Ilustrim nga Prishtina Insight

(An)alfabetizmi në Revistat e Grave

Kujtoj se në adoleshencën time të hershme isha e fiksuar me revista të grave. Kisha fletore të mëdha të mbushura me copëza revistash të ngjitura. Kujtoj se isha e interesuar në shumëllojshmërinë e bukurisë së modeleve dhe aktoreve që paraqiteshin në këto revista, por i doja edhe shkrimet dhe fotografitë lidhur me shëndetin dhe mirëqenien fizike. Kritikohesha nga babai im për shkak të këtij fiksimi të ri, por kishte diçka të mahnitshme te gratë në ato fotografi dhe atëbotë nuk mundja ta kuptoja se çfarë ajo ishte. Fotografitë nuk flisnin për vetveten.

Por, tani mendoj se e kuptoj çfarë dashuroja te ato gratë në revistat e mia të improvizuara si adoleshente e re. Ato dukeshin të pavarura dhe të fuqishme, kishin kontroll të plotë mbi trupin dhe seksualitetin e tyre. Megjithatë, pasi lexova më shumë letërsi dhe mbi teorinë kritike të medias në veçanti, kuptova se revistat e grave në përgjithësi promovojnë glamur dhe shpeshherë standarde të paarritshme të bukurisë në bashkëpunim me kompani reklamuese, duke krijuar imazhe stereotipike të grave dhe duke i reduktuar ato në role specifike gjinore. Kjo qasje ushqehet nga seksizmi i përbrendësuar.

Kosovarja2

Kjo gjë është edhe më e theksuar në revistat e pakta shqiptare që përqendrohen te gratë – asnjëra nga të cilat nuk mund të quhet feministe.

Unë i kam analizuar veçanërisht dy revista të grave në Kosovë, Kosovarja dhe Teuta, për shkak të popullaritetit që kanë pasur gjatë dekadave dhe botimit të rregullt. Me ngritjen e diskursit gjinor dhe feminist ndër vajza (dhe djem) të ri aktivistë, po ashtu kam analizuar Flatra, një revistë tjetër në Kosovë që mbulon tema gjinore dhe është e njohur ndër lexues, si dhe një revistë online feministe të vetëdeklaruar të quajtur Gentlewoman, e themeluar së fundmi.

Ose për shkak të ndryshimeve në politika editoriale, ose për shkak të ndryshimeve në botë përgjithësisht, revistat që ishin dikur përparimtare kanë humbur frymën e tyre emancipuese krejtësisht, përderisa botimet e kohës së fundit dështojnë në rrokjen e problemeve bashkëkohore të feministeve, duke përfshirë edhe kuptimin e mënyrës se si raca, klasat shoqërore, etnia dhe seksualiteti kryqëzohen me identitetin gjinor.

Shkrimi i grave

Në artikullin “The Laugh of the Medusa” (E Qeshura e Meduzës), Helene Cixous prezanton ecriture feminine, apo shkrimin e grave, një projekt i nisur nga shtatë shkrimtare në vitet ‘70, përfshirë Cixous, Luce Irigaray, Julia Kristeva dhe Chatherine Clement. Shkrimi i grave ka të bëjë me rimarrjen e “femërores” nga teoria falocentrike e Sigmund Freudit në të cilën gratë shkruhen dhe interpretohen nga burrat, nuk ka këndvështrim nga gratë apo shprehje të individuales dhe subjektives së tyre, dhe seksualiteti i grave paraqitet si inferior ndaj atij të burrave.

Cixous pretendon se përmes shkrimit, gratë do të mësojnë ta rimarrin autonominë e tyre sepse shkrimi lejon hapësirë për mendim rebelues. Edhe gratë edhe burrat mund ta aplikojnë ecriture feminine në shkrimet e tyre, dhe ajo do të thotë marrja parasysh e zërave dhe këndvështrimeve të grave, kontekstet dhe prapavijat e tyre të ndryshme, si dhe marrëdhëniet e pushtetit dhe dekonstruktimi i elementit falik. Për atë arsye, duke e përdorur fuqinë e shkrimit, gratë mund të flasin për vetveten, të shkruajnë për vetveten dhe ta ndihmojnë në çlirimin e njëra-tjetrës.

