Zv.kryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, Foto: KALLXO.com

Reagon edhe Emilija Rexhepi për subvencionet e Qeverisë për komunitetet: Janë dhënë për organizata të panjohura dhe të dyshimta

Ndaj mënyrës se si janë shpërndarë subvencionet e Qeverisë së Kosovës përmes Zyrës për Çështje të Komuniteteve për organizata joqeveritare nga radhët e komuniteteve pakicë, ka reaguar edhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, duke thënë se këto subvencione janë shpërndarë për organizata të panjohura dhe të dyshimta.

Në fillim të muajit gusht, këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti, Elizabeth Gowing, kishte dhënë dorëheqje nga Zyra për Çështje të Komuniteteve duke thënë se ndarja e mjeteve financiare u bë për disa organizata joqeveritare të cilat nuk kanë punë me bazë në komunitet.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Rexhepi ka thënë se i njejti problem me subvencionet për komunitete ka qenë edhe gjatë vitit të kaluar.

“Të njëjtin problem e kishim edhe vitin e kaluar kur u shpërndanë më shumë se 1 milion e 500 mijë euro, gjithashtu pothuajse të gjitha OJQ-të shqiptare dhe organizatat e panjohura shumë të dyshimta morën grante të mëdha. Pastaj kërkova që të anulohet dhe rishpallet konkursi për komunitete por nuk u bë asgjë. Tani gjysmë milioni shkuan përsëri në organizata të panjohura, të dyshimta, që është shumë e gabuar” – ka thënë Rexhepi.

Tutje, ajo ka thënë se është stafi i administratës që ka bërë përzgjedhjen e OJQ-ve dhe sipas saj, stafi politik nuk ka të bëjë asgjë me përzgjedhjen.

Rexhepi ka thënë se tash e dy vjet është duke marrë ankesa nga shoqëria civile e të gjitha komuniteteve pakicë, për mënyrën se si po ndahen mjetet e subvencioneve të dedikuara për ta.

“E gjithë shoqëria civile e të gjitha komuniteteve kanë reaguar tek unë, me të cilët jam në komunikim të vazhdueshëm. Këtë problem e kam ngritur në publik prej dy viteve, jo vetëm tani. Të gjithë ishin në dijeni, madje reaguan edhe deputetët tanë në parlament” ka thënë ajo për KALLXO.com.

Qeveria: Nuk është shqyrtuar asnjë aplikacion që nuk ka të bëjë me komunitete

Në anën tjetër Zyra për Çështje të Komuniteteve (ZÇK) që vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ka thënë se nuk është shqyrtuar asnjë aplikacion që nuk ka të bëjë me komunitete.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ZÇK thotë se nga opinionet ligjore që kanë kërkuar, është theksuar se “se nuk është shkelur kjo Rregullore dhe se kriteri që ka kërkuar këshilltarja e jashtme politike [Elizabeth Gowing] nuk mund të vendosej si kriter shtesë sepse atëherë me të vërtetë do të kishte shkelje”.

“Pas vlerësimit të kërkesës së këshilltares së jashtme të Kryeministrit, ne kemi kërkuar opinione ligjore nga zyra ligjore por edhe nga MF që e ka hartuar këtë Rregullore. Në dy opinionet që kemi marrë është theksuar se nuk është shkelur kjo Rregullore dhe se kriteri që ka kërkuar këshilltarja e jashtme politike nuk mund të vendosej si kriter shtesë sepse atëherë me të vërtetë do të kishte shkelje. Komisioni ka vazhduar punën dhe lista preliminare është shndërruar në listë përfundimtare sepse të gjitha ankesat e organizatave janë shpallur të pa bazuara dhe si e tillë lista që ka qenë e  publikuar ka mbetur e pa ndryshuar edhe pas afatit të ankesave”- shpjegon ZÇK.

Por në anën tjetër, organizatat e shoqërisë civile që përfaqësojnë pakicën serbe të Kosovës i kanë kërkuar Qeverisë të anulojë vendimin që jep 500 mijë euro fonde për organizatat që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë pas dyshimeve që u ngritën javën e kaluar se si u zgjodhën përfituesit.

OShC-të deklarojnë se ndarja e fondeve, ka shkelur rregullat procedurale dhe administrative dhe “obligimet e institucioneve për të respektuar të drejtat e komuniteteve joshumicë”.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të anulojë rezultatet e kësaj thirrje publike dhe të shpallë një të re, e cila do të demonstrojë aftësinë për të respektuar pa dallim ligjin dhe qytetarët nga komunitetet joshumicë, të drejtat e të cilëve shpesh nuk respektohen”- janë shprehur 11 organizata në një deklaratë të përbashkët.

