Kriteri Pozitiv Jo-Ligjor

Policia e Kosovës më 5 gusht 2011 shpalli konkurs për pranimin e zyrtareve policorë. Hartimi i kësaj procedure mbështetet në ligjin për policinë dhe parimin P3.18 të procedurave të rekrutimit të personave për punësim në polici.

Qëllimi i kësaj procedure është të përcaktojë procedura standarde për një administrim efikas dhe të drejtë të procesit të rekrutimit të kandidatëve për zyrtarë policorë në Policinë e Kosovës. 

Plani i punësimit është bazuar në strukturën organizative dhe është analizuar si një nevojë për plotësimin e pozitave në shumë sektorë të departamenteve dhe drejtorive policore. 

Kriteret për aplikim në PK janë të bazuara në ligjin për polici, por kandidatët kësaj radhe kanë pasur një kriter të veçantë të cilin ligji për policinë e Kosovës nuk e parasheh – kufizimin e moshës (kandidati duhet të jetë i moshës 18-30 vjeçare).

Me ligjin e policisë, kriteret themelore për të gjithë të interesuarit janë:

Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës, 

Të ketë të përfunduar shkollimin e mesëm, 

Të jetë në gjendje të mirë fizike, mentale dhe emocionale, 

Të mos jetë i dënuar për ndonjë vepër penale, 

Të ketë histori të kaluar me karakter të mirë, moral dhe sjellje etike.

Ky kriter i veçantë të cilin nuk e parasheh ligji, ndoshta në një mënyrë është pjesa më rëndësishme e konkursit, sepse Policia e Kosovës ka nevojë për kuadro të moshave të reja dhe jo ashtu siç ka ngjarë nga viti 1999 kur në atë kohë përzgjedhjen e kadetëve e bënte UNMIK’u dhe OSBE’ja, pa asnjë kriter. Sot policia e Kosovës ka 50 për qind të pjesëtarëve mbi moshën 50 vjeçare, pra, rrjedhimisht edhe vetëm 50 për qind në moshën adekuate për detyrat që zbatojnë. 

Të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e Policisë së Kosovës duhet t’i respektojnë rregullat e Policisë së Kosovës siç janë:

Shembulli i parë: Zyrtari policor duhet të jetë i vetëdijshëm se veprimtaria e tij nuk është vetëm çështje formale, si obligim që del nga Kushtetuta, ligjet, aktet nënligjore, se përgjegjësja e tij e nuk përfshinë vetëm një kuptim të ngushtë të të drejtave e detyrave për zbatimin e autorizimeve, por gjithashtu nënkupton vetëdijen për t’i kuptuar vlerat morale, etike dhe parimet tjera të cilat përcaktohen me ligjin për policinë.

Shembulli i dytë: Legjislacioni i policisë duhet të jetë në disponim të qytetarëve, i qartë, i saktë, në nivel të duhur, i mbështetur me rregulla të qarta të cilat gjithashtu duhet të jenë në disponim për qytetaret.

Shembulli i tretë : Personeli policor duke u bazuar ne kodin e etikës i nënshtrohet të njëjtit legjislacion si qytetarët e rëndomtë dhe përjashtim janë vetëm rastet e justifikuara me arsyet e punës policore në një shoqëri demokratike.

Sipas të dhënave, diku rreth 12,200 veta aplikuan në konkursin për zyrtarë policorë. Vlen të thuhet se ky është numër shumë i madh i qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët aplikuan për 120 vende pune. Prej tyre, 700 aplikantë nuk i përmbushnin kriteret për punësim në polici gjersa 11,465 kanë pasur të drejtë për t’ju nënshtruar testit me shkrim. Kjo do të thotë se vërtet  ka shumë të rinj të papunë të cilët edhe pas shkollimeve të tyre ndoshta nuk kanë mundur ta shijojnë profesionin e tyre adekuat.

Deri me tani përzgjedhja e kadetëve është bërë në mënyre profesionale duke u bazuar në kriteret të cilat parashihen në ligjin e policisë dhe sipas parimeve dhe procedurave të brendshme. 11,465 kandidatët i janë nënshtrohen testimit me shkrim më 22 dhe 23 tetor. Testi përbëhej nga 100 pyetje dhe ishte i dizajnuar ta vlerësojë kandidatin në fushën e njohurive të përgjithshme me 40 për qind, matematikë 30 për qind dhe gramatikë 30 për qind. 

Pas rezultateve përfundimtare, atyre të cilët e kanë kaluar testin do t’ju mundësohet testi fizik. Për t’i informuar më mirë në lidhje me përgatitjet e Policisë së Kosovës është mundësuar një broshurë me të gjitha informatat të cilat do t’u mundësojnë kandidatëve ta dinë se si do të mbahet ky testim.  

Sa prej tyre do ta kalojnë testin do të shihet në javën e ardhshme pasi grupi përgjegjës për kontrollimin e testeve ta ketë thënë fjalën e vet, në kuadër të administratës së Policisë së Kosovës. 

Për të gjithë ata të cilët do të dalin të suksesshëm, mirësevini në Polici!

Polici anonim do të paraqitet në këtë faqe me kolumnën e tij rregullisht, për çdo javë.