Pas Vrasjes së Policëve...

Policia e Kosovës, që prej themelimit të saj deri më tash, ka humbur shumë pjesëtarë të vet në detyrë, jashtë orarit të punës si dhe nga vdekja natyrale. Humbjet e këtyre jetëve nuk mund të kompenzohen me asgjë, por institucionet e vendit kanë mundur të konsiderojnë trajtimin dhe ndihmesën e familjeve përkatëse më mirë pasi shpesh ato kanë qenë të varura nga këta persona.

Ndonëse është nder të jesh polic i Kosovës, puna për mbrojtjen e qytetarëve qoftë në aspektin e sigurisë së lëvizjes, pronës dhe jetës, është kontribut i rëndësishëm personal pasi kërkohet vullnet dhe rrezikim i stabilitetit familjar.

Por, sa është mbrojtur polici ynë? Tridhjetekatër policisë të Kosovës janë vrarë deri më tash. Vetëm 14 nga ata policë janë klasifikuar të kenë pasur “vdekje në detyrë” pasi ishin vrarë nga kriminelët duke shkuar në punë ose gjetiu. Policia dhe institucionet vendore janë kujdesur vetëm pjesërisht për familjet e tre. Deri më tash ato kanë përfituar pagën baze, por ato nuk janë vizituar, nuk janë ndihmuar më tej dhe nuk është menduar asnjëherë për sigurinë e tyre. 

Në të njëjtën kohë, shumë nga këto familje jetojnë ende pa informacionin se kush ishin dorasit të cilët u morën jetën e më të dashurve të tyre, pasi sipas zyrtarëve “hetimet vazhdojnë”.

Kur i varrosim kolegët tanë, zakonisht e përdorim këtë deklaratë në polici: “Policia e Kosovës ka humbur një polic të dalluar që punonte më përkushtim dhe profesionalizëm të lartë. Ishte shembull për të gjithë se si duhet të punohet në vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit. Ne si polici e Kosovës do të bëjmë të pamundurën që aktorët e këtij akti makabër të vendosën sa më parë para drejtësisë”.

Sa e sa herë ky betim nuk është mbajtur.

Para disa ditësh u organizua një ceremoni për njëvjetorin e vrasjes së Arben Sejdiut i cili kishte qenë pjesëtar i policisë së Kosovës nga viti 1999 deri më 22 nëntor 2010 kur në fshatin e tij, Grabanicë të Klinës, u vra në rrethanat më mizore në ambientin familjar nga kriminelët.

Aty ishin shumë personalitete nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Kosovës, ndërsa emprorët policorë dhe Ministri e mbyllën ceremoninë me shumë lëvdata e deklarime. I ndjeri Arben Sejdiu nuk klasifikohet si i rënë në detyrë pavarësisht rrethanave të vrasjes dhe familja e tij nuk përfiton pensionin përkatës. Atëherë, a nuk është e turpshme kjo sjellje ceremoniale?

Si kjo familje ka edhe shumë të tjera që janë ngopur me lëvdata dhe fjalime të personaliteteve vetëm me rastin e përvjetorëve. Ata dëshirojnë të zbardhin këto vrasje dhe kërkojnë që të kenë një përkujdesje minimale insitucionale. Arben Sejdiu kishte lënë pas gruan me një fëmijë të vogël.

Njëzetë policëve të tjerë të rënë akoma nuk u është përcaktuar statusi “vdekje në detyrë”, sepse vrasja e tyre ka ndodhur në rrethana të pasqaruara ose klasifikohet si “vdekje aksidentale” gjatë orarit të punës.

Disa raste shkojnë ashpër kundër këtij kategorizimi.

Rreshteri Xhavit Muqolli ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës nga 1 janari 2002 në Stacionin Policor në Pejë deri sa është vrarë më datën 2 tetor 2004, në Pejë, në rrethana ende të pasqaruara.

Rreshteri  Selman Kuqi punonte që nga 23 teroti 2000 në Stacionin Policor të Pejës deri sa aksidentalisht gjeti vdekjen me veturën e tij private duke shkuar në shtëpi më 18 qershor 2006, pas përfundimit të një plani operativ policor ku kishte qenë gjatë tërë ditës.

Po ashtu, Bujar Thaqi ishte pjesëtar i policisë dhe ai humbi jetën duke shkuar në punë në qershor të këtij viti.

Bordi administrativ i policisë nuk ka përcaktuar statusin e tyre, dhe ata nuk janë edhe më tej të kategorizuar me “vdekje në detyrë”.

Më shumë se 120 pjesëtarë të policisë së Kosovës janë larguar nga radhët tona nga vdekja natyrore. Familjet e tyre janë harruara plotësisht ndonëse bijtë e tyre kontribuan me vite për sigurimin e hapësirës së përbashkët. 

Është koha për aksion nga institucionet tjera për të mbrojtur policinë dhe familjet.