Gruaja e rikthyer nga Siria, cila ishte përfituese e pajises së rrobaqepësisë, Foto: KALLXO.com

Modeli i ri- integrimit të grave të rikthyera nga Siria e Iraku përmes vetëpunësimit

Varfëria, kushtet e vështira ekonomike dhe niveli i ulët i edukimit vlerësohen të jenë në mesin e shkaktarëve të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë.

Një sistem arsimor jo efikas në vend i vlerësuar shumë keq në raportin e PISA-s nuk arrin t’i edukoj një pjesë të qytetarëve për profesionin e ri. Kjo sidomos në profesione jashtë akademike dhe zanate në të cilat do mund të punonin qytetarët të cilët nuk përfundojnë studime universitare.

Nga vitit 2010-të afër 400 kosovarë udhëtuan në Siri dhe Irak ndërsa rikthimi i disa prej tyre kërkon një proces të gjatë të ri- integrimit të tyre.

Shndërrimi i vendit në një ambient të përshtatshëm për ri-integrimin është proces i gjatë që nisë nga edukimi.

Me të dhënat se gratë e kthyera nga Siria dhe Iraku nuk kanë edukim të mjaftueshëm për të nisur një punë në Kosovë, Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur një proces edukimi dhe rritje të kapaciteteve për gratë.

Procesi synon që nëpërmjet edukimit t’i aftësoj gratë për të kryer punë të ndryshme si rrobaqepësi, parukeri, stilizëm, punëtorë për përkujdesje të fëmijëve, asistente administrative.

Trajnimet janë treguar model deri diku i suksesshëm në Kosovë mirëpo analizat tregojnë që gratë të cilat ndjekin trajnime nuk u garantohet punësimi apo biznesi i suksesshëm në fund të procesit.

Varfëria është pjesë e shkaktarëve të radikalizmit të shoqërisë. Ky informacion ka shërbyer për të ardhur në përfundimin që gratë që ndjekin kurset nëse nuk do kenë një mbështetje financiare nuk do mund t’i nisin bizneset e tyre.

Si rrjedhojë modeli është dizajnuar në atë formë që përpos njohurive gratë të marrin edhe financim për të nisur biznesin apo veprimtarinë e tyre.

Projekti i cili përfshinë 22 gra u ka ofruar pajisje në sektorë si përgatitja e ushqimeve të shpejta, servisim i pajisjeve në kuadër të teknologjisë, rrobaqepësi, përgatitje të ëmbëlsirave, floktare, punë me thonjtë, printim të dizajnëve për suvenire e qëndisje.

“Objektivi kryesor i Programeve Aktive të Tregut të Punës, është ofrimi i  mundësisë për punësim dhe trajnim për personat e riatdhesuar të papunë të regjistruar në Zyrat e Punësimit në të gjithë Kosovën duke u fokusuar në grupet e cenueshme në mesin e të papunëve me  fokus te veçantë  fuqizimin ekonomik te grave të riatdhesuara”, thuhet në disa përgjigje të MPB-së për KALLXO.com.

Gratë nga kjo skemë tashmë kanë nisur të nxjerrin në treg prodhimet e para ndërsa promovimi i tyre është mbajtur i fshehur për publikun për shkak të ruajtjes nga stigmatizimi dhe refuzimi i tregut.

Procesi tjetër i angazhimit dhe luftimit të faktorëve ekonomik shtytës në radikalizëm është punësimi nëpërmjet subvencionimit të pagës.

Sipas këtij modeli qeveria paguan pagën ndërsa punonjësi do angazhohet të kryej shërbimin në kompani private apo institucione publike.

Sipas MPB-së, 17 gra të rikthyera janë pjesë e skemës së subvencionimit si nënpunëse në prodhim, shitje, administratë, rrobaqepësi e edukim.

“Qëllimi i programit të Subvencionimit të Pagave është krijimi i mundësive të punësimit për personat e papunë dhe subvencionimi i pagës së tyre për 12 muaj. Subvencionimi i pagave (50%) ofrohet për të krijuar punësim afatgjatë dhe të qëndrueshëm për përfituesit”, vazhdojnë tutje përgjigjet e MPB-së.

Trajnimi në Punë sipas MPB-së, synon të sigurojë mundësi për të fituar përvojë të dobishme në vendin e punës për të papunët e regjistruar që kanë nevojë për të fituar njohuri dhe përvojë të re dhe që kanë nevojë për njohuri dhe aftësi përkatëse për të hyrë në tregun e punës.

“Kjo masë është më e shkurtër se masat e tjera, duke filluar nga 3 në 6 muaj dhe synon të zgjerojë bashkëpunimin në mes punëdhënësit dhe të punësuarve ose personat e riatdhesuar për të fituar aftësi dhe përvojë dhe për t’u bërë konkurrues në tregun e punës”, thuhet në përgjigjet e MPB-së.

Edhe në procesin e subvencionimit të pagës MPB është kujdesur që të ruhet identiteti i grave të cilat përfitojnë nga kjo skemë me synimin që të njëjtat të mos stigmatizohen dhe të refuzohen nga grupi.

Me gjithë benificionet procesi ende nuk i ka përfshirë të gjitha gratë e rikthyera por edhe familjaret e të rikthyerve apo personave të cilët janë vrarë në zonat e luftës.