Gjykimi ndaj Haxhi Shalës dhe Ismajl Kurteshit për hedhje të gazit lotsjellës

 

Në seancën ndaj Haxhi Shalës dhe Ismajl Kurteshit, të akuzuar nga Prokuroria për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në pozitën zyrtare, mbrojtja ka kundërshtuar cilësimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës si e dëmtuar.

Prokurori i rastit, Menduhi Kastrati deklaroi se Kuvendi i Republikës së Kosovës, përkatësisht deputetët e tij janë palë e dëmtuar si pasojë e veprimeve të të akuzuarve.

“Dihet se me akuzën e gazit për të akuzuarit, deputetët dhe stafi administrativ i Kuvendit mund të kenë pësuar lëndime trupore, e po ashtu është penguar dhe në tërësi puna e deputetëve. Në këtë rast konsiderojmë se Kuvendi i plotëson atributet si palë e dëmtuar”, tha prokurori Kastrati.

“Sa i përket Policisë së Kosovës, konsiderojmë se të njëjtit përballen çdo ditë me situata ku ballafaqohen me pengim të tyre në kryