Kisha e Zojës së Letnicës | Foto: Rron Gjinovci

Shenjtërimi i Nënë Terezës Filloi në Kosovë

Besimtarët katolikë të Kosovës të komunitetit shqiptar dhe kroat po mblidhen në oborrin e Kishës së Zojës së Letnicës. Mesha e parë celebrohet në mëngjes. Kjo meshë organizohet një herë në javë në gjuhën kroate për komunitetin kroat që jeton në Letnicë. E megjithatë, nga Kroacia kanë ardhur edhe disa të tjerë të cilët dikur kanë banuar në Kosovë.

Fjalët e priftit kumbojnë në gjithë kishën ndërkohë që besimtarët përcjellin me devotshmëri ceremoninë.

Më vonë, prifti shërben edhe meshën në shqip për besimtarët shqiptarë të cilët nuk munguan as në mëngjes. Murgeshat kanë përgatitur një performancë të fëmijëve. Ata vallëzojnë të qeshur ndërkohë disa besimtarë, duke ditur se në të njejtën kohë në Vatikan, Papa Françesku po udhëheq meshën e kanonizimit të Nënës Terezë, qajnë të emocionuar.

Mesha në Kishën e Zojës së Letnicës | Foto: Rron Gjinovci
Mesha në Kishën e Zojës së Letnicës | Foto: Rron Gjinovci

Nën vështrimin e Zojës së Shenjtë, një statujë e gdhendur në dru të zi 400 vjet më parë në stilin e Mikelangjelos, mesha vazhdon sipas riteve të zakonshme, ndërkohë besimtarët thonë lutjet e tyre.

Pasi i japin njëri tjetrit dorën e i urojnë paqen, zakon ky i çdo meshe në kishën katolike, besimtarët i drejtohen pikturës së Nënës Terezë. Gratë dhe burrat preknin pikturën e Nënës Terezë. Fytyrat e tyre duken si të karaktereve të pikturave të mesjetës. Disi të ndrojtura e të gëzuara, por edhe të pikëlluara për jetën e gjatë e të devotshme të Nënës Terezë përbri të sëmurëve të shtrirë, të varfërve të zhveshur, të pambrojturve të lënë. Sot ajo është shenjtore, ata mund t’i luten asaj.

Në Vatikan, në sheshin e Shën Pjetrit mesha e shenjtërimit ka filluar. Nëna Terezë, 2 vjet pas vdekjes me procedurë të shpejtuar u beatifikua, dhe 19 vjet pas vdekjes, më 4 shtator 2016 po shenjtërohet.

Kupola e Kishës së Zojës së Letnicës | Foto: Rron Gjinovci
Kupola e Kishës së Zojës së Letnicës | Foto: Rron Gjinovci

‘Kishë mrekullibërëse’

Kisha e Zojës së Letnicës në komunën e Vitisë  filloi të ndërtohej në vitin 1866 dhe formën që ka sot ajo e mori në vitin 1930. Don Marian Lorenci, famulltar i Kishës së Zojës së Letnicës thotë se kjo kishë është mrekullibërëse.

“Kjo kishë është shumë e njohur, ishte e tillë edhe në Jugosllavi”, thotë Don Lorenci. “Njerëz nga të gjitha vendet kanë ardhur në këtë kishë për të gjetur shërim”, vazhdon ai.

Fama mrekullibërëse e kishës dhe Zojës së Letnicës, bëri që Nëna Terezë ta vizitojë në vitin 1928. “Atë kohë, në festën e kishës Nëna Terezë kishte ardhur për vizitë. Deri atëherë ajo s’kishte marrë vendim për t’iu dediku kishës. Këtu ajo dëgjoi thirrjen dhe filloi misionin e saj si murgeshë”, thotë Don Lorenci.

Një besimtare katolike ndalet para portretit të Nënë Terezës në Kishën e Zojës së Letnicës | Foto: Rron Gjinovci
Një besimtare katolike ndalet para portretit të Nënë Terezës në Kishën e Zojës së Letnicës | Foto: Rron Gjinovci

Sipas biografisë zyrtare të Vatikanit Nëna Terezë ishte dorëzuar murgeshë në vitin 1928 në urdhrin e Motrave të Loretos në Irlandë.

Pas thirrjes së parë kur ajo u dorëzua murgeshë ajo sipas biografisë zyrtare dhe shënimeve që ka lënë pas thuhet se në vitin 1946 ka dëgjuar “thirrjen brenda thirrjes” për ta themeluar urdhrin e saj të motrave në Kalkutë “Misionaret e Bamirësisë”.

