Hetimi i Vështirë i Krimeve

Bazuar në Ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës, gjatë këtij viti, është autorizuar inspektimi i zakonshëm në polici për të vlerësuar mënyrën e kryerjes së detyrave në menaxhimin e dosjeve të hetimit të krimit si dhe bashkpunimit me organet gjyqësore. Inspektimi është përqendruar në vlerësimin e kryerjes së detyrave policore nga menaxherët e hetimeve dhe policët hetues.

I funksionalizuar nga Departamenti i Inspektimit, ndërmarrja është zhvilluar nga shkurti i vitit 2010. Inspektimi u përqendrua kryesisht në njësitë e hetimeve në nivelin lokal, rajonal dhe  atë  qendror. Edhe  pse  fusha e  menaxhimit të  hetimit  të  krimit  është inspektuar në mënyrë të përgjithësuar disa herë nga IPK-ja që prej vitit 2006, kësaj here është parë i nevojshëm zhvillimi i një inspektimi të veçantë lidhur me menaxhimin e dosjeve kriminale në Policinë e Kosovës.

Janë diku rreth 100 policë hetimorë në të gjitha nivelet në vendin tonë dhe fusha e hetimeve përfundimisht kërkon një organizim më të mirë.

Rezultatet e hetimit treguan se ka mangësi në kompletimin e dosjeve. Dosjeve u mungojnë vendimet e prokurorëve për fillimin e hetimeve. Gjatë intervistave me policë hetues është vërejtur se në mesin e tyre nuk kishte njohuri të duhur lidhur me atë se prej cilit moment llogaritet faza e arrestimit policor ose privimit  të  lirisë  së  një  personi të  dyshimtë.

Po ashtu, janë vërejtur lëshime në standardin e përpilimit të shkresave, të cilat përcillen me gabime drejtshkrimore dhe teknike. Njësitë hetimore në përgjithësi nuk i kushtojnë rëndësi evidentimit të përmbajtjes së dosjes.

Kjo ndodhë përkundër se plan-programet mësimore në Qendrën Kosovare për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim u ofrojnë njohuri  zyrtarëve  policorë në përpilimin e shkresave si me njësi mësimore teorike, po ashtu edhe me ato praktike. Megjithë programet e ofruara, në shumicën e rasteve shkresat polciore bëhen me dorë dhe pa një standard. Kallëzimi penal si shkresë e rëndësishme në dosje, në praktikën policore në shumë njësi hetimore, përmbante elemente të ndryshme dhe tjera.

Në një numër stacionesh është vërejtur mungesa e lidhjeve telefonike, gjë që u vështirëson hetuesve komunikimin me prokurorë në periudhat kur policia informohet për kryerjen e ndonjë vepre penale.
Inspektoratin Policor i Kosovës doli me disa rekomandime për menaxhmetin e lartë policor në lidhje me fshirjen e të dhënave personale nga sistemi i informatave, pajisjen e njësive hetimore me libra të nevojshëm zyrtarë për mbajtjen e evidencave, përmirësimit të kushteve të punës dhe hapësirave për njësitet e hetuesisë si dhe pajisjen me sirtarë   të përshtatshëm për vendosje të dosjeve kriminale në regjione/stacione policore.

Një prej objektivave kryesore të policisë, të parapara me Ligjin për Policinë, është parandalimi, luftimi dhe zbulimi i  krimit. Parandalimi i  krimit përbën një nga çështjet dhe detyrimet më të rëndësishme për një shoqëri demokratike drejt sundimit të rendit dhe ligjit.

