Gjylieta Mushkolaj, ish-anëtare e Gjykatës Kushtetuese

Anëtarët e Odës së Avokatëve të Kosovës nuk janë as sekserë as korrierë

Oda e Avokatëve të Kosovës duhet të jetë syçelë për ruajtjen e integritetit të profesionit të avokatit dhe integritetin e anëtarëve të saj, sepse një huqje e këtillë e bën Kosovën vend të pasigurt për investitorët, ku kërcënimi e “frikësimi janë stil i punës e suksesit.”

 

Në prag të shënimit të përvjetorit të Deklaratës Kushtetuese të korrikut 1990, dokumentit themeltar të populit të Kosovës për vetëvendosje të shpallur nga delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, e kujtojmë edhe brutalitetin e regjimit serb ndaj popullit të Kosovës, apart’heidin dhjetëvjecar,  terrin informativ, përjashtimin me forcë të shqiptarëve nga secili institucion publik dhe mbylljen e secilës mundësi për shqiptarët në Kosovë për ta fituar me punë bukën e gojës. Me projektin e llahtarshëm të spastrimit etnik, që nga ajo ditë, për vetëm tre vjet, regjimi i Milosheviqit e kishte përndjekur nga Kosova gati një të tretën e popullsisë së Kosovës, për të rritur çdo ditë e më shumë karavanin e refugjatëve shqiptarë të Kosovës nëpër të gjitha vendet e lira e demokratike, në Evropë, Amerikë e Kanada, Australi e Zelandë të Re. Diaspora e re që po fillonte jetën në vendet demokratike i bashkohej gjeneratave të mëherëshme të diasporës dhe krahas integrimit të vështirë ne vendet e reja, kujdesit për familjet e tyre të reja, duhej që të kujdesej edhe për pjesën e familjeve të mbetura në Kosovë që kishin mbetur pa bukë. Falë mbrojtësve të të drejtave të njeriut, të drejtat e të përndjekurve në perëndim si azilkërkues mbroheshin, integrimi bëhej më i lehtë, derisa me ndihmën e këtyre mbrojtësve popullata e mbetur nën këthetërat e regjimit të Milloseviqit ndihmohej me bukë e medikamente dhe bota informohej për shkeljet e tmerrshme të të drejtave të njeriut. Të arriturat në botën e lirë për garantimin e lirisë së shprehjes, lirisë së medieve dhe lirisë së asocimit, të garantuara edhe përmes instrumenteve ndërkombëtare e evropiane për të drejtat e njeriut, kishin fuqizuar organizatat mbrojtëse të të drejtave të njeriut, i kishin bërë të pamposhtur gazetarët, e ata ishin bërë zëri shqiptarëve të Kosovës në botë. Rezistenca ndaj regjimit, protestat e demonstratat, lufta për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, masakrat e familjeve të tëra, vrasja e fëmijëve dhe pleqve, plaçkitja e djegja e fshatërave, përdhunimet e grave, burrave e fëmijëve, e në fund edhe dëbimi masiv nga toka e Kosovës, falë gazetarëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut bënë jehonë në botë. Ata ishin lokomotiva e vënjes në lëvizje të forcave paqëdashëse për të ndalur shfarosjen e shqiptarëve nga kjo tokë!

Është më shumë se shqetësim, është më shumë se dhembje, është më shumë se turp që 30 vjet pas datës së rëndësishme të 2 korrikut, të përjetojmë që dy anëtarë të Odës së Avokatëve të Kosovës t’i drejtohen me letër kërcënuese veprimtares Shpresa Loshaj, e kthyer nga diaspora në Kosovë, për të mbrojtur tokën e të parëve të vet dhe për t’u bërë zëri i komunitetit të shtypur e të frikësuar në vendin e vet të “lirë”. Për t’ia mbyllur gojën Shpresës dhe për ta lënë atë vetëm e të izoluar, Letra i ishte dërguar në të njëjtën kohë edhe një numri të madh orgazatash, për t’i frikësuar! Kërcënimi e frikësimi, fatbardhësisht patën kundërefekt. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut u bënë bashkë, e vunë edhe veten në rrezik, për të mbrojtur lirinë e fjalës, e përmes saj, për të mbrojtur natyrën, që të gjithë e kemi përgjegjësi.

U bënë edhe patetikë duke bërë edhe përpjekje për t’i anatemuar të gjithë që u përballën me ta, duke u dhënë leksione për ligjin dhe rolin e avokatit, edhepse Oda e Avokatëve të Kosovës do të duhej që të kujdesej që anëtarët e saj të kuptojnë se AVOKATI NUK ËSHTË SEKSER (në kuptimin pezhorativ të fjalës)!

