Qeveria “Paralajmëron” Ndëshkim për Anëtarësimin e Nxënësve në PDK

Nxënësit e Gjimnazit Sami Frashëri në Prishinë kishin dalë si zakonisht në pushim të gjatë në orën 9 e 40 minuta. Por, të premten para tyre ishin shfaqur fletë-anëtarësime të partisë në pushtet, Partisë Demokratike të Kosovës.

Nxënës të gjimnazit lobonin që edhe kolegët tjerë të tyre të bëheshin pjesë të partisë së udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi.

“Unë kam qenë në korridor në atë moment dhe e kam parë atë interesim të nxënësve”, thotë  F.K., nxënësja e cila edhe i kishte bërë fotot e flet-anëtarësimeve.

Fotot më vonë do të shpërndaheshin në rrjetin social “Facebook”.

Ajo tregon se si disa nga shokët e saj edhe kishin nënshkruar flet-anëtarësimin dhe se u kërkohej të kishin letërnjoftimin me vete.

“Unë kamë qenë në korridor në atë moment dhe e kam parë atë interesim të nxënësve. F.K.

Por kujdestari i klasës ku ishin nënshkruar fletë-anëtarësimet, Haxhi Meta, thotë se nuk ka qenë i informuar për këtë veprim të nxënësve të klasës së tij.

“Unë tani po njoftohem për këtë”, thotë Meta.

Ai thotë se kjo është e palejueshme pasi që, sipas tij, askush nuk ka të drejtë dhe nuk dhe nuk guxon të sjellë frymën politike në institucionet shkollore.

Edhe Osman Beka, drejtor i gjimnazit, thotë se të premten nuk ka qenë në dijeni se çfarë po ndodhte brenda objektit shkollor.

 “Për besë unë përmes mediave jam informuar”, thotë ai, duke e dënuar një veprim të tillë që, sipas tij, është vetëm propagandë politike.

“Të hënën besoj që do ndërmarrim diçka pasi që veprime të tilla nuk i lejojmë të ndërhyjnë në procesin mësimor”, tha Beka.

I sigurt që do të ndërmerren masa është edhe kujdestari Haxhi Meta.

“Të hënën besoj që do ndërmarrim diçka pasi që veprime të tilla nuk i lejojmë të ndërhyjnë në procesin mësimor. Osman Beka

Udhëzimi Administrativ i MASHT-it për masat që një institucion duhet të ndërmarrë në rast se nxënësit bëjnë shkelje edukativo- disiplinore specifikon se duhet të jepen Vërejtje me gojë, Vërejtje me shkrim, Pezullim i përkohshëm nga garat, ekskursionet, vizitat, shëtitjet, Pezullim i përkohshëm deri në 3 ditë, Pezullim i përkohshëm deri në 1 muaj si dhe Pezullim më shumë se 1 ( një) muaj.

Për shqiptimin e këtyre vërejtjeve, sipas këtij udhëzimi, kompetent është kujdestari i klasës.

Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Musatafa, thotë se veprimet që kanë ndodhur të premten janë rreptësishtë të ndaluara.

“ Ligji rreptësisht e ndalon një gjë të tillë dhe ne vetëm po presim se çka do të ndërmarrë shkolla dhe Drejtoria e Arsimit në Prishtinë”, tha Mustafa.

Ai  shtoi se nëse këto dy të fundit nuk ndërmarrin asgjë, atëherë Ministra e Arsimit do të dërgojë edhe inspektorë në Gjimnazin Sami Frashëri për të zbuluar se si ka rrjedhur ngjarja dhe për të marrë masa ndaj shkelësve.

“Çdo parti që ndërhyn në procesin mësimor në shkolla, më shumë i bën dëm vetës, sesa që ka përfitime”, thotë Mustafa. 

“Çdo parti që ndërhyn në procesin mësimor në shkolla, më shumë i bën dëm vetës, sesa që ka përfitime. Nehat Mustafa

Reagon komuna. Por, Nxënësit reagojnë edhe kundër LDK-së 

Komuna e Prishtinës dënoi veprimin e nxënësve që u anëtarësuan në PDK nëpërmjet një kumtese shtypi dërguar të premten. 

“…Ky veprim i PDK-së është shkelje e ligjeve në fuqi dhe e parimeve etike të mbajtjes larg të politikës nga shkolla dhe nga nxënësit”, thuhet në kumtesën e Komunës së Prishtinës që udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Komuna paralajmëroi marrjen e masave për personat që u përfshinë “në këtë veprim joligjor”.

Por, një grupim i nxënësve i quajtur Këshilli i Nxënësve Aktivë kur reagoi kundër qarkullimit të formularëve për anëtarësim në Partinë Demokratike të Kosovës në gjimnazin “Sami Frashëri”, bëri me gisht edhe kah LDK-ja.

Edhe ky subjekt politik sipas këshillit… kishte mbajtur tubime politike me nxënës.

“Kjo më së miri vërehet me anë të manipulimit të nxënësve të shkollave të mesme, përkatësisht nxënësve të gjimnazit ‘Sami Frashëri’”…,, thuhet në kumtesën e këshillit.

Nxënësit, përmes kësaj kumtese, thonë se duhet siguri më të lartë në shkolla e reforma cilësore në arsim dhe se nuk pranojnë të bëhen vegla të partive që udhëheqin pushtetin lokal e qendror.

“Kjo më së miri vërehet me anë të manipulimit të nxënësve të shkollave të mesme, përkatësisht nxënësve të gjimnazit ‘Sami Frashëri. Këshilli i Nxënësve

Ndërkohë Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike e Politike thotë se lejimi i veprimeve të tilla shkel ligjin mbi Arsimin Parauniversitar si dhe parimin kushtetues të institucioneve publike të cilat nuk duhet të lejojnë propagandë për interesa të partive politike. 

“Shndërrimi i shkollave publike në vende në ku ofrohen anëtarësime partiake dhe ku ndonjë nga nxënësit ushtron lirshëm veprimin e propagimit politik të dhënies së fletë-anëtarësimeve, shkel konceptin e shkollave publike si institucione që duhet të qëndrojnë neutrale”, thotë Korenica.

Në nenin 4 të Ligjit Për Arsimin Parauniversitar, piken 3, ndalohen aktivitetet promovuese jashtë Kornizës së Kurrikulumit të Kosovës në përfitim ose në dëm të çfarëdo partie politike, gjinie, përkatësie racore a etnike, feje ose pozite sociale nëpër institucionet arsimore dhe aftësuese.