Arian Mavriqi. Foto: Kalllxo.com

Arian Mavriqi, promovuesi i faunës shqiptare përmes fotografisë (VIDEO)

Në kërkim të botës së egër me aparatin e tij në dorë, fotografi nga Kamenica, Arian Mavriqi rrëfen për pasionin e tij.

“Kryesisht fotografoj botën e egër, por edhe gjithçka tjetër që e shoh artistike dhe me vlerë pa dyshim që e fotografoj dhe është shënjestër e fokusit tim”, thotë Mavriqi për KALLXO.com.

“Qëllimi im është që të promovoj faunën, pra unifo-faunën në krejt trojet shqiptare kudo që më ipet mundësia, por edhe jashtë trojeve tona, edhe në Evropë edhe shtetet tej oqeanikë, kudo që më ipet mundësia”, shprehet ai.

Ariani, në një intervistë për KALLXO.com ka treguar sesi ka filluar të merret me fotografinë.

“Nga viti 2012 i kushtoj 100 për qind të kohës sime fotografisë, çka do që kam mundësi, nuk dal prej shtëpisë pa aparat dhe për mua gjithmonë dalja ime në terren përbënë një lajm, përbënë një fotografi interesante, prandaj edhe nuk dua të më ikë asnjëherë ai moment”.

Sipas tij të qenit fotograf në Kosovë bart me vete edhe sfida.

“Krejt fotografët në Kosovë ballafaqohen në përgjithësi me mungesë të fondeve për shkak se nuk është prioritet për shtetin, ne nuk kemi ndihmë për fat të keq, por vullneti dhe dëshira e madhe për të sjellë imazhe të rëndësishme që i duhen këtij vendi nuk na ka munguar asnjëherë”.

Jo rrallë herë, fotografi nga Kamenica ka marrë vëmendjen ndërkombëtare, pikërisht në kohën e pandemisë ai kishte arritur që të shkrepte një fotografi të veçantë.

“Një fotografi e imja që e kam realizuar në fshatin Koretin që është komentuar nga stafi i ‘Microsoft’ m’ka bërë të ndihem shumë mirë, jo vetëm mua dhe nuk është sukses individual por për të gjithë shqiptarët kudo që janë, pra vëmendja e një kompanie gjigande kur ndalet dhe komenton në fotografinë tënde është diçka shumë me vlerë dhe një e arritur që se kisha pritur kurrë”, tregon ai.

Mirëpo ky nuk është suksesi i vetëm i Arianit, në intervistën për KALLXO.com ai ka treguar edhe për suksese të tjera të tij.

Arian Mavriqi. Foto: Kalllxo.com

“Kam qenë fitues i garës ‘Wiki Loves Monuments’, fondacion ky i Wikimedia që organizohet çdo vit. Në vitin 2018 e kisha zënë vendin e parë në Shqipëri, ndërsa e konsideroj sukses shumë të madh sepse kam qenë i radhituri i 20-ti në botë nga 100 e disa shtete që ishin pjesëmarrëse, fotografia ime e Butrintit të Shqipërisë, pra ishte e 20-ta, madje kam fituar disa gara të ndryshme në Kosovë”, kujton Arian Mavriqi.

Ariani tregon se me aparatin e tij për herë të parë ka arritur të shkrepë disa fotografi të specieve të rralla.

“Mund të them që ka qenë ekskluzivitet që për herë të parë i kam realizuar fotografitë të disa specieve të ndryshme siç janë aspri eagle (shqiponjë peshkngrënëse), mandej kolikut të zi dhe disa xhirime të tjera që ndoshta kanë qenë në të dhënat shtetërore por asnjëherë nuk i kemi pasur në fotografi, pra për herë të parë i kam sjellë unë”, thotë Mavriqi

Fotografi nga Kamenica ka treguar për ndihëm që ia kanë dhënë institucionet lokale por edhe ato qendrore për iniciativën e tij për promovimin e faunës.

“Tash në fund e kemi një ndihmë, një dritë të gjelbër nga presidenca e Kosovës, për herë të parë që na ndihmon dikush me disa mundësi të mira për blerjen e disa aparaturave që na duhen si dhe një ndihmë e vogël nga Komuna e Kamenicë, nga kryetari i Komunës sonë të cilin e falënderoj shumë pra këto dy institucione që po ia shohim hajrin”, thotë ai.

Wildlife – Albanian Photographers është organizata të cilën Ariani e ka themeluar për të bërë bashkë të gjithë fotografët e botës së egër.

“Një organizatë kjo që është themeluar nga ne fotografët dhe dashamirë të faunës në Kosovë dhe Shqipëri, baza e kësaj organizate është në Kamenicë sepse si nismë e këtij projekti kam qenë unë, prandaj ka qenë e arsyeshme që të ketë bazën këtu. Ka qenë shumë e mirëpritur nga dashamirët e faunës në përgjithësi që jetojnë në trojet shqiptare”, nënvizon Mavriqi.

Fotografi nga Kamenica ka një kërkesë e cila sipas tij është jetike për promovuar punën që e bënorganizata.

“Puna e pasaportave shqiptare, pra pasaportizimi jonë është kërkesa jonë më e madhe që na duhet dhe është jetike për neve”, thotë ai.

Një kënd në sheshin e ri të Kamenicës do të këtë të ekspozuara fotografitë të cilat janë shkrepur.

Arian Mavriqi. Foto: Kalllxo.com

“Në shesh diku në pjesën ku është duke u rinovuar do të jetë një pjesë e veçantë për galerinë dhe aty do të jenë fotografitë nga më të mirat me cilësinë më të lartë të mundshme të pjesëtareve që jetojnë në Kosovë dhe Shqipëri, duam poashtu të kemi një kënd ku ndoshta të kemi disa nga speciet që gjatë aksidentit ato ngordhin por në bashkëpunim me akterët ne i marrim i balsamosim ato në mënyrë që njerëzit ti shohin për së afërmi”, thotë ai.

Me porosinë që ta ruajmë sa më shumë ambientin, fotografi nga Kamenica inkurajon të rinjtë që të ndjekin pasionin për fotografinë.

“Dilni në natyrë, shfrytëzojeni këto bukuri natyrore që i kemi, ju do të mbusheni plotë energji pozitive, ato fotografi që ju i bëni dikush do ti sheh, ju do të vlerësoheni pa dyshim nga dikush nëse jo nga të gjithë”, thotë Arian Mavriqi.