Si tekste për gra dhe kryesisht nga gratë, revistat e grave mund të kenë ndikim të madh në ndryshime sociale. Sidoqoftë, duke i analizuar në mënyrë kritike revistat e grave ne mund ta dekonstruktojmë grarinë, të reflektojmë mbi shëmbëlltyrën e saj dhe të japim një perspektivë feministe në bazë të të cilës duhet të reflektojnë në mënyrë që të kontribuojnë në luftën e gjatë për barazi të plotë mes sekseve, për përkrahjen e sigurisë së grave dhe politikat institucionale që i bëjnë këto përpjekje të mundura.

Imazhet stereotipike të grave

Revistat e grave anë e kënd botës njihen për fotografitë e bukura të grave në ballinat e tyre. Të përsosura, të reja, shtathedhura – ky standard i bukurisë është lartësuar me vite të tëra. Edhe në revistat Kosovajra, Teuta dhe tekste tjera për gratë në shtypin kosovar në përgjithësi, asocojnë revistën e grave me veçori fizike dhe tërheqjen seksuale. Kur analizojmë këto revista si tekste, shohim se ka disa imazhe stereotipike të grave. Kam vënë re pesë nga to: gruaja e privilegjuar, amvisja, kërkuesja e martesës, mbretëresha e bukurisë dhe beqarja e ankthshme.

Stereotypes-01-768x193

Gruaja e privilegjuar është historia e suksesit e një personi të njohur, një biznesmene, apo një gruaje të një personi të rëndësishëm. Ajo është zakonisht e pasur dhe elegante, një shkallë më lartë se amvisat apo gratë e klasës punëtore. Amvisa adresohet përmes recetave të gatimit dhe reklamave që promovojnë amësinë. Kërkuesja e martesës është ajo të cilës i kushtohen artikuj dhe sugjerime për të gjetur partner dhe për ta zhvilluar sjelljen e duhur që ajo të ndodhë. Mbretëresha e bukurisë merr veçanërisht shumë vëmendje, edhe në përmbajtje edhe në hapësirë. Modele shtatholla dhe tërheqëse, Miss Kosova dhe Miss Shqipëria, ato zakonisht shesin ndonjë firmë dhe po ashtu përfaqësojnë pritshmëri të larta të dukjes fizike për gra. Kurse beqarja e ankthshme është e fiksuar pas horoskopit dhe fallit.

Konformuese apo konfrontuese?

Kosovarja është revista e parë e grave në Kosovë. Për herë të parë u botua në vitin 1971 dhe ka bërë përpjekje të forta drejt emancipimit politik, shoqëror dhe ekonomik të grave shqiptare. Përmbajtja e numrave të arkivuar të viteve të 70-ta tregojnë se Kosovarja ishte një revistë intelektuale e cila përqendrohej në politikë, varfëri dhe vështirësitë me të cilat ballafaqoheshin shqiptarët e Kosovës gjatë periudhës së komunizmit, dhe pasqyronte interesat e grave që vuanin dhe që nuk ishin të privilegjuara. Revista përqendrohej veçanërisht te vështirësitë e grave fshatare dhe mungesa e qasjes në arsimim dhe mundësi, si dhe të jeta studentore e grave të reja. Tekstet për shëndetin e grave ishin plotësisht të shtjelluara. Për më shumë, këshillat mbi rritjen e fëmijëve të shëndoshë, recetat gatimi dhe moda përbënin vetëm një pjesë të vogël të të gjithë tekstit.

Numri i parë i revistës Kosovarja

Numrat e arkivuara nga gjysma e dytë e viteve ‘90 deri sot, të cilat i kam analizuar, tregojnë ndryshime të mëdha njëherësh në formë dhe përmbajtje. Përderisa seksionet e rëndësishme nga vitet ‘70 përfshinin seksione të titulluara “Në ndjekje të gjurmëve të revolucionit” dhe “Poezi”, lexuesit sot pajisen me (ndër vogëlsira tjera) “Magjistarja”, një grua që parashikon të ardhmen e grave, i paralajmëron për fatkeqësi që mund t’i pllakosin, ose i mban në skaj të karriges me kthesa të papritura të ngjarjeve.

