Tendemia, tenderët në emër të pandemisë 

Secila komunë dhe institucion ka publikuar aktivitete që tregojnë për shpenzimin e parasë publike që nga momenti kur autoriteti mbikëqyrës i prokurimit u ka dhënë leje atyre që të kryejnë procedura tenderimi duke shmangur rregullat e vendosura përderisa vendi po lufton pandeminë e COVID-19. Janë publikuar komunikata për dezinfektim të rrugëve dhe objekteve, për blerje të maskave dhe dezinfektueseve apo për blerjen e uniformave. Janë publikuar edhe shumë komunikata të tjera për ndihmat që komunat i kanë shpërndarë për pako ushqimore për familjet në nevojë apo ato të prekura nga COVID-19.

Të gjitha këto komunikata janë publikuar nëpër media. Por, shumë pak media janë marrë me thelbin e këtyre komunikatave: si janë blerë dhe sa është paguar për këto produkte apo shërbime.

Pra, një vëmendje shumë më të vogël ishte te tenderët në kohë të pandemisë apo edhe sigurimi i të hyrave dhe shpenzimeve të tjera për qëllime të tjera përveç pandemisë. Fokusi i gazetarëve ka qenë raportimi për numrin e të infektuarve apo të vdekurve nga kjo sëmundje dhe për furnizimet e komunave. Përveç kësaj, sikur të mos mjaftonte pandemia, politikanët e Kosovës u kujdesën që në këtë kohë të shkaktojnë edhe një krizë politike të paparë deri më tani, duke rrezuar qeverinë në ditën e 51-të të formimit të saj.

Rrëzimi i qeverisë u bë lajm ndërkombëtar, meqë ishte qeveria e parë që ishte rrezuar në kohë të pandemisë. Kriza politike bëri që pandemia të mbetet në rend të dytë në Kosovë, meqë gjithë debati publik u koncentrua, fillimisht, në arsyet që çuan në prishjen e partnerëve të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, dhe më vonë në opsionet si të dilet nga kriza politike. Zgjedhje të reja apo qeveri të re?- ishte pyetja e bërë nga disa herë nëpër shumë debate televizive. Debate të shumta u organizuan për krizën politike dhe për pandeminë, por pak për shpenzimet që po bëhen në emër të pandemisë dhe për vet pandeminë.

Shumë tenderë të planifikuar më herët për shpenzime kapitale u stopuan, edhe për shkak të vendimeve të qeverisë për kufizim të lëvizjes së lirë dhe punës së disa bizneseve. Kjo bëri që shpenzimet të koncentrohen vetëm në blerje në emër të COVID-19.

Tenderët në kohë të krizës duhet me patjetër të monitorohen nga gazetarët dhe OJQ-të, veçanërisht tash kur institucionet kanë marrë dritën e gjelbër nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik që kontratat të arrihen edhe pa ndjekur asnjë procedurë. Këto blerje u bënë pa konkurrencë, por duke aplikuar procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Kjo procedurë, e lejuar me ligj në raste të caktuara siç është edhe pandemia, i mundëson institucioneve që të bëjnë blerje të shpejta e pa procedura të tejzgjatura. Si procedurë është aplikuar edhe në të kaluarën, mirëpo në raste shumë të kufizuara.

Pra, kemi të bëjmë me një procedurë që edhe për shumë institucione ka qenë gjë e re. Duke qenë një procedurë e re për shumë zyrtarë të prokurimit kjo ka bartur rrezik që të bëhen gabime apo të keqpërdoret në raste të caktuara. Keqpërdorimi i kësaj procedure dhe pandemi për t’u pasuruar për persona të caktuar është tashmë e faktuar në disa prej publikimeve që janë bërë nga një numër i limituar i mediave që janë marrë me ketë temë.

Prej raportimeve të një numri të vogël të mediave kemi parë që institucionet kanë paguar çmime të fryra për produkte për mbrojtje nga COVID-19. Shembull, kemi pasur raste kur maskat janë paguar 10 euro nga një komunë, 9 euro nga një ministri ndërsa një komunë tjetër ka arritur t’i blejë edhe për 3.5 euro. Dallime të mëdha në çmime kemi raportuar edhe sa i përket dezinfektueseve që janë blerë nga institucionet. Madje, në një prej raportimeve që është bërë për dallime të mëdha të çmimit për dezinfektues, institucioni që kishte blerë më shtrenjtë më vonë ka thënë se kanë gabuar në kontratë duke e vendosur gabimisht 500ml dezinfektuesin por sipas pretendimeve të tyre janë furnizuar me dezinfektues 1 litërsh. Kur kemi folur më detajisht me kompaninë dhe institucionin doli që kontrata reale ka qenë e dakorduar në telefon, ndërsa në kontratë kanë gabuar. Pra, si ka mundësi që versioni i saktë i një kontratë të jetë komunikimi me telefon e gabimi të lëshohet në kontratë.

