Presidentja Osmani: Refuzimi i drejtpërdrejtë i sanksioneve ndaj Rusisë nga Serbia nuk është befasi

Akomodimi i autokratëve sot vetëm i trimëron të njëjtit nesër. Koncesionet ndaj tiranëve asnjëherë nuk janë të përkohshme dhe asnjëherë nuk sjellin paqe të qëndrueshme.

Kontinenti evropian është në krizë sepse Vladimir Putin ka vendosur ta shkelë sovranitetin e Ukrainës deri në atë masë sa ta mohojë integritetin e saj territorial dhe të drejtën e saj për ekzistencë. Presidenti i Rusisë ndjekë një politikë të rrezikshme imperialiste e cila i lejon një shteti ta zgjedhë fatin e një shteti tjetër vetëm sepse është e fortë ushtarakisht.

Kjo luftë është mënyra e Putinit për ta vënë në sprovë botën demokratike dhe është një përpjekje për ta thyer frymën tonë demokratike. Mirëpo në vend të kësaj, lufta në Ukrainë e ka bërë bashkë botën demokratike në një mënyrë të paparë për dekada të tëra. Mënyra se si ne – qoftë vendet e vogla apo të mëdha – vazhdojmë t’i përgjigjemi kësaj situate, nuk do ta përcaktojë vetëm të ardhmen e Ukrainës, por edhe të ardhmen e Evropës dhe botës. Çfarëdo përgjigje qoftë ajo nuk ka të bëjë vetëm me popullin e Ukrainës, por edhe me atë se në çfarë bote duam të jetojmë dhe se çfarë mesazhi të përbashkët duhet t’u dërgojmë autokratëve kudo.

Pamjet rrënqethëse të sulmeve ç’njerëzore ndaj civilëve të pafajshëm ukrainas dhe qëndresa e guximshme e atyre që luftojnë për jetën e tyre dhe për ta mbrojtur shtetin e tyre, është përkujtues i rëndë e i vështirë i një të kaluare të errët për popullin e Kosovës.

Për ne, pamjet e tilla janë shumë të njohura dhe të freskëta. Ne nuk i qëndrojmë afër vetëm Ukrainës, ne qëndrojmë afër me aleatët tanë të NATO-s dhe ata që duan t’i shohin vlerat demokratike teksa lulëzojnë në mbarë botën, sepse kjo përfaqëson shumë më tepër sesa vetëm luftën e një vendi apo të një populli përballë tiranisë.

Kosova i di mjaft mirë pasojat e kompromiseve të bëra në kurriz të një populli të pafajshëm. Mungesa e reagimit të hershëm ndaj Sllobodan Millosheviqit rezultoi në luftëra të shumta të përgjakshme në ish-Jugosllavi të ndjekura nga një regjim gjenocidal, të gjitha në emër të dëshirave fashiste për ta krijuar një “Serbi të Madhe”. Dhuna çoi në qindra mijëra të vdekur, përdhunim të dhjetëra mijëra grave dhe shpërngulje të miliona njerëzve.

E gjithë kjo ndodhi para syve të botës. Fatmirësisht, NATO-ja dhe bota na dolën në ndihmë në vitin 1999, duke i dhënë fund gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera kundër popullit të Kosovës. Megjithatë, sot ne jemi dëshmitarë, edhe një herë, të një shkeljeje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, të agresionit barbar dhe brutal kundër Ukrainës dhe popullit të saj të pafajshëm, dhe potencialit për një luftë shumë më të madhe në Evropë dhe më gjerë.

Ndërkohë që sytë e botës janë përqendruar me të drejtë tek Ukraina, këtu në zemër të Evropës, ne kemi një tjetër kërcënim të rëndësishëm që buçon nën sipërfaqe. Putini i ka kthetrat e tij të ngulitura thellë dhe fort në rajonin tonë përmes ndikimit që ushtron mbi satelitin e tij, Serbinë, e cila i ka intensifikuar përpjekjet për ta destabilizuar Kosovën, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Marrëdhënia e Rusisë me liderët më problematikë dhe agresivë të Ballkanit perëndimor, përkatësisht me Aleksandar Vuçiqin e Serbisë dhe liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodikun, nuk është sekrete. Niveli i mbështetjes ushtarake dhe politike që Rusia i ofron Serbisë, në veçanti, është i rëndësishëm dhe duhet ta ngrejë alarmin nga Ankaraja në Londër dhe nga Berlini në Uashington.