Pas shumë aktiviteteve ajo u bë e njohur në gjithë botën. Në vitin 1979 fama e saj kulmoi me marrjen e çmimit Nobel për Paqe. Deri në vitin 1997 kur vdiq, Nëna Terezë përdori ndikimin e saj për të dhënë mesazhin e solidaritetit dhe ndihmës së të varfërve kudo në botë, me theks të veçantë në Kalkutë të Indisë ku hendeku mes të varfërve dhe të pasurve ishte vulgar.

Nëna Terezë ka frymëzuar gjeneratat e reja të misionarëve katolikë në gjithë botën. Motra Tereze Prekaj në kishën e Letnicës mban mend kur ka dëgjuar për herë të parë për Nënën Terezë. “Unë kam qenë 6 vjeçare dhe e mbaj mend kur e ka vizituar Zllakuçanin” ka thënë motra Tereze që mban emrin e njëjtë me Nënën Terezë. “Ajo ka qenë inspirim për mua, ajo na ka mësuar që të qenët murgeshë është diçka e lumtur dhe e mirë” sqaron e emocionuar motra.

Një besimtar vendos dorën mbi portretin e Nënë Terezës në Kishën e Zojës së Letnicës | Foto: Rron Gjinovci
Një besimtar vendos dorën mbi portretin e Nënë Terezës në Kishën e Zojës së Letnicës | Foto: Rron Gjinovci

 Një shenjtore shqiptare për të gjithë popujt

Kroatët e Letnicës janë po aq krenarë sa shqiptarët me Nënën Terezë. Edhe ata që ka vite që nuk banojnë më në Letnicë, vijnë nga Kroacia në ditë të shënuara për të celebruar meshat, dhe ditët e mëdha të Kishës. Ata janë krenarë me kishën e tyre dhe Nënën Terezë.

“Unë jetoj në Zagreb dhe kam ardhur për të celebruar shenjtërimin e shenjtës Nënës Terezë”, thotë Rozario Paliç. “Shenjtorja jonë, që sot u shpall e tillë, është me origjinë nga Kosova dhe për shenjtërinë e saj sot do të marrë vesh e gjithë bota”, vazhdon Paliç.

Me sytë e përlotur Paliç shpjegon se si kishte ardhur në Kishën e Zojës së Letnicës që kur kishte qenë I vogël. “Unë kam ardhur në këtë kishë qysh i vogël, jam i pagëzuar në këtë kishë dhe gjithmonë do të vij këtu…” thotë Paliç ndërkohë që nuk përmban dot lotët.

Besimtare të reja në moshë gjatë meshës në Kishën e Zojës së Letnicës | Foto: Rron Gjinovci
Besimtare të reja në moshë gjatë meshës në Kishën e Zojës së Letnicës | Foto: Rron Gjinovci

Don Marian Lorenci sqaron se për të është ditë e veçantë krenarie, jo vetëm si katolik, por edhe si shqiptar. “Ne falënderojmë Zotin që na e ka dhuru neve një shenjtore. Me anë të saj i kemi botës se ne kemi vlera të mëdha, ashtu siç i pati Nëna Terezë”, thotë Don Lorenci.

Por nuk janë vetëm katolikët shqiptarë që ndjehen krenarë me Nënën Terezë. Në Kosovë ku rreth 90% të popullsisë janë deklaruar muslimanë, dita e diel e 4 shtatorit është gati një ditë feste. Mediet kryesore transmetojnë drejtpërdrejt ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë ndërkohë në qytete të ndryshme të Kosovës janë zhvilluar aktivitete përkujtimore për Nënën Terezë.

Fehmi Ramadani, një burrë musliman thotë se është krenar për Nënë Terezën | Foto: Rron Gjinovci
Fehmi Ramadani, një burrë musliman thotë se është krenar për Nënë Terezën | Foto: Rron Gjinovci

Qyteti i Vitisë si komuna ku ndodhet Kisha e Letnicës ka organizuar transmetimin drejtpërdrejt të ceremonisë në teatrin e qytetit, anipse shumica e banorëve të Vitisë janë muslimanë.

Në fshatin Komogllavë, i cili ndodhet pak minuta me veturë nga Letnica, qytetarët po ashtu shprehin krenarinë me Nënën Terezë. Fehmi Ramadani, një burrë musliman rreth të 50-ave thotë se “ajo ka bërë veprime humanitare, dhe ajo ka treguar gjithmonë se është shqiptare”. Për të s’ka rëndësi feja, me rëndësi është veprimi që ajo ka bërë. “Ndjehem krenar, dhe shpresoj që në botë të ketë sa më shumë njerëz si ajo”.