Çka tregon kjo?

Kjo është një sinjal që institucionet, pa e nënvlerësuar emergjencën për t’u furnizuar me këto produkte, nuk po e bëjnë as minimiumin që të paktën ofertat t’i shkëmbejnë përmes emailit, pra me komunikim zyrtar. Duke pranuar oferta me telefon dhe duke i nënshkruar kontrata pa i lexuar fare, institucionet po lënë një derë që të mbulohet sa më lehtë keqpërdorimi.

Për sqarim, Ligji i Prokurimit lejon procedura të tilla emergjente dhe pa konkurrencë. Mirëpo, ligji i prokurimit askujt nuk ja njeh të drejtën të blejë mallra përtej çmimit të tregut. Pra, ata duhet të blejnë mallra në çmimin e tregut. Ata duhet të bëjnë hulumtim të tregut, aq sa kanë mundësi në këtë kohë të pandemisë sepse duke bërë hulumtimin e tregut, duke kërkuar oferta nga më shumë se një operator institucionet do të sigurohen që mos të paguajnë më shtrenjtë për një produkt, ashtu siç ka ndodhur tashmë në disa raste që janë raportuar.

 

Gazetarët dhe OJQ-të duhet të shtojnë fokusin edhe te tenderët. Pra, edhe nëse deri më tash portalet e media të caktuara asnjëherë nuk janë marrë me prokurim, ky është rasti që të fillojnë e të hulumtojnë se si bëhet shpenzimi i parasë publike. Ky është rasti edhe për OJQ-të që kanë fokuse krejt të tjera dhe që tash e kanë ndalë punën e tyre për shkak të pandemisë, që fokusin ta kthejnë kah prokurimi. Besoj që ka mjaftueshëm njerëz të trajnuar nga CIVKOS dhe USAID nga shoqëria civile që mund të bëjnë monitorime në prokurim.

Monitorimi i prokurimit në këtë kohë duhet të fokusohet në dy drejtime. E para, çka ka bërë institucioni për t’u siguruar që po i blen produktet me çmimin e tregut, pra, sa kompani i ka kontaktuar? Sa oferta i ka pranuar? Dhe ç’është më e rëndësishme, cilat kompani i ka kontaktuar dhe i ka kërkuar ofertën për një produkt, dhe cila është lidhja e saj me udhëheqësin e institucionit apo lidhjet eventuale politike. Gjithashtu, nëse ka dokumente që japin përgjigje në pyetjet e shtruara më lartë, apo thjesht komunikimi i institucionit është bërë me telefon, duke mos lënë gjurmë.

Përveç kësaj, një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm për t’u monitoruar është zbatimi i kontratave. Pra, nëse është bërë furnizimi me ato mallra, ashtu siç janë dakorduar, qoftë për nga cilësia apo sasia. Shembull, nëse një institucion ka blerë dezinfektues, është e mundur që të testohet produkti nëse përmban alkool ashtu siç shkruan në kontratë/tender apo thjesht e kanë mbushur atë një preparat që nuk është dezinfektues. Njëjtë, duhet të shikohen edhe kontratat e tjera për blerje dhe shërbime të tjera.

Gjitha këto janë shumë të rëndësishme për t’u bërë, sepse keqpërdorimi nuk ndalet as në luftë e nuk do të ndalet as në pandemi. Madje, këtë e beson edhe njëri prej zyrtarëve ua ka dhënë dritën e gjelbër institucioneve për të nënshkruar kontrata pa tenderë të hapur. “E di që kanë me keqpërdorë, por ligji na lejon dhe situata e kërkon që lejohen blerjet e shpejta”, ishte një konstatim i këtij zyrtari. Meqë jemi të vetëdijshëm që keqpërdorimi mund të ndodhë, atëherë duke e shtuar monitorimin mund të ndalim këtë keqpërdorim dhe të paktën në këtë kohë të mos bëhen blerje të shtrenjta dhe ato produkte që blihen të jenë cilësore.