Dragan Jabllanoviq, kryetar i Leposaviqit

Thyerja e Heshtjes së Veriorëve në “Jeta në Komunë”

Në debatin e transmetuar në RTK të dielën, e të drejtuar nga Sanja Sovrliq kryetari i Leposaviqit Dragan Jabllanoviq të arriturën më të madhe të komunës që drejton që dy vjet e konsideroi përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe lirisë së lëvizjes.

“Në dy vjetët e fundit numri i veprave penale është zvogëluar në mënyrë drastike. Tani, lëvizja është shumë më e lirë madje edhe drejt Kosovës Qendrore, pra si për institucionet, si për individët nga i gjithë territori i Kosovës që udhëtojnë më lehtë dhe më shpesh në Komunën e Leposaviqit dhe në përgjithësi në veri,” tha Jabllanoviq.

Ndryshe sipas tij në fillim të mandatit qëndroi puna me investimet kapitale. Kryetari e pranoi se në vitin 2014 u bënë shumë pak investime, pasi tha se në atë kohë komuna financohej nga buxheti i Serbisë me anë të Zyrës për Kosovën, ndërsa nuk mund të tërhiqte mjetet e BE-së që tha se duhej të merreshin nëpërmjet institucioneve kosovare.

Objektit të Kuvendit Komunal në Leposaviq i është shtuar një kat dhe ai po renovohet, por për këtë renovim dhe rindërtim nuk është kërkuar leje, ndërsa punimet janë ndërprerë pasi sipas Jabllanoviqit ka mosmarrëveshje mes serbësh, ndërsa 270 mijë eurot për këtë projekt nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk janë edhe pse ajo drejtohet nga Lubomir Mariq pjesë e të njëjtit sujekt me Jabllanoviqin.

Jabllanoviq në lidhje me ndërtimin pa leje të objektit komunal përmendi si arsyetim ligjet e Serbisë sipas të cilave nuk ka plane urbanistike për zona të vogla banimi. Ai tha se nga viti 1999 nuk është lëshuar asnjë leje ndërtimi në Leposaviq.

Por Zoran Todiq, kryetari i Kuvendit Komunal të Leposaviqit tha se nuk është e vërtetë që nuk lëshohen leje ndërtimi në këtë komunë.

“Gjatë gjithë këtyre viteve kush ka dashur të bëjë biznes të ligjshëm është obliguar të posedojnë projektin e ndërtimit, i cili paraqitet te Departamenti për Urbanizëm në Komunën e Leposaviqit, i cili e shqyrton projektin dhe lëshon një leje ndërtimi dhe vetëm atëherë mund të fillojë puna,” tha Todiq.

Jabllanoviq pastaj e tregoi arsyen pse objekti komunal në të cilin punët kanë mbetur në gjysmë nuk ka leje ndërtimi.

Nuk do të kemi leje ndërtimi, meqë lejet e ndërtimit duhet të merren nga institucionet e Kosovës. As ne, e as cilado komunë e veriut, nuk e kemi bërë akoma një gjë të tillë. Unë nuk do të jem i pari ta bëj këtë,” tha Jabllanoviq.

Ai u ankua se punimet në renovimin e objektit komunal janë ndërprerë për shkak të mosmarrëveshjeve mes serbëve dhe në një moment tha se nëse punimet nuk zhbllokohen kërcënoi se do të nisë ndonjë objekt të ri, për ta lënë këtë si përmendore të këtyre mosmarrëveshjeve.

Për bllokim punësh Jabllanoviq u ankua edhe në lidhje me renovimin e objektit të shtëpisë së shëndetit në Leposaviq. Tha se drejtoresha e kësaj shtëpie nuk po lejon zhvillimin e punimeve, ngase sipas saj ato nuk po i lejon Ministria e Shëndetësisë së Serbisë.

Kryetari i Leposaviqit përmendi edhe një pishinë për të cilën gjithashtu punët janë zvarritur. Kësaj here tha se fajet i kishte kompania e distribucionit të energjisë elektrike që nuk i hiqte disa shtylla elektrike.

Në sallën e Kuvendit Komunal të Leposaviqit përveç flamurit komunal ishte edhe ai i Serbisë, ndërsa kryetari i kësaj komune tërë kohën Kosovës ia shtoi në emër edhe metohinë, e në disa raste ai dhe asamblistët u shtynë mes vete se cili refuzon më shumë ligjet e Kosovës.