Përurohet shtatorja e Presidentit Rugova (TV)
Presidentja e vendit Atfiete Jahjaga, zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa dhe bashkëshortja e presidentit Rugova, Fanë Rugova para shumë qytetarëve dhe personaliteteve politike bënë zbulimin e shtatores, e cila ishte mbështjellë me flamurin dardan të propozuar nga vetë presidenti Rugova për flamur shtetëror.
Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga gjatë fjalimit të saj, shtatoren e presidentit Rugova e ka cilësuar si nder dhe dëshmi për rrugën e sakrificës ndër shekuj për liri, pavarësi dhe demokraci.
“Kjo shtatore e Presidentit tonë themeltar, na nderon neve, na kushton dhe dëshmon për rrugën që e kaluam gjatë historisë për sakrificën që e bëmë gjatë shekujve për liri pavarësi, demokraci.
“Doktor Ibrahim Rugova është intelektuali që tek ne ndër të parët e solli frymën e demokracisë perëndimore, mendimin kritik vlerësimin jashtë koncepteve ideologjike që si mendje e ndritur u përhap në elitën intelektuale e politike tonën dhe në brezat e rinj të studentëve, duke ndërtuar konceptin e ri të botëkuptimit, përkushtimin dhe misionin e intelektualit në mendjen e çliruar, duke mposhtur njëmendësinë dhe diktaturën si koncept”, tha presidentja Jahjaga.
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë përuruese tha se presidentin Rugova e cilëson si njeriun i cili bënte thirrje për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve shekullore mes popujve të hasmuar ballkanas.
“Rugova bënte thirrje për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve shekullore mes popujve për herë të hasmuar në këtë pjesë të Ballkanit. Ai ishte zëri i vetëm human në tërë atë egërsi, zëri që tregonte rrugën e jetësuar, rrugën e paqes për të gjithë“
Shtatorja e presidentit Rugova është punuar nga skulptori nga Shqipëria Julian Muqollari. Ajo ka një lartësi 4. 20 metrash, peshon afër një ton dhe për të është paguar një çmim me vlerë prej 135 mijë euro.