Mirepo, porblemet me hetimet shtohen edhe nga lloji i bashkëpunimit mes policisë dhe Prokurorit Publik. Ky i fundit, në bazë të ligjit, është organ i pavarur përgjegjës për hetimin e veprave penale, për ushtrimin e ndjekjes penale ndaj personave të akuzuar për kryerjen e veprave penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare apo me propozimin e të dëmtuarit, për mbikëqyrjen e punës së policisë gjyqësore gjatë hetimit të personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale dhe për mbledhjen e të dhënave dhe informacioneve për fillimin e procedurës penale. Duke parë rolin e këtij organi si dhe lidhjen e ngushtë që duhet ta ketë me policinë, vlerësohet se në mes tyre ekziston një komunikim i dobët sa i përket rrjedhjes së hetimeve të rasteve. Bashkëpunimin jo të duhur në mes të prokurorëve dhe policëve hetues e ka potencuar edhe një raporti i EULEX-it i vitit të kaluar.

Edhe pse Kodi parasheh prokurorin publik si udhëheqës të hetimeve, ndërsa policinë si ndihmës të tij, në praktikë një veprim i tillë mungon. Për dështim në krijimin e një bashkëpunimi të duhur deklarohen edhe një numër i prokurorëve, sipas të cilëve ka munguar një iniciativë e përbashkët e dy autoriteteve për të nxitur një komunikim më të ngushtë përmes shkresave, që do të ngriste përformancën e hetuesisë

Edhe Kodi i Etikës së Policisë së Kosovës, në nenin 10 potencon bashkëpunimin funksional që duhet të ekzistojë në mes të policisë dhe prokurorisë. Por, gjatë inspektimit është vërejtur se kontaktet në mes të hetuesve dhe prokurorëve janë shumë më të pakta  se  sa  kërkohet  për  zhvillimin  e  hetimeve.

Dispozitat e Kodit  Penal qartas theksojnë që prokurori është ai që merr rolin udhëheqës në hetime penale. Por, kjo shpesh mungon në praktikë. Hetuesit tregojnë për vështirësitë në kontaktimin e prokurorëve dhe marrjes së informatave mbi rastet.

Po ashtu, hetuesit deklarojnë për mungesë të informatave rreth rasteve për të cilat kanë përfunduar hetimet dhe personat që janë akuzuar për veprat e kryera. Sipas hetuesve, prokurorët publikë shumë rrallë paraqiten në vendin e ngjarjes në rastet e veprave të rënda penale (përveç rasteve shumë të rënda, ku i tërë komunikimi bëhet përmes telefonit), rrall-herë marrin rol aktiv në udhëheqjen e hetimeve që nga fillimi dhe kanë performancë të dobët për sa i përket dhënies së udhëzimeve me shkrim dhe atyre me gojë për hetuesit.

Duke iu referuar kushteve në të cilat janë të angazhuar zyrtarët policorë që merren me hetime, mund të thuhet se ato nuk janë të kënaqshme në disa njësi. Në disa rajone është vërejtur mungesa e automjeteve për hetuesit policorë, kurse hapësira e zyrave për punë dhe ruajtje të dosjeve vlerësohet e pamjaftueshme. Varësisht nga stacioni apo regjioni policor, ndryshojnë edhe kushtet e punës për hetues. Vërehet edhe mungesa  e  pajisjeve  kompjuterike,  çka  paraqet  një  ngecje  dhe pengesë serioze në  përgatitjen dhe  kompletimin e  dosjeve kriminale (në  të  gjitha stacionet policore të inspektuara, mesatarisht tre e më tepër hetues përdorin të njëjtin kompjuter).

Gjithashtu problemt këtu nuk mbarojnë pasi mungon edhe nxistja e tyre përmes pagës shtesë për blerjen e rrobave civile dhe shtesës së veçantë për hetimeve ndonëse ka qenë kërkesë e vazhdueshme e hetuesve të niveleve qëndrore dhe lokale. Jo vetëm që kjo kërkesë nuk është implementuar nga departamenti financiar, por atyre u ndalohet edhe marrja e se drejtes së uniformës për çdo pesë vjet në bazë të vendimeve të lëshuara nga drejtorati.

Megjithëse ka shumë probleme të krijimit të kushteve të punës, nuk mungojnë as presionet politike në lidhje me rastet e zbuluara. Hetimi i krimit është vërtet detyrë shumë e komplikuar në Kosovë.