Në vitin 2012, përpara se Vuçiqi të vinte në pushtet, Serbia kreu dy stërvitje ushtarake me aleatin e saj lindor. Pas gati një dekade të udhëheqjes së tij, numri i këtyre llojeve të aktiviteteve është rritur në mënyrë eksponenciale. Partneriteti midis dy vendeve është kaq thelbësor për të dyja palët, dhe blerja dhe donacionet e armatimit të rëndë janë në masë aq të konsiderueshme, sa që Moska ka hapur një zyrë të mbrojtjes në Beograd dhe një qendër të ashtuquajtur “humanitare” në Nish për të cilën ka pikëpyetje të mëdha rreth misionit të saj të supozuar. Nuk është çudi që Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së ka deklaruar se Serbia ofron “mjedisin më të përshtatshëm” për ndikimin rus në rajonin tonë.

Prandaj, refuzimi i drejtpërdrejtë i sanksioneve ndaj Rusisë nga Serbia nuk është befasi dhe zbulon se ku qëndron vërtetë besnikëria e saj. Tani është koha për të folur qartë se ku qëndrojmë: Kosova dhe partnerët e saj në mbarë botën janë në anën e Ukrainës, ndërsa Serbia ka zgjedhur të mbajë anën e Putinit.

Gjatë viteve të fundit, pavarësisht se flet nëpërmjet një loje fjalësh rreth vlerave evropiane, Serbia e ka rritur bashkëpunimin e saj politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë në nivele të papara më parë, madje as nën regjimin e Millosheviqit. Zhvendosja e Serbisë drejt autokracisë ka qenë graduale dhe më e rëndësishmja, e qëllimshme. E lënë për një kohë të gjatë e pa kundërshtuar e nganjëherë edhe e pranuar, sot Serbia paraqet një kërcënim të rëndësishëm për stabilitetin në Evropë. Kjo është tashmë e dukshme në të gjitha indekset ndërkombëtare për demokracinë, për mediat dhe për liritë. Rënia e vlerësimit të Serbisë është dëshmi e prirjes së saj gjithnjë e më autokratike.

Veprimet e pajustifikuara të Serbisë rreth çështjes së targave të automjeteve vitin e kaluar, po aq e dëshmojnë këtë. Ndryshe nga marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, për gati një dekadë Serbia kërkoi që me rastin e hyrjes në Serbi të hiqen targat e regjistrimit të Kosovës dhe më pas të zëvendësohen të njëjtat me të përkohshme. Në muajin tetor Kosova, si palë e barabartë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, vendosi masa reciprociteti. Qeveria në Beograd nxitoi të dislokojë tankse dhe avionë luftarakë rus MiG në kufirin tonë, ku ambasadori rus u shfaq me shpejtësi për ta dhënë bekimin e tij nëse forcat serbe hyjnë në Kosovë.

Ngjashëm, kur i gjithë rajoni ynë mori pjesë në një stërvitje ushtarake të NATO-s vitin e kaluar – “Defender-Europe 21”, – që përfshinte partnerë nga e gjithë Evropa, Serbia ishte i vetmi vend që nuk mori pjesë dhe përkundrazi në të njejtën kohë zhvilloi një stërvitje ushtarake me Rusinë në territorin e saj.

Përballë këtyre zhvillimeve, akomodimi i vazhdueshmëm i Vuçiqit nga disa mbetet një shqetësim serioz dhe një rrezik për paqen.

Zhvillimet në Ukrainë janë një përkujtues se nuk duhet asnjëherë nuk duhet të jemi indiferentë përballë autokracisë ose kur kërcënohen vlerat dhe aleatët tanë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me “ne” apo “ata”, por ky është përkujtim për të gjithë se një kërcënim për demokracinë në një vend është një kërcënim për të gjithë ne.

Në pjesën tonë të botës, paqja dhe stabiliteti janë arritur me sakrifica të mëdha, duke përfshirë humbjen e shumë jetëve të pafajshme. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta ruajtur paqen, dhe kjo nënkupton se duhet ta themi të vërtetën edhe kur përballemi me agresionin e përditshëm nga fqinji ynë Serbia.

Ky shkrim është i publikuar në “The Economist”, më 14 mars 2022.