Marrëveshjet që Favorizojnë Ndërmarrjet

Polica e Kosovës gjatë këtij viti ka bërë dy marrëveshje bashkëpunimi me ndërmarrjet publike, përkatësisht me Korporatën Energjetike të  Kosovës më 7 prill 2011 dhe Hekurudhat e Kosovës më 4 mars 2011. Policia obligohet t’u ofrojë shërbime asistimi atyre në rastet kur kanë nevojë, sipas marrëveshjeve, por mbetet të shihet se çfarë rezultatesh do të sjell zbatimi i tyre pasi duket se kjo vetëm sa është edhe një barrë shtesë për policinë e cila përballet me kushte të vështira edhe financiare edhe të diskriminimit të brendshëm të pjesëtarëve.

Në bazë të marrëveshjes me KEK’un, ndërmarrja ka shprehur interesim për bashkëpunim që do t’i krijojë asaj kushte të nevojshme për arritjen e synimeve të saj që kanë të bëjnë me sigurimin dhe furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike në tërë territorin e vendit. Sidomos marrëveshja ndërlidhet me objektivin e ruajtjes së rendit dhe qetësisë gjatë procesit të identifikimit të keqpërdoruesve të energjisë elektrike.

KEK’u obligohet t’i parashtrojë kërkesë me shkrim policisë për ndihmë policore, ndërsa në rrethana emergjente kërkesa paraqitet edhe në forme tjetër – ato i drejtohen stacionit policor në territorin e të cilit kërkohet ndihma dhe atë se paku 72 orë para fillimit të dhënies së ndihmës, me përjashtim të disa rasteve edhe më emergjente kur kjo bëhet edhe gojarisht .

Policia zotohet se do t’i përgjigjet çdo kërkese të KEK’ut dhe do t’i ofrojë ndihmë në kryerjen e detyrave, vetëm atëherë kur policia e Kosovës ka arsye për të besuar se siguria e punonjësve të KEK’ut gjatë kryerjes së detyrave mund të rrezikohet apo edhe prona e ndërmarrjes.

Policia, në bazë të planeve të veta operative dhe arsyetimit të vet mbi shkallën e rrezikshmërisë përkatëse, do të përcaktojë numrin e policëve, njësive adekuate, pajisjet dhe automjetet që do të kenë policia në rastet kur i ofrohet ndihma njësive të KEK’ut për kryerjen e punëve publike,dhe për ketë do to informojë personin kontaktues të KEK’ut së paku 24 orë para ofrimit të ndihmës.

Palët janë pajuar që të bëjnë përpjekje të akordohen për ditët qe do t’ju përshtaten të dy palëve sipas nevojave te tyre operative.

Sipas statistikave të lëshuara nga KEK’u, është rritur kapaciteti i saj për të mbledhur të hyra nga energjia e faturuar.

Marrëveshja me Hekurudhat e Kosovës po ashtu ka për qëllim bashkëpunimin në lidhje me fushat e caktuara të sigurisë si mbrojtja dhe sigurimi i pasurisë dhe keqtrajtimet ilegale të pronës publike.

Policia obligohet të mbështes Hekurudhat në rastet kur i rrezikohet pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme si dhe të përkrahë dhe t’i ofrojë siguri personelit të kësaj ndërmarrje gjatë punës në transportimin e udhëtareve dhe mallrave në rastet kur punëtoreve u ekspozohet kërcënimi nga udhëtaret dhe kushdo tjetër.

Hekurudhat duhet ta informojnë policinë me kohë për çdo rast të dyshimtë e që ka të bëjë me fushat e sipërpërmendura, pra më saktësisht dëmtim të infrastrukturës, vjedhjes së instalimeve dhe stabilimenteve të sinjalizimit, telekomunikacionit dhe energjetikes, prerjes dhe vjedhjes së kabllove të telekomunikacionit dhe atyre të energjetikes, shinave, halës së shenjave në vendkalimet në nivel që rrezikojnë në rend të pare qytetaret si dhe funksionimin normal të komunikacionit hekurudhor, identifikimin e të dyshimtëve për rastet në fjalë etj.

Që të dy këto marrëveshje, me KEK’un dhe Hekurudhat, janë shumë me rëndësi sepse përveç ndihmesës në kryerjen e shërbimeve publike edhe ndihmohet zbatimi i disa prej lirive elementare të njeriut. Pra, e drejta për të pasur rrymë dhe për të pasur liri të lëvizjes dhe transport publik. Sidoqoftë, duhet të punohet që në të njëjtën kohë të forcohet edhe pozita e policit.

Në rastin e hekurudhave, marrëveshja siguron që punonjësit e policisë se Kosovës të mund të shfrytëzojnë linjat e trenit falas gjatë shkuarje-ardhjes së tyre në punë.

Por, në realitet, në asnjërën marrëveshje, nuk përfillet rrezikimi i pjesëtareve të policisë në këto aktivitete shtesë, pra si kanosja dhe rrezikimi personal dhe kompensimi për mjetet që shfrytëzohen gjatë kryerjes së detyrave në mbështetje të, ta zëmë, punëtorëve të KEK’ut. Përkundrazi, punëtorët e KEK’ut të angazhuar në detyrat përkatëse gëzojnë të drejtën e rrezikshmërisë së lartë duke marrë 100 % të pagës për këtë dhe ndërkohë mbështeten edhe nga policia.

Faktet tregojnë për shumë rreziqe me të cilat policia është përballur, përfshirë kanosje, gjatë angazhimeve në mbrojtje të punonjësve të KEK’ut në Lipjan, Kamenicë, Prizren dhe komuna tjera. Madje, shumë punonjës të policisë kanë përfunduar me lëndime të shumta trupore.

Policët duhet të ndihmojnë rendin dhe të luftojnë kriminalitetin, por edhe shërbimi i tyre duhet konsideruar ashtu që të mos dalin gjithmonë si kategori e nënvlerësuar.