Foto: Facebook/Komuna e Prishtinës

‘Blej Shqip’: Panairi i Turshisë dhe Marrëzisë

Shpresa ka rreshtuar disa shishe rakie “të bërë vetë” si dhe disa të tjera me vaj ulliri të po të njëjtës origjinë, pa etiketa dhe në enë gjenerike, mbi një tryezë prej druri kompozit në panairin “Blej Shqip” në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

“Është një ditë e veçantë për mua dhe të gjithë prodhuesit shqiptarë që ndodhemi këtu”, thotë ajo buzagaz ndërsa një përskuqje e lehtë i merr faqeve. Ajo tha se ishte nga Shqipëria, ndërsa pak metra më tutje, një shitës nga Kosova që nuk deshi ta thotë emrin qëndron pas një pirgu kavanozësh me turshi, gjithashtu pa etiketë.

Pasi pyetet përse malli i tij nuk i përmbahet kritereve ligjore për t’u tregtuar, nuk lejon të bëhen foto dhe qëndron kërcënueshëm, me fytyrë të zbehtë dhe duar në xhepa pranë një flamuri shqiptar prej letre. Të tillë ka shumë në panairin patriotik, krahas tullumbaceve dhe qelesheve me shqiponjën dykrenore të Ballit Kombëtar.

Tregtimi i produkteve pa etiketë dhe pa kontrollet përkatëse nga autoritetet e sigurisë ushqimore në Kosovë dhe Shqipëri është i ndaluar me ligj, por me rastin e ahengjeve të 28 Nëntorit, ditës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga gërmadha e Perandorisë Osmane, tregjet e përvitshme të çikërrimave pa kontroll pushtojnë qendrën e kryeqytetit të Kosovës.

Në këtë moment të shënuar për kombin në vitin 1912, morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Në panairin e Prishtinës që përkujton këtë ditë të shënuar morën pjesë mbi “mbi 120 prodhues nga të gjitha trevat shqiptare”, sipas deklaratave publike nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Republikës së Shqipërisë.

Foto: Facebook/Komuna e Prishtinës
Foto: Facebook/Komuna e Prishtinës

Më shumë se një shekull më parë, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur. Sot, si pjesë e nderimeve të kësaj dite në Prishtinë, rezultati janë disa shatorre ku spikatin kavanoza reçeli dhe mjalti, shishe rakie, produkte bulmeti dhe veshje leshi të prodhuara me dorë.

Këto të fundit që gjenden në dy-tre kënde të panairit, ndahen në disa kategori, ku kryesoret janë çorapet, dorezat, shallet dhe torbat. Një grua e moshuar nga veriu i Shqipërisë shiste edhe brekë të gjata leshi. Në një vizitë të dytë të panairit në mbrëmje, brekët e leshit ishin shitur të gjitha, ndërsa nga çorapet dhe të tjerat kishte ende me bollëk.

Krahas emblemave të përçudnuara kombëtare dhe efigjive të heronjve, nga Skenderbeu te Ismail Qemali, turshia dhe rakia janë në fakt, kryefjala e këtij panairi, dhe është e pamundur që në çdo shatorr të mos gjenden të paktën një apo dy kënde ku tregtohen këto produkte universalisht ballkanase.

Në fakt, turshi të mirë gjen në Maqedoni të prodhuar nga firma sllave, në Bosnjë, në Serbi, në Slloveni e kudo tjetër. E njëjta vlen për varietet e rakisë dhe reçelit, ndaj është e paqartë përse këto produkte përfaqësojnë krenarinë e prodhimeve shqiptare.

Turshi joshqiptare që duket si turshi shqiptare | Foto: Facebook

Nuk pashë – çka nuk do të thotë se domosdoshmërisht nuk kishte – gliko (lloj reçeli) të zonës së Korçës, raki dëllinje që prodhohet në disa zona të Shqipërisë, apo raki mani, nga ajo që edhe fqinji im Seferi prodhonte jo dhe aq fshehtas ne fund të viteve ’80 kur rrënoja e sistemit komunist shqiptar po rrëshqiste pa frena drejt rrëzimit emblematik të statujës cikllopike të Enver Hoxhës në Tiranë.

M’u kujtua që në një panair të ngjashëm një vit më parë, bashkë me miq kishim blerë një raki vishnje nga një prodhues i njohur kosovar, me etiketë që reklamonte se produkti ishte 100% nga fruti dhe “pa sheqer të shtuar”. E blemë dhe shkuam në banesën time për t’u ngrohur me të dhe nostalgjinë e këngëve të vjetra nga Shqipëria dhe Kosova.

Ishte hera e parë në jetën time që kisha ‘hangover’ – dhimbje koke dhe etje të madhe – ndërsa isha ende duke pirë dhe jo në zgjimin e së nesërmes siç ndodh zakonisht. Më kujtohet që të paktën tre persona, shqiptarë festues të 28 Nëntorit, u habitëm nga ky helm dhe u ndjemë si pjesëtarë të një sekti vetëvrasës pa dëshirën tonë. Për hir të përvojës personale, shanset që të hasësh në raki të keqe apo shumë të keqe, janë më të mëdha në Shqipëri sesa në Kosovë.

Foto: Facebook/Komuna e Prishtinës
Foto: Facebook/Komuna e Prishtinës

Gjithashtu, përvoja shërbeu si kujtesë se në vende si Shqipëria dhe Kosova, ku autoritet e sigurisë ushqimore jo rrallë herë janë përballur me skandale e kritika për punën e tyre, edhe produktet e ‘ligjshme’ përbëjnë rrezik potencial për konsumatorin. Ndaj, tingëllon sa patriotike aq edhe cinike t’u bësh thirrje popujve përkatës të zotohen për “Blej Shqip” në kushte të tilla.