Ballinat e Kosovares gjatë kohës së Jugosllavisë zakonisht paraqitnin gratë në vend të punës, në minierë; si muzikante, luftëtare; dhe ndonjëherë kishte fotografi të grave shqiptare të Kosovës me veshje tradicionale. Për gati dy dekada të fundit, në ballinën e Kosovares shohim aktore, modele, mbretëresha të bukurisë në poza tërheqëse dhe seksi. Qofshin ndryshimet në redaktorë, interesa redaktoriale apo nënshtrimi ndaj forcave komerciale që gjithashtu karakterizojnë shumicën e revistave të grave në Perëndim, Kosovarja është shndërruar tërësisht nga një revistë politike në pamflet të kotë me njerëz të famshëm.

Teuta, e emëruar sipas mbretëreshës antike ilire, u botua për herë të parë në vitin 1994. Kopjet e arkivuara nga viti 1995, ‘95 dhe ‘96 tregojnë një përzierje të përmbajtjes politike lidhur me emancipimin e grave sikundër janë lufta për pavarësi dhe arsimim. Po ashtu ka seksione të kushtuara tipareve që shihen si “femërore”, sikur moda dhe gatimi. Këto gjëra duket se kanë pasur përparësi prej dekadës së parë të shekullit XXI deri në ditët e sotme. Duke filluar nga ballinat e Teutës – të cilat gjithmonë paraqesin një këngëtare, aktore apo modele të bukur – deri të këndet e zgjeruara të modës, faqet ishin të mbushura me fotografi, edhe në artikujt që në fakt kishin tema të rëndësishme.

E pyeta stafin e Teutës për misionin e revistës. Ata më thanë se e përdorin këtë medium për të ndihmuar adresimin e vështirësive të grave, rritjen e përfaqësimit të grave në media dhe insistimin në idenë se demokracia nuk ka kuptim pa fuqizimin e grave. E gjithë kjo është në rregull, por kurrsesi nuk e pasqyron përmbajtjen e tanishme të revistës. Imazhet stereotipike për gratë, të përmendura më lart, duket se promovohen vazhdimisht në Teuta.

Numra të vjetër të revistës Teuta
Numra të vjetër të revistës Teuta

Në numrin veror të revistës, Sanije Gashi, kryeredaktorja e Teutës, pretendoi se pavarësisht vështirësive politike me të cilat ballafaqohet vendi, duke qenë se ishte verë, ky medium do të promovonte vetëm lajme pozitive. Qasja e saj tingëllon sikur një thirrje për “Vajzat duan vetëm të dëfrehen”, por edhe Cindy Lauper e ka ndryshuar tekstin në “Vajzat duan fonde të barabarta” duke iu referuar luftës për pagesë të barabartë për të njëjtën punë.

Edhe Kosovarja, edhe Teuta pretendojnë se janë revista familjare që adresojnë veçanërisht çështjet e grave. Një perspektivë e tillë është patriarkale për arsye se sheh gratë brenda kornizës shtëpiake. Porosia duket se është “çështjet e grave janë çështje familjare”; jo çështje të të drejtave të njeriut apo barazisë shoqërore. Përderisa nuk jemi të aftë ta shohim luftën për çlirimin e grave si luftë politike dhe të kërkojmë llogari nga njerëzit që promovojnë mesazhe dhe imazhe të dëmshme përmes marketingut gjinor, ne do të vazhdojmë të shkruajmë edhe për shumë dekada të tjera por nuk do të shohim rezultate domethënëse.

Revista Flatra dallon nga Teuta dhe Kosovarja edhe në formë, edhe në përmbajtje. Flatra përqendrohet në art, kulturë, psikologji dhe çështje gjinore. E pyeta kryeredaktoren e Flatrës, Bruna Merko, për këndvështrimin gjinor të revistës. Ajo pretendonte se burrave u kushtohet vëmendje e veçantë kur bëhet debati për gjini. Jo vetëm për arsye se burrat janë pjesë e problemit të pabarazisë gjinore, por edhe se ata mundohen t’i kenë edhe burrat edhe gratë si lexues. Merko pranon faktin se gazetarët janë ata që mbajnë status quo në revista të grave dhe nuk ndjekin diskurset më të reja mbi gjininë që përpiqen ta përmirësojnë përfaqësimin gjinor në media.

Pyetur se a ka Flatra një këndvështrim feminist, Merko pretendoi se revista druan përjashtimin e lexuesve burra po qe se ja vënë vetes etiketën e feministit. Kjo është zhgënjyese duke pasur parasysh se Flatra është orvatja më intelektuale për fuqizimin e grave përmes mediave masive. Mundësitë për ndryshimin e normave patriarkale dhe për humanizimin e roleve gjinore janë minimale kur synohet një qasje politikisht korrekte.

