Ilustrim

Rifillon Gjykimi i Grupit të Narkotrafikantëve

Në Departamentin për Krime të rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të martën rinisi procesi gjyqësor ndaj gjashtë të akuzuarve, katër nga Kosova dhe dy nga Shqipëria për trafikim droge.

Altin Allushi, Ahmet Isufaj, Shpend Lilaj, Petrit Nikqi, Tonin Greme dhe Astrit Hasanaj, nga Prokuroria Speciale e Kosovës akuzohen të kenë vepruar si grup i organizuar kriminal gjatë muajit qershor të vitit 2011, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë së kundërligjshme financiare.

Prokuroria ngarkon të gjashtët për krim të organizuar dhe blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Sipas prokurorisë të akuzuarit Tonin Greme, Ahmet Isufaj dhe Shpend Lilaj më 19 qershor të vitit 2011 kanë hyrë në territorin e Kosovës nga pika kufitare e Morinit, ku janë takuar me Altin Allushin e Astrit Hasanajn, për të vazhduar rrugën me makinat  e tyre drejt shtëpisë së Petrit Nikqit në Pejë.

Për një shumë prej 1 mijë e 400 eurosh ata kanë bindur Altin Allushin që ta bëjë transportimin e lëndës narkotike, duke krijuar prapa tabelës së përparme të makinës së Allushit, një vend të fshehtë për drogën.

Substancën narkotike të tipit heroinë, të vendosur në dhjetë paketime, me peshë 4.925,17 gramë, të akuzuarve Greme, Isufaj e Lilaj, ua ka dorëzuar Petrit Nikqi.

Për këtë dyshohet se ai ka marrë 55 mijë euro, 5 mijë nga të cilat të njëjtën ditë ia ka dhënë Astrit Hasanajt.

Gjatë rrugës së hyrjes për në Shqipëri, më 19 qershor 2011, policia ka ndaluar Altin Allushin në fshatin Strellc të Deçanit, duke ia zbuluar brenda makinës drogën.

Të njëjtën ditë janë arrestuar në Prizren Shpend Lilaj, Ahmet Isufaj dhe Tonin Greme, ndërsa Petrit Nikqi e Astrit Hasanaj janë kapur në Pejë.

Të martën, të akuzuarit mohuan fajësinë, me përjashtim të Altin Allushit që deshi ta pranojë vetëm një pjesë të fajit, atë për transportim të substancës narkotike.

Kur kryetarja e trupit gjykues ia tërhoqi vërejtjen se fajësia ose pranohet e plotë, ose nuk pranohet fare, Allushi u deklarua i pafajshëm, me arsyetimin se nuk ka marrë pjesë në krijimin  e grupit kriminal.

Avokatët dhe të pandehurit u ankuan se procesi po ecën ngadalë. Të akuzuarit ndodhen prapa grilave nga 19 qershori i vitit 2011.

Shqyrtimi kryesor u shty për datën 15 maj, pasi mbrojtja propozoi të dëgjohet një dëshmitar i saj.