Protesta Përfundon-Katër të Arrestuar (TV)

Përfundoi në Prizren protesta që kërkoi dorëheqjen e kryetarit Muja, e organizuar nga Grupi i Qytetarëve Aktivë dhe e mbështetur nga subjektet politike opozitare.

Drejtori i Policisë Rajonale të Prizrenit Nexhmi Krasniqi, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se forcat e rendit arrestuan katër protestues, të gjithë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Krasniqit para Shtëpisë së Bardhë ishin rreth 60 policë, ndërsa numri i përgjithshëm i policëve bashkë me patrullat e tyre nuk e kalonte njëqindëshin.

Edhe pse protestuesit ishin më të shumtë, Krasniqi i vlerësoi ata të kenë qenë rreth 250 persona. Aktualisht para Shtëpisë së Bardhë gjendja është e qetë.

13:53

Arrestime dhe Shtyrje në Protestën Kundër Mujës

Policia ka arrestuar deri tash pesë persona në protestën që po zhvillohet para dyerve të Shtëpisë së Bardhë. Forcat e rendit kanë krijuar një kordon dhe ka fërkime mes tyre e protestuesve.

Protesta është duke vazhduar.

12:53

Rritet Numri i Protestuesve Kundër Mujës

Aktualisht, protestuesit që janë shtuar në numër u janë afruar dyerve të Shtëpisë së Bardhë, objektit të Komunës së Prizrenit. Te kjo shtëpi ka edhe numrë të madh policësh.

12:20

Niset Marshi Protestues Për Dorëheqjen e Mujës

Disa qindra marshues janë nisur në mesditë nga Shatërvani i Prizrenit, në përpjekje që me protestim në ecje të ndikojnë që kryetari i dënuar i qytetit të dytë për nga madhësia në Kosovë të japë dorëheqje.

Protestuesit po brohorasin: “Ramadan ik”, “komuna është e jona”, por më së shumti po këndohet: “Ramadani vija-vija, sot Prizreni të çon te shpia”, duke u bazuar te kënga e njohur e gjithë shqiptarëve. 

Këtij marshi, i kanë paraprirë edhe aksionet protestuese, të organizuara nga Qytetarët Aktivë Për Prizrenin, të cilët për dy ditë me radhë kanë bllokuar hyrjen e Kuvendit Komunal të Prizrenit, shumë nga ta u arrestuan nga Policia e Kosovës.

Një ditë para marshit protestues, kryetari Muja, ka pezulluar aktivitetin e tij si kryetar i Komunës së Prizrenit.

“Duke respektuar vendimet institucionale, integritetin dhe dinjitetin tim si Kryetar i zgjedhur i Komunës dhe si qytetar i përgjegjshëm, i bindur në pafajësinë time, kam vendosur që derisa Gjykata e Apelit të marrë vendimin për ankesën time, ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të pezulloj aktivitetin tim në cilësinë e Kryetarit të Komunës”, shkruajti Muja në një njoftim dërguar mediave.
 
Kastriot Jahaj, përfaqësues i Grupit të Qytetarëve Aktivë të Prizrenit, i cili është arrestuar dhe liruar të martën nga Policia e Kosovës, tha se vendimi për pezullim të aktiviteteve të kryetarit është i kundërligjshëm dhe se Grupi i Qytetarëve Aktivë kërkon vetëm dorëheqjen e tij.

Reagime ndaj këtij vendimi të Mujës, pati edhe nga opozita e Prizrenit, të cilët sot i janë bashkuar grupit të Qytetarëve Aktivë Për Prizrenin, në marshin protestues për dorëheqjen e kryetarit Muja.

“ Marshi protestues është i organizuar nga ne dhe ne do ta udhëheqim me fjalime këtë marsh, opozita nuk do të marrë fjalën as që e ka kërkuar një gjë të tillë. Për ne është shumë i rëndësishëm fakti se kemi arritur ta bëjmë bashkë gjithë opozitën në Prizren”, tha organizatori, Jahaj.

Protestës së sotme i janë bashkuar LDK-ja, BD-ja (Bashkimi Demokratik), LVV-ja dhe PK-ja (Partia Konservatore).

Mirëpo ditën e protestës së paralajmëruar gjithëpopullore, kryetari Muja, nuk do të jetë në qytetin e Prizrenit. Zëdhënësi, njëherësh këshilltari politik i Mujës, Ymer Berisha, njoftoi se kryetari Muja ditën e martë do të udhëtojë zyrtarisht për në Ohër.

“Të mërkurën kryetari do të udhëtojë për në Ohër zyrtarisht, është me ftesë të UNDP-së, ku UNDP, ka planifikuar disa investime në komunën e Prizrenit dhe në komunat tjera, kështu që kryetari Muja shkon për të nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për investimet e ardhshme që do të ndikojnë në ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve të komunës së Prizrenit”, tha Berisha.

Ai shtoi se nuk dihet për sa kohë Muja do të qëndrojë në Ohër, por tha se do të jetë atje “edhe në favor të këtyre djemve që kanë dalë të protestojnë”.

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”//www.youtube.com/embed/mmZRLb8ZX_s” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>