Gentlewoman, një revistë e re online, është një publikim i vetëshpallur feminist me përmbajtje nga aktiviste të reja nga Kosova dhe Shqipëria. Në përpjekje për krijimin e një shoqërie të barabartë dhe të drejtë, revista bën thirrje për shpërndarjen e storjeve të suksesit dhe storjeve frymëzuese. Por, a mundet vërtet shpërndarja e storjeve të suksesit të funksionojë për sfidimin e statusit inferior të grave në familje, institucione dhe shoqëri në përgjithësi?

Së bashku me entuziazmin e aktivisteve të reja feministe, një revistë feministe duhet ta ketë një agjendë feministe – çka nuk është aspak e lehtë. Kërkohet konsideratë e thellë dhe kategori të ndërlidhura shoqërore të gjinisë, racës, klasës shoqërore dhe seksualitetit, dhe kërkohen mesazhe radikale për rimarrjen e nocioneve konvencionale të feminitetit dhe atribute të grave.

GentleWomen

Gentlewoman i mungon qajsa dekonstruktive ndaj këtyre dukurive kulturore dhe politike, gjë që ka çuar (pa dashje) në komente raciste në një nga artikujt e saj, ku autorja pretendoi se dhuna është tipar i qenësishëm te gratë me lëkurë të zeshkët (në mënyrë specifike Rihanna!).

As që dua ta zgjat me “tekste rozë” të cilat me fokusin e tyre në modë, bukuri dhe amësi ofrojnë gjithë atë çfarë dikush duhet të dijë për mungesën e plotë të grave nga jeta publike dhe politike, në vendimmarrje dhe pavarësi.

Seksi, seksualiteti apo mungesa e tyre

Përmbajtja për seksin dhe seksualitetin mund të gjendet te Kosovarja dhe Teuta gjatë viteve ‘90, 2000, dhe vazhdon të jetë prezente në këto revista dhe revista të tjera sot. Por thuajse e gjithë ajo bie në kategorinë e sugjerimeve, sa i përket kujdesit riprodhues por edhe marrëdhënieve seksuale. Herë pas herë ka storje apo artikuj mbi burrat dhe gratë homoseksualë dhe transgjinorë. Por, nuk ka thirrje revolucionare për zotërimin e trupave tonë, seksualiteteve tona, për kërkimin e kënaqësisë dhe ruajtjen e kësaj të drejte.

Më kujtohet që skuqesha dhe hutohesha nga “faqja e errët” te Kosovarja. Ishin dy faqe me sfond të zi që mësonin për kënaqësinë seksuale. Kjo përmbajtje nuk është e keqe si e tillë, dhe ato u përfshinë në numrat e pjesës së dytë të viteve ‘90. Këshillat e Kosovares ishin për kënaqësinë e ndërsjellë, por emri i këtij seksioni ndillte mister dhe nëse dikush të zinte duke e lexuar, ti ndiheshe fajtore.

Këshilla seksi me fotografi të grave në veshje të brendshme nuk është se si duket çlirimi seksual i grave. Është dashur një kohë shumë e gjatë për rrënimin e teorisë së Frojdit për inferioritetin seksual të grave, për sfidimin e nocioneve të dëmshme të ndryshimeve seksuale në botime dhe literaturë universitare – gjë që është ende problem në Universitetin e Prishtinës – dhe për ta diskredituar mitin e dëlirësisë. Por lufta vazhdon mbi konceptin e dhënies së pëlqimit për seks, mbi zgjedhjen e lirë riprodhuese, mbi problemet e komunitetit LGBTQI e kështu me radhë. Seksualiteti është pjesë qenësore e diskursit të fuqizimit gjinor. Sidoqoftë, atij i jepet pak a fare hapësirë në këto revista të grave.

