krimit të organizuar, drejtorive rajonale etj. ku kishin punuar me profesionalizëm e kompetencë që nga krijimi i këtyre sektorëve në polici. Disa nga departamentet vazhduan të shihnin ndryshime deri edhe javën që shkoi, por vërtet është e paqartë se si u bënë këto ndryshime: a ishin pjesë të planit strategjik apo të politikes vendore?

Duke iu referuar një memorandumi  zyrtar të datës 31 maj 2010, drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionin nxori një vendim për vendet e lira të punës në këtë sektor. Vendimi shkaktoi pakënaqësi shumë të madhe te punonjësit të cilët veç e bënin atë punë. Atyre iu tha se nëse do të hynin në konkurs vetëm do t’ju rifomalizohej vendi i punës. Por, në fakt, një pjese të madhe prej tyre nuk iu dha mundësia të vazhdonin ndonëse kishin bërë punë të palodhshme e shpesh edhe të vullnetare që nga viti 2005. Nuk u morën për bazë as aftësimet, edukimi, profesionalizmi dhe trajnimet e tyre të sponzoruara nga vetë policia e Kosovës për të luftuar krimin.

Faktet tregojnë se në këto pozita u emëruan shumë të afërm dhe familjarë të udhëheqësve tanë politikë. Pjesa dërrmuese e tyre jo vetëm se nuk i plotësonin kushtet e parapara në konkurse – siç janë edukimi adekuat dhe profesionalizmi – por ndaj tyre ishin ndërmarrë edhe masa disiplinore në kuadër të organeve të brendshme dhe inspektoratit të policisë.

Me këtë veprim menaxhmenti i policisë jo vetëm që i largoi nga vendi i punës punëtorët profesionalë, por edhe hodhi poshtë punën e kushtueshme dhe të specializuar që vetë Policia kishte ndërmarrë në aftësimin e njësitit për krime ekonomike dhe korrupsion.

Kishte pasoja edhe në terren. Biznese të ndryshme që nuk përshtateshin me interesat politike, në mbarë vendin, në shumë raste u mbyllën ose atyre iu vështirësua edhe më shumë hapësira e veprimit.

Muaj më parë, me një vendim të ish-drejtorit të policisë Reshat Maliqi u shkaktua edhe një pakënaqësi tjetër e cila kishte të bëjë me uljen e pagave të drejtorëve të drejtorive rajonale dhe sektorëve. Ky vendim ishte një zhgënjim tjetër për punonjësit e policisë. Pas disa ankesave për ta ditur arsyen, nuk zgjati shumë edhe ajo rezultoi me largime nga vendi i punës duke thyer moralisht dinjitetin personal të punëtorëve.

Në një rrafsh tjetër, plani po ashtu ka dështuar të ndryshojë një realitet që ekziston brenda policisë së Kosovës. Bëhet fjalë për njëfarë ndarje rajonale dhe që është kundërproduktive për luftimin e krimit. Për shembull, zyrtarët policorë të një rajoni tjetër do ta kenë shumë problem të kryejnë detyrat e tyre në Rrafshin e Dukagjinit nëse një gjë e tillë u kërkohet.

Bashkëpunimi me Prokurorinë e Shtetit dhe Gjykatat e të gjitha niveleve duhet të forcohet dhe institucionet tjera relevante duhet të japin ndihmesën e tyre. Në këtë drejtim mbetet shumë për të bërë nëse policia e Kosovës mendon ta luftojë krimin e organizuar, ose edhe ajo pak besueshmëri që ka tek qytetarët do të humbet.

Strategjia kundër krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore, drogave, korrupsionit, terrorizmit, parandalimit të krimit si dhe aktiviteteve tjera kundër dhunës në familje, garantimit të të drejtave të fëmijëve dhe të drejtave të njeriut përmenden në planin strategjik, por pak zbatohen e janë forcuar në praktikë. Kjo është sfida me të cilën ballafaqohet sot policia kosovare.

Menaxhmenti policor duhet të mendojë se cilat janë arsyet e kësaj gjendje. Ndoshta është një kombinim i ndërhyrjeve politike-qeveritare, menaxhim joadekuat i eprorëve të emëruar në sektorët përkatës, kushtet ekonomike, mbrojtja e policëve në punë, kompensimi i shpërblimeve për punën, rrezikshmëria, ndryshimet në realizimin e pagesave dhe mungesa e strukturës së duhur organizative që pengohet nga individë të fuqishëm. 

Për momentin, as plani i punës dhe as ligji për policinë nuk janë duke u zbatuar dhe shpesh u përshtaten objektivave dhe qëllimeve të palëve tjera. Ndoshta në të ardhmen e shpejtë do të kemi draftligjin e ri për policinë që do të mundësojë të paktën rregullimin e çështjeve socialo-ekonomike dhe juridike në policinë e vendit.