(Arkiv) Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krerët e partive opozitare urojnë qytetarët për 28 Nëntorin

Liderët e tri partive opozitare, PDK, LDK e AAK, kanë uruar qytetarët në 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se sot do të qëndrojë në Shqipëri, ndërsa ka thënë se ditën e ka nisur me një vizitë të Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit për të nderuar patriotët shqiptarë, të cilët frymëzuan luftën për liri e shtet të pavarur shqiptar.

Ndërsa, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo datë historike u fitua me sakrificë, teksa tha se në po këtë ditë kujtojnë lindjen e një kombi të lirë dhe të pavarur.

“Kjo datë, mban emrin e Ismail Qemailit bashkë me patriotët e tjerë, që shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Sot, e kujtojmë dhe Presidentin historik, Ibrahim Rugova, që me idenë dhe bërjen e shtetit të Kosovës, e plotëson këtë ditë të madhe. E kujtojmë komandantin legjendar, Adem Jashari, sakrifica e të cilit është shembull për mbrojtjen e pragut të shtëpisë”- ka shkruar ai.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar popullin shqiptar me rastin e 28 Nëntorit.

Haradinaj përmes një urimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se janë të rrallë popujt që e kanë të mbushur kalendarin me data e ngjarje historike si populli shqiptar.

Sot festohet 111-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.