Duke ecur poshtë tendave të mëdha, mes turmave të vizitorëve të pangazëllyer nga spektakli i “mbi 120 prodhuesve nga të gjitha trevat shqiptare”, duhet të bëje kujdes të mos përplaseshe me trarët metalikë të ulura në lartësinë e fytyrës që mbanin disa prej shatorëve, apo të mos pengoheshe mbi disa të tjerë të ngritur në lartësinë e gjurit.

Ironikisht përbri këtyre kurtheve, jashtë tendave, në tezga të improvizuara mbi kuti kartoni, valëviteshin në erën e ftohtë flamuj të “Shqipërisë së Madhe” sipas variantit të Ballist Morinës, me mbishkrimin “Autochthonous”, pa drone, por në shkelje të hapur të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo e fundit, me pak fjalë, thotë që kufijtë janë skalitur në beton dhe se asnjë territor nuk ka gjasa të bashkohet me atë të Kosovës.

Ishin ekspozuar edhe disa kostume kombëtare të një cilësie të mirë, krahas disa të tjerave të një cilësie mediokër. Në po të njëjtin kënd kishte edhe ëmbëlsira dhe çikërrima të tjera tërheqëse, nga ato që i gjen në dyqanet për turistë në Kosovë dhe Shqipëri. Ndër ato pak shërbime për t’u lavdëruar ishte ofrimi i pijeve të ngrohta, përfshi verën, në disa shtëpiza prej druri, ku në një sosh kishte mbishkrime të këndshme në gjuhën gjermane.

Foto: Facebook/Komuna e Prishtinës
Foto: Facebook/Komuna e Prishtinës

Është e pashmangshme të mendosh sesi krenaria e ‘muskujve prodhues të shqiptarisë’, të paktën në këtë panair nacionalist është reduktuar në prodhime të konservuara dhe fermente e distilate, apo benevrekë të punuara me dorë. Nëse kjo ekspozitë rurale është vërtet përfaqësuese e prodhimit të përbashkuar shqiptar, nuk duhet të ketë më pikëpyetje as për deficitetet tregtare multimilionëshe të Kosovës e Shqipërisë e as për ekonomitë rrangalla të vendeve përkatëse.

Por në një nivel më kontekstual, teksa sheh turmat që vërtiten në këtë shfaqje prej tregu të zgjeruar të ditës së diel, nuk mund të mungojnë pyetjet për mungesën e një qasjeje sadopak kuratoriale apo së paku të një estetike bazike, që duhet të ishte ofruar nga qeverisjet përkatëse progresiste qendrore dhe vendore, të Shqipërisë nga njëra anë dhe të Prishtinës në tjetrën.

Në panair ishin ekspozuar edhe qilima dhe mbulesa orendish, nga ato që në Shqipëri quhen “çentro”. Ndonëse nuk mungonin motivet kombëtare, disa prej çentrove kishin relieve të qarta orientale, ndërsa shumë prej qilimave ishin nga ato gjenerikët me lule të mëdha pa ndonjë prekje të veçantë “Autochthonous”, apo disa që paraqitnin përpunime të vendeve nordike.

Sapo kalova disa qilima nordikë dhe të tjerë osmanlinj, pashë një çift të rinjsh nga Berati që rastësisht më parë më kishin kërkuar t’u bëja një foto. Ata po ecnin kapur për dore para meje, ndërsa unë i ndiqja ngadalë me një vuajerizëm prej profesionisti. U ndalën para një tezge me mjaltë dhe panë nga afër një kavanoz, sigurisht pa etiketë. E lanë përsëri në vend dhe shikimet na u takuan. “Si po duket?” pyeta unë. “Mjalti apo panairi?” tha djali. Pa pritur përgjigjen time, ai bëri një shenjë “OK” me gishtin e madh duke e plotësuar veprimin me një ngërdheshje false. U ndamë në drejtime të kundërta, drejt skajeve të ndërsjella të panairit.

Kur më në fund dola prej shatorreve e drejt e në erën e fortë të kësaj mbrëmjeje të akullt, për të marrë majtas drejt kafenesë Dit’ e Nat’, një qen më zuri rrugën duke vallëzuar ‘break dance’ sipas disa tingujve 16 bit që ai vetë i lëshonte përmes një arene dritash LED të kuqe dhe të kaltra që i dilnin nga sytë.

Ishte nga ato lodrat kineze me bateri, dhe shitësi që e komandonte i lumtur nga tezga e tij e improvizuar, gjithashtu shiste flamuj kombëtarë të të gjitha varieteteve. Mes tyre, në gjysmerrësirë, arrita të shquaj një bust të Skënderbeut punuar në dru. Heroi qëndronte stoik. “Gëzuar Ditën e Flamurit”, thashë automatikisht.

“Gëzuar shqipe”, u përgjigj shitësi. Dy policë kaluan përbri buzagaz duke kthyer kokët nga ne, ndërsa unë nxitova drejt sigurisë së një çaji të nxehtë dhe një rakie me vend origjine të dyshimtë, aty ku në këtë orë dëgjohet muzikë xhaz.

Në veshë më buçisnin daullet e një hareje të paqenë, krahas brohoritjes përsëritëse “O sa mirë me qenë shqiptar, o hej, o hej”. Por nuk kishte pasur asnjë daulle, ndërsa ritmet festive dhe brohoritjet ishin thjesht pjellë e fantazisë sime. Marrëzia e turshisë nacionaliste nuk ishte.