Foto: ZKM

Kurti priti në takim ambasadorin e ri të Hungarisë, theksohet nevoja për mbështetje për statusin e vendit kandidat për BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, Béla Bozsik, i cili deri me tani ka shërbyer në cilësinë e zëvendësambasadorit.

Sipas një komunikate për media, kryeministri falënderoi Bozsik për punën, angazhimin dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë që prej vitit 2016, dhe përgëzoi për detyrën e tij të re si ambasador.

“Ambasadori Bozsik, shprehu përkushtimin e tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve tona dhe mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë ndaj Kosovës. Thellimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona është përkushtim dhe qëllim i dyanshëm. Kosova dhe Hungaria bashkëpunojnë në shumë nisma dhe projekte me interes të përbashkët”- thuhet në njoftim.

Në komunikatë bëhet e ditur se Kurti ka falënderuar Hungarinë për mbështetjen në fushën e arsimit, veçanërisht 75 bursa në vit të ndara për studentët nga Kosova, por edhe përkrahjen në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Temë e takimit ishte edhe rruga përpara e rajonit drejt integrimit në BE e prosperitetit mbetet me rëndësi, ku u veçua dhe kontributi që Hungaria mund të japë vitin e ardhshëm gjatë Presidencës së saj të Këshillit të BE-së.

Me këtë rast, Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë vitin e ardhshëm për mbështetje për statusin e vendit kandidat për BE, për Partneritetin për Paqe drejt anëtarësimit në NATO, dhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.