Perspektiva integruese e Kosovës në BE

Në përputhje me nenin 49 të Traktatit për Bashkimin Evropian, çdo vend Evropian mund të kërkojë anëtarësim në BE nëse respekton vlerat demokratike dhe është i angazhuar për promovimin e tyre. Zgjerimi është dëshmuar të jetë një nga mjetet më të suksesshme në promovimin e reformave politike, ekonomike dhe shoqërore dhe në konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe demokracisë në të gjithë kontinentin e posaçërisht në Ballkanin Perëndimorë.

Përderisa të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë më të përparuara në proces, Kosova është  vend kandidat potencial për anëtarësim në BE. E për të komplikuar edhe më tutje situatën e Kosovës, pesë Shtete Anëtare të BE-së ende nuk na kanë njohur si një shtet të pavarur. Si rezultat, Kosova është vendi i fundit në rajon që nënshkroi marrëveshjen për Stabilizim Asociim (MSA), e cila hyri në fuqi me 1 prill 2016.

Hapat në vijim janë dorëzimi i kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat ndërsa për të amortizuar sa më shumë refuzimin që shtetet mos-njohëse i bëjnë Kosovës dhe për të rritur shanset për status të kandidatit, Qeveria e Kosovës, së bashku me të gjithë aktorët politikë dhe shoqërinë Kosovare duhet të dëshmojnë se integrimi në BE është zgjedhja e shumicës dhe në këtë mënyrë të bindë ata që shoqëria Kosovare është e gatshme për të marrë obligimet dhe përgjegjësitë që i sjellë anëtarësimi në BE. Kosova duhet të loboj tek vendet anëtare të BE-së, NATO-s dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë, duke iu dëshmuar që Kosova është e gatshme dhe ka siguruar një konsensus të brendshëm politik dhe ka një vizion të qartë të zgjidhjes së sfidave që i ka përpara. Kosova nuk duhet të presë njohjen nga të gjitha shtetet anëtare apo lejen e aplikimit për anëtarësim në BE por duhet angazhuar të gjitha kapacitetet për të krijuar një klimë pozitive të bazuar në rezultate konkrete dhe të bindë BE-në që Kosova e meriton këtë status.

Sa i përket hapave tjerë, si fillimi i negociatave për anëtarësim, na nevojitet njohja nga shtetet e BE-së, na nevojitet të arrijmë një përfundim pozitiv të negociatave me Serbinë e cila duhet të konkludohet me një marrëveshje ligjërisht obligative, ndërsa paralel me këtë të zbatojmë MSA-në, të përmirësojmë imazhin tonë pasi aktualisht njihemi si një vend i kapur nga krimi e korrupsioni, e pastaj të procedojmë me hapat tjerë siç janë shoshitja (Screening), hapja dhe mbyllja e përkohshme e kapitujve; përfundimi i negociatave të pranimit, Traktatit i Aderimit, ratifikimi dhe anëtarësimi në BE.

Procesi i integrimit në BE duhet të ndodhë me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare të BË-së. Në rastin e Kosovës, pritet që fazat e hershme të procesit të integrimit evropian do të pengohen nga shtetet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën. Sidoqoftë, shtetet anëtare të BE-së, për arsye të brendshme, do të shmangin të lënë Kosovën të fundit dhe kështu të zhvillojnë një raund të zgjerimit me vetëm një vend të Ballkanit Perëndimor.

Pra nëse do të ketë zgjerim të BE-së me shtetet e Ballkanit kjo mund të ndodhë në dy grupe, ku së pari do të anëtarësohen shumica e vendeve të Ballkanit perëndimore dhe së dyti, grupi i vendeve të mbetura, e sipas rezultateve të deritanishme dy vendet e fundit do të jenë Bosnje e Hercegovina dhe Kosova. Pra nuk pritet që Kosova të mbetet e vetme në procesin e integrimit, kjo nuk do të ishte as në interesin e BE-së e cila pres të intensifikojë kërkesat ndaj Kosovës për një përshtatje më të shpejtë me standarde të BE-së.

Për momentin nuk duket kështu, por pas disa viteve dhe duke marrë parasysh angazhimin e BE-së për të kontribuar në stabilizimin politik, ekonomik dhe institucional të rajonit, është edhe në interes të BE-së të sigurojnë që rajoni të arrijë dhe të jetojë sipas të njëjtave standarde dhe mbi të gjitha të respektojë sundimin e ligjit.

Pra duke marrë parasysh situatën aktuale, Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë me procesin e Integrimit Evropian si një nga prioritetet e saj kryesore. Zbatimi i kritereve të bëhet në harmoni me prioritetet e shtet formimit, të shfrytëzohet ky procesi si projekt për shtet formim dhe gjithmonë vendimet të marrin parasysh fazat e radhës në këtë proces. Kjo do të thotë të intensifikohet zbatimi i MSA-së, të ketë përpjekje serioze për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të intensifikohet zbatimi i kritereve të ERA,  të adresohen të gjeturat e raportit të vendit të BE-së dhe krejt për fund të zhvillojnë kapacitetet programuese për të absorbuar asistencën e BE-së.

Ky ishte procesi siç e njohim deri më tani, ndryshime mund të pësojë pasi që Franca është duke kërkuar ndryshime. Përndryshe, ky është një proces i gjatë që në rrethana ideale kërkon të paktën një dekadë apo edhe më shumë, e kjo vetëm nëse s’do të ketë probleme politike ose ekonomike nga ana e Kosovës apo nga Shtetet Anëtare të BE-së si dhe nëse do të kemi një përkushtim të plotë të Kosovës për të transpozuar dhe zbatuar Acquis, e fjala e fundit i takon BE-së respektivisht shteteve anëtare.

Sidoqoftë, pavarësia në formën që tash e kemi, nuk siguron zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, opsionet tjera janë më pak premtuese, i vetmi opsion që e zhvillon Kosovën dhe e stabilizon tërë rajonin është integrimi i plotë i Kosovës dhe tërë rajonit në BE, çdo opsion tjetër sjellë rreziqe të cilat tani nuk mund ti parashohim plotësisht.