Megjithëse Kosova ende vazhdon të jetë vrimë e zezë e të drejtave të njeriut, duke mbetur si i vetmi vend në Evropën gjeografike që nuk është nën jurisdikcion të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e qytetarët e saj edhe me tutje janë të vetmit që jetojnë në getto, pa mundësi që të lëvizim lirshëm si të tjerët, kuadri kushtetues e përgjithësisht edhe ai ligjor në Kosovë, megjithatë, i ka përqafuar standardet më të larta për të drejtat e njeriut dhe praktikat më të mira evropiane!

Droja nga mungesa e traditës demokratike dhe përvoja e mbrojtjes së të drejtave të njeriut ka ndikuar që Kushtetuta e Kosovës, madje në mënyrë edhe më përshkruese se sa që është e zakonshme, të garantojë lirinë e fjalës me tri nene të veçanta (Neni 40 – Liria e shprehjes; Neni 41- E Drejta e qasjes në dokumente publike dhe Neni 42-Liria e medieve). Më tutje, në mënyrë që të mos lejohet ndjekja dhe abuzimi i mbrojtësve të të drejtave të njeriut ku hyjnë edhe mbrojtësit e mjedisit jetësor dhe natyrës, më në detaje se shumë kushtetuta të tjera, e garanton Lirinë e asocimit (Neni 44). Për të realizuar demokracinë pjesëmarrëse, Kushtetuta e Kosovës nuk e “përfundon” ndikimin e qytetarit në jetën institucionale vetëm me aktin e votimit! Ajo shkon më tutje, duke i rregulluar me të njëjtin nen “Të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes” dhe duke e garantuar të drejtën e secilit për të ndikuar në mënyrë demokratike në vendimet e organeve publike (Neni 45.3). Dhe, për të qenë edhe më e qartë për fushën e mjedisit, Kushtetuta madje e rregullon me një nen të veçantë (Nenin 51) me titull “Përgjegjësia për Mjedisin Jetësor!”

Në pikën 1 të këtij Neni, përcaktohet fuqishëm përgjegjësia e secilit, pra edhe e avokatëve (anëtarëve të Odës Avokatëve të Kosovës) se “Natyra dhe biodiversiteti, mjedisi jetësor dhe trashëgimia kombëtare, janë përgjegjësi për secilin”.

Gjykta Kushtetuese madje e ka interpretuar paragrafin e dytë të nenit 52, bazuar madje edhe në Konventën e Aarhusit dhe e kishte shpallur kundërkushtetues dhe e kishte anuluar një Vendim të Kuvendit Komunal të Prizrenit për arsye se Kuvendi komunal kishte dështuar të respektojnë kërkesën që “personave të interesuar nuk iu ishte garantuar mundësia që të paraqesin ankesë në gjykatë kundër cilitdo vendim, akt ose lëshim” e që, sipas mendimit të tyre, interesat e tyre ishin neglizhuar ne procesin e vendimmarrjes!

Është paftyrësi që avokatët të fshehen pas investitorëve, duke thënë se Letra i është dërguar veprimtares dhe ekspertes Shpresa Loshaj me kërkesë të tyre. Përveçse nuk janë sekserë, anëtarët e Odës së Avokatëve të Kosovës nuk janë as korrierë e postierë. Investitorët janë tejet të rëndësishëm për zhvillimin e vendit tonë dhe Oda e Avokatëve të Kosovës duhet të kujdeset që anëtarët e saj që u ofrojnë shërbime juridike investitorëve, të respektojnë rregullat etike dhe kur të punojnë Raportet për hapat e arsyeshëm që një investitor duhet ndërmarrë për të plotësuar kërkesat ligjore (due diligent reports), domosdo duhet të përfshijnë edhe kërkesat për garancitë kushtetuese qe gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut i gëzojne në Kosovë.

Oda e Avokatëve të Kosovës duhet të jetë syçelë për ruajtjen e integritetit të profesionit të avokatit dhe integritetin e anëtarëve të saj, sepse një huqje e këtillë e bën Kosovën vend të pasigurt për investitorët, ku kërcënimi e “frikësimi janë stil i punës e suksesit.” Mbyllja e syve ndaj sjelljeve të avokatëve si “sekserë” e shënjestron Kosovën si shtet JO të lirë, dhe e sistemin e drejtësisë në tërësi e bën edhe më të lëndueshëm se që është tani!

Rasti i Shpresa Loshajt, ekspertes nga diaspora që pas 20 vjetësh u kthye në Kosovë për të ndalë shkatërrimin e Grykës së Deçanit duke i mobilizuar qytetarët t’u dalin përballë keqbërësve, tregon se Kosova ka hyrë në një epokë të re! Diaspora e Kosovës, të përndjekurit e dikurshëm, me përvojë në institucionet më prestigjioze në botë, do t’ua kthejnë zërin e dinjitetin bashkëvendësve të tyre.

 

Gjyljeta Mushkolaj është Profesore e Asocuar në Fakultetin Jurik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina. Ajo ka qenë anëtare e Gjykatës Kushtetuese