Revista Kosovarja në ditët e sotme
Revista Kosovarja në ditët e sotme

Romantizimi i përdhunimit

Si adoleshente kujtoj artikullin “Kush e dhunoi Doruntinën” në një numër të Kosovares në vitin 1997. Tregonte storjen e një vajze 18 vjeçare që ishte përdhunuar nga dy burra dhe pastaj bëri vetëvrasje. Më frikësoi dhe më zemëroi njëkohësisht. Aty diskutohej hapur për përdhunimin dhe pasojat shkatërrimtare. Autori pyeste se “kush ishin burrat” dhe bëri thirrje që fajtorët të kapeshin para se ta dëmtonin ndonjë vajzë tjetër. Artikulli nuk e fajësonte viktimën, nuk thërriste që vajzat të kujdesen se çfarë veshin dhe kujt i flasin, ishte për dorasin dhe përdhunimin si krim.

Në të kundërtën, nëse shikon sot versionin online të Kosovares, përdhunimi romantizohet, dhe paraqitet thuajse sikur tema drame apo ‘kënaqësie të fajshme’ që mund t’i lexojmë dhe t’i bëjmë llaf në kafeteri. Artikujt të llojit të “Vjehrri më përdhunonte kur të gjithë flinin gjumë” apo “E takova në lokal, ai më mori në shtëpi dhe më përdhunoi”, e bëjnë përdhunimin të tingëllojë si çështje private, një përvojë individuale e një vajze apo gruaje të pakujdesshme dhe të heshtur. Artikujt e këtillë nuk duhet të nënvlerësohen si “shtyp i keq” meqenëse kontribuojnë në ‘kulturën e përdhunimit’, ku kontrolli i trupave të grave nga burrat është normë, ku faji vihet te pakujdesia e grave , ku storja përfundon në një narracion përshkrues dhe nuk ka thirrje kundër dhunës dhe abuzimit.

***

Revistat e grave mund të bëjnë gjithçmos veç të vajtojnë në mënyre pasive dhe të promovojnë nocione sipërfaqësore të pavarësisë. Ato duhet të kenë qasje revolucionare dhe të papenduar.

Artikujt duhet t’i atribuojnë gruas rolin e saj në nivel shoqëror dhe institucional; dhe përmbajtja duhet të dekonstruktojë pushtetin dhe status quo-në e roleve të pabarabarta gjinore.

Revistat e sotme në Kosovë mund të thonë se kryesisht ofrojnë zbavitje përmes temave të zakonshme që mund të jenë me interes për gra dhe burra. Por, një revistë e shekullit të 21 që mbështet fuqizimin e grave nuk ka kuptim pa një këndvështrim feminist.

Keni parasysh revistën Bitch Media (e cila rimerr fjalën “bitch” si kundërpërgjigje nga përdorimit mizogjen të termin në kulturën e sotme), Ms. Magazine (për parëndësinë e statusit martesor të grave), Feministing (që vepron drejt ndryshimit revolucionar të statusit të grave), Bust (zbavitje nga perspektiva feministe), e kështu me radhë. Storjet dhe fotografitë në këto revista mëtojnë t’i shpërbëjnë format e padukshme të dhunës ndaj grave, qoftë seksizmin, racizmin apo homofobinë, ato përpiqen t’i sfidojnë nocionet e feminitetit dhe maskulinitetit dhe ofrojnë një perspektivë të lirisë për të gjitha gjinitë.

Tekstet e këtilla duhet po ashtu t’i ofrohen lexuesve në Kosovë. Meqenëse mediat kontribuojnë në ndryshimin e paradigmës për përfaqësim gjinor, është e mundur që tekstet revolucionare të shpërfaqen ndër shkrimtarë dhe gazetarë të rinj.

Çfarë do të ishe më mirë se të ndeshësh vazhdimisht në mesazhe dhe fotografi që promovojnë imazhe jokomerciale të të qenurit grua dhe role stereotipike gjinore, çfarë do të ishte më mirë se të promovohej seksualiteti në mënyrë konstruktive, dhe të jenë lexueset dhe shkrimtaret gra kontribuueset kryesore në rritjen e alfabetizmit dhe fuqizimin e tyre?!

Prej viteve të 70-ta, gratë kosovare janë pushtuar nga imazhet e grave punëtore, amvisave, patrioteve dhe mbretëreshave të bukurisë. Mbase është koha që gratë radikale ta marrin fjalën.

 

Shënim: Ky artikull u shkrua dhe publikua origjinalisht në gjuhën angleze në Prishtina Insight, ndaj ky variant i tij i përkthyer dhe përshtatur në shqip mund të mos jetë tërësisht besnik i origjinalit, sidomos sa i takon idiomave apo shprehive që janë pjesë e kulturës anglishtfolëse.