Shtëpitë e shkatërruara të risjellin në mendje betejën e 15 viteve më parë | Foto: BIRN

Fshati Maqedonas me Gjurmët e Konfliktit edhe 15 Vjet Pas

Shtëpitë me vrimat e plumbave dhe dënimet e bombave nëpër mure dhe dritare të risjellin në mendje betejën e egër të Haraçinës 15 vjet më parë, e cila e bëri këtë fshat dikur me etni të përzierë, rreth 10 kilometra në verilindje të kryeqytetit të Maqedonisë, Shkup, një nga simbolet e konfliktit të vitit 2001.

Luftimet midis policisë maqedonase, ushtrisë dhe kryengritësve shqiptarë nga Ushtria Kombëtare Çlirimtare, UÇK, tashmë e shpërbërë, u zhvillua midis 21 dhe 25 qershorit 2001 dhe në të përfshiheshin tanke, avionë ushtarakë dhe helikopterë të ushtrisë.

Të dyja palët pësuan humbje të mëdha, edhe pse numri i saktë i vdekjeve nuk është konfirmuar kurrë. Luftimet përfunduan me një marrëveshje të ndërmjetësuar të NATO-s për të lejuar evakuimin e 350 luftëtarëve të UÇK-së nga fshati para se forcat maqedonase mund të hynin në të.

Beteja për Haraçinës ishte konfrontimi i fundit i armatosur në shkallë shumë të madhe para nënshkrimit të marrëveshjes së paqes të Ohrit në gusht të vitit 2001 që i dha fund konfliktit, duke i dhënë më shumë të drejta shqiptarëve në vend, të cilët përbëjnë një të katërtën e popullsisë, në këmbim të shpërbërjes së UÇK-së kryengritëse.

Kryetari aktual Haraçinës Brahim Ajvaz, i cili ishte komandant i forcës rajonale mbrojtëse të UÇK-së gjatë konfliktit, tha se beteja ishte një episod i frikshëm për fshatarët vendas.

“Në vitin 2001, më shumë se 800 shtëpi u shkatërruan tërësisht, shumë prej tyre u bombarduan dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale. Pas luftës, Haraçina ka nisur gjithçka nga e para, njësoj si kur një fëmijë lind dhe mëson si të ecë,” tha Ajvaz për BIRN.

Para konfliktit, Haraçina kishte më shumë se 7,000 banorë, nga të cilët 500 ishin maqedonas etnik, por 15 vjet më vonë, ajo është një etnikisht homogjene, me kryesisht shqiptarë të vendosu aty.

Sipas Ajvazit, maqedonasit u larguan nga fshati për “arsye personale”.

“Deri në vitin 2001, në fshat kishte disa qindra shtëpi maqedonase. Tani ata kanë emigruar të gjithë në Shkup dhe qytete të tjera,” tha ai.

“Gjatë luftës, njerëzit e kuptuan se në fshat nuk kishte më një jetë të begatë dhe i shitën shtëpitë e tyre. Të gjithë të rinjtë e pranojnë se jeta në qytet është më e mirë,” shtoi ai.

Ai këmbënguli se frika nuk ishte arsyeja pse maqedonasit nuk dëshirojnë të kthehen në Haraçinë.

“Si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët janë larguar nga fshati gjatë luftës. Maqedonasit kanë ende kishën e tyre këtu. Askush nuk i ndalon ata të rikthehen, të nisin një punë dhe të jetojnë në paqe në fshat,” tha ai.

Kryetari aktual i Haraçinës Brahim Ajvaz | Foto: BIRN
Kryetari aktual i Haraçinës Brahim Ajvaz | Foto: BIRN

Maqedonasit “jo të mirëpritur”

Megjithatë, maqedonasit kanë një tjetër këndvështrim.

Njëra prej tyre, Jana Petrushevska, tha se nuk është e vërtetë që maqedonasit u larguan nga shtëpitë e tyre, sepse iu duk më tërheqëse jeta në qytet.

“Sa herë shkoj në Haraçinë, qaj. Nuk ka ngelur asgjë nga shtëpia ime, asnjë fotografi e fëmijëve të mi, asgjë nga ato që kam blerë përgjatë viteve, asnjë mobilie…,” tha Petrushevska për BIRN.

“Pas luftës, jetova në një strehim publik shtetëror për 13 vjet me radhë. Si mund të preferoja këtë, kur në Haraçinë kisha një shtëpi 200 metra katrorë dhe një oborr të pasmë prej 2,000 metrash katrorë?” pyeti ajo.

Petrushevska, shtëpia e të cilës u shkatërrua gjatë luftimeve, tha se ajo nuk ka ndërmend të kthehet në Haraçinë, sepse nuk do të ndihej e sigurt atje, edhe pse ajo ka ende në pronësi shtëpinë ku dikur ndodhej shtëpia e saj.

“Pas përfundimit të luftës, më shumë se 20 shtëpi maqedonase u dogjën në Haraçinë. Edhe sikur të vendosësh të kthehesh atje dhe të rinovosh shtëpinë, dikush mund të ta djegë atë. E kupton që nuk je i mirëpritur atje,” shpjegoi ajo.

Sipas një studimi të publikuar vitin e kaluar nga Instituti i Antropologjisë në Universitetin e Shën Kirilit dhe Metodit në Shkup, Maqedonia ka ende rreth 600 njerëz të zhvendosur brenda vendit nga konflikti që bëri që 76,000 persona të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Pjesa më e madhe prej tyre tani jetojnë në apartamente me qira dhe qiraja e tyre financohet pjesërisht nga shteti.

Në janar të këtij viti, BE-ja nisi një projekt në Maqedoni që synonte integrimin e refugjatëve, njerëzit e zhvendosur brenda vendit dhe grupet e minoritetit, i cili ndër të tjera synon që brenda një periudhe prej 18 muajsh të inkurajojë planet zhvilluese lokale dhe forcimin e burimeve institucionale për përkrahjen e tyre.

Një nga qëllimet e tij kryesore është të trajtojë problemet ekomonime me të cilat ata përballen dhe të zhvillojë aftësitë e tyre, në mënyrë që ata të fillojnë më lehtësisht punë dhe të rindërtojnë jetët e tyre. Megjithatë, projekti i BE-se nuk fokusohet në ndihmimin e njerëzve të zhvendosur brenda vendit që ata të rikthehen në shtëpitë e tyre të mëparshme.

Fundi i konfliktit nuk solli begati për fshatin tashmë me popullsi shqiptare | Foto: BIRN
Fundi i konfliktit nuk solli begati për fshatin tashmë me popullsi shqiptare | Foto: BIRN

Vazhdojnë problemet ekonomike

Fundi i konfliktit nuk garantoi begati për Haraçinën tashmë të banuar nga shqiptarët, e cila ngelet një fshat i varfër.

Kryetari i komunës, Ajvaz, tha se që nga viti 2001, vendasit janë përpjekur ta ndihmojnë fshatin “të ngrihet në këmbë”, por kanë hasur mungesë mbështetje nga qeveria qendrore.

“Problemi më i madh është se Haraçina ende nuk ka një kanal ujërash të zeza. Ky nuk është fshat i vogël, ai ka rreth 3,000 shtëpi. Ky është një turp i madh për njerëzit që qeverisin vendin,” tha ai.

Ajvaz tha se buxheti vjetor i komunës prej 200,000 eurosh ishte i papërshtatshëm.

“Me ato para s’e dimë nëse duhet të asfaltojmë rrugët apo të rinovojmë shkollat. Ndërtimi i një stacioni pompimi dhe një rrjeti kanalizimesh prej 20 km përreth fshatit kushton 3 milion euro, para që komuna nuk i ka,” shpjegoi ai.

Një fshatar, një 30 vjeçar inxhinier elektronik që tha se quhej Xhemo, gjithashtu fajësoi qeverinë se s’ka bërë shumë për të përmirësuar cilësinë e jetës të banorëve të mbetur në Haraçinë.

Ai u shpreh se arsyeja e vetme për këtë mund të jetë se popullsia e fshatit është e gjitha shqiptare.

“Është e vështirë të hapësh një kompani apo dyqan, institucionet shtetërore nuk na ndihmojnë dhe procesi i punësimit në administratë është tërësisht i motivuar politikisht,” tha ai.

Përveç famës së tij si një nga fushëbetejat e konfliktit të vitit 2001, shumë maqedonas etnikë e lidhin gjithashtu fshatin me shmangien e taksave.

Xhemo tha se kjo nuk ishte e drejtë, sepse shkaku i problemit ishte varfëria. Bizneset e vogla në fshat e kishin të vështirë të paguanin taksat, sepse atyre mezi u dalin të ardhurat për vete, tha ai.

“Nuk janë në gjendje të paguajnë një kasë, duke qenë se nuk nxjerrin aq shumë para,” tha ai.

Pesëmbëdhjetë vite pas betejës së Haraçinës, fshati mund të jetë i qetë, por problemet e tij ekonomike, si edhe gjurmët e luftës, janë mëse të dukshme.