Anëtarë të Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikacioneve kanë qenë Besart Tasholli -kryesues; Qerim Berisha; Ekrem Ahmeti; Alutrim Dërmaku; Arben Elshani – anëtarë dhe Bleta Cana anëtare rezervë.

Pretendimet se organizatat e zgjedhura nuk kanë të bëjnë me komunitete, Zyra për Çështje të Komuniteteve argumenton se nuk është shqyrtuar asnjë aplikacion që nuk ka të bëjë me komunitete. Ata shtojnë se pretendimi që këto organizata janë të komunitetit shumicë dhe nuk do të duhet të fitonin, nuk qëndron.

“Nuk është shqyrtuar asnjë aplikacion që nuk ka të bëjë me komunitete, përndryshe komisioni i ankesave do të reagonte dhe do merrte masa dhe vendime sipas legjislacionit në fuqi. Kanë përfituar organizata që gjithmonë janë marrë me komunitete dhe kanë përvojë në këtë fushë. Pretendimi se këto organizata janë të komunitetit shumicë dhe nuk do të duhet të fitonin nuk qëndron sepse këto organizata kanë punuar ndër vite me komunitete dhe kanë qenë përfituese edhe në të kaluarën”- thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunitete.

Sipas tyre, lista preliminare është shndërruar në listë përfundimtare pasi janë përfunduar të gjitha procedurat e ankesave dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim dhe është e njëjta listë që është e publikuar në faqen e Zyrës së Kryeministrit.

Ky subvencion i Qeverisë është ndarë në tri kateogri. Kategoria e parë ka qenë ‘Punësim’ dhe janë ndarë gjithsej 298 mijë euro. Kategoria e dytë kanë qenë ‘Mediat’ dhe janë ndarë 50 mijë e 100 euro. Ndërsa kategoria e tretë kanë qenë ‘Aktivitetet Kulturore’ dhe janë ndarë për këtë kategori 56 mijë euro.

Sipas ZÇK-së pa u shpenzuar kanë mbetur 70 mijë euro, ndërsa kontratat me organizatat përfituese tashmë janë nënshkruar.

Ndarja e subvencioneve po hetohet edhe nga Avokati i Popullit 

Dyshimet se si janë ndarë mjetet e subvencionit për Komunitetet pakicë në Kosovë është duke i hetuar edhe Institucioni i Avokatit të Popullit.

Kjo pasi ky institucion ka pranuar dy ankesa në lidhje me këtë rast.

“Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar dy ankesa në lidhje me çështjen në fjalë. Avokati i Popullit ka nisur hetime sipas ankesave të lartpërmendura” – kanë thënë për KALLXO.com.

Sipas përgjigjes, Avokati i Popullit pas përfundimit të hetimit dhe konstatimit se ka pasur shkelje ose shpërdorim të autoritetit, në varësi të rrethanave, mund të lëshojë një letër intervenimi ose një raport për rastin për palën përgjegjësi, ku përfshihen rekomandimet për masat e duhura të cilat duhet të ndërmerren brenda një afati të caktuar kohor.

Këshilltarja e kryeministrit Kurti, Elizabeth Gowing, pasi kishte dhënë dorëheqje nga Zyra për Çështje të Komuniteteve, kishte thënë se puna në këtë zyrë ishte e pamundur, sipas saj, për shkak të stafit civil brenda.

Por, Gowing tha se do të vazhdojë të jetë këshilltare e kryeministrit Kurti.

“Çka ndryshon është mundësia për mua me vazhdu bashkëpunim me Zyrën për Çështje të Komuniteteve (ZCK) e përbërë nga stafi civil që e kam gjetur aty dhe që funksionon brenda Zyrës së Kryeministrit” – ka thënë ajo.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, përkatësisht Zyra  për Çështje të Komuniteteve, publikoi më 10 korrik 2023 një listë me emrat e organizatave joqeveritare dhe mediave, të cilat kanë përfituar mbështetje financiare për projektet ose programet për ngritjen e nivelit të punësimit të pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë.

KALLXO.com kishte raportuar se pjesë e mediave që përfituan nga thirrja e 21 majit 2023 ishin edhe disa media online që nuk janë pjesë e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), organ ky vetërregullues i mediave elektronike në vend.

Ndarja e fondeve për OJQ dhe media, këshilltarja e Kurtit jep dorëheqje nga Zyra për Çështje të Komuniteteve