Naim Ismajli. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arsyetimet e kryetarit të Shtimes për gjetjet e Auditorit dhe raportin e performancës komunale

Në debatin “Jeta në Komunë” kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, komentoi gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm.

“Në vitin 2019, Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se ka pasur të angazhuar vetëm një menaxher të projektit pra ke pasë pak menaxherë të projekteve dhe nuk është arritë me u pa që kompania nuk po kryen punë”, ishte gjetja e Auditorit të cilën Jeta Xharra i prezantoi kryetarit Ismajli.

“Jo vetëm një menaxher projekti, kemi pasur më pak. Auditori ka konstatu se një menaxher ka pasur shumë projekte përtej asaj që ka pasur shumë projekte. Por, Jeta, në komuna të vogla numri i inxhinierëve që na lejohet është shumë i vogël. Ne sot i kemi tre inxhinierë që janë të angazhuar, janë ata të cilët mbajnë barrën kryesore sepse në disa projekte janë aspekte të ndërtimit që vetëm inxhinierët e ndërtimit dhe arkitektët i dinë dhe ne ngarkojmë si mbikëqyrës, ne u japim nga një ndihmës mirëpo në fund për ta pranuar një projekt besimin e kemi të eksperti dhe në komuna të vogla kur kemi këtë numër të kufizuar të punëtorëve, kanë ngarkesë”, tha Ismajli.

Xharra pyeti Ismajlin nëse po mbikëqyren këto projekte.

“Jo, se në fund e kemi komisionin e pranimit, ku ngritet prej inxhiniereve të cilët në këtë rast kanë përgjegjësi dhe firmosja e tyre nënkupton se ata marrin barrën e përgjegjësisë nëse është kualitativ në rast se nuk del përgjegjësia e tyre është edhe individuale”, tha tutje Ismajli.

Një gjetje tjetër është edhe ajo e vlerësimit të pronave private.

“Flasim për vlerësimin e tatimit në pronë. Ka pasur ankesa dhe tash ka ankesa dhe me auditorin e kemi diskutuar nëse duhet të bëhet ky adresim në Komunë apo në Departamentin për Tatimin në Pronë në Ministri të Financave”, tha tutje Ismajli.

 

“Problemi është që Ministria e Financave ka kontraktuar një kompani që ka bërë vlerësimin e pronave në territorin tonë dhe vlerësimet edhe ne i kemi parë kanë qenë përtej vlerësimeve që janë real dhe kjo ka nxitur reagimin e qytetarëve sepse u bjen me pagu ma shumë”, shtoi tutje Ismajli.

Ai shtoi se Departamenti për Tatimin në Pronë është duke e trajtuar këtë çështje.

Komuna e Shtimes sipas Ministrisë së Pushtetit Lokal ka dalë e 12-ta sa i takon performancës komunale.

Ismajli arsyetoi 20 pikët e marra nga MPL në lidhje me mostransmetimin e seancave të Kuvendit Komunal të Shtimes në platforma online.

“Kuvendet Komunale në këtë rast janë të hapura për publikun. Çështjen e publikimit që ne e kemi që të bëjmë regjistrimin në web-faqen tonë ne e bëjmë, pjesa tjetër është interesi i mediave për me përcjell këtë. Këto i bëjmë në facebook, por zakonisht janë adresu se pse nuk ka një medium që i përcjell. Kërkesat kanë qenë dhe janë edhe të operatorëve dhe kuvendarëve që të kemi në vazhdimësi transmetime direkt nga mediumet. Me media duhet me bo konkurs sepse nuk mund të kemi preferencë për një medium të caktuar. Mediumet janë të lira që t’i përcjellin këto mbledhje”, tha Ismajli.

Në raportin e MPL-së, thuhet edhe se Komuna e Shtimes ka zero pikë për punësimin e personave me nevoja të veçanta.

“Zero është mund të jetë numri, por kemi disa raste edhe në sektorin e arsimit dhe pjesën e administratës që ka me nevoja të veçanta. Por nuk është i përmbushur komplet kriteri që është i nevojshëm”, tha Ismajli.

9 pikë nga 100 Komuna e Shtimes ka marrë për plan rregullues të qytetit.

“Mund të përfundon të gjitha punët dhe je në finale. Komuna e Shtimes është nga komunat e para që hartën e kemi punu, PZHK-në e kemi në fazën e fundit të aprovimit. Kemi aprovimin e parë të Ambientit dhe tash aprovimin po e presim nga Ministria e Planifikimit dhe pas kësaj do të vijë në kuvend, të hidhet në diskutim dhe pas diskutimit kthehet në kuvend për aprovim. Në fund të muajit dhjetor apo fundit të janarit do të ketë hartën zonale, PZHK-në  jo vetëm për qytetin por për tërë territorin. Deri në përfundim të janarit sepse punët i kemi përfundu janë aspektet procedurale të cilat i ka shtyrë pandemia dhe ministritë janë duke punuar me staf esencial. Po e shpjegoj që në një farë forme të dihet shkaktari. Kështu që ne vetëm jemi prej komunave që kemi pasur planin e qytetit dhe është aktiv”, tha Ismajli tutje.

Në debatin komunal përveç kryetarit Naim Ismajli të ftuar ishin edhe asamblistët e LVV-së, Ruzhdi Jashari e Besnik Seferi, asamblistja e PDK-së, Arbresha Syla si dhe përfaqësuesi i rinisë në Komunën e Shtimes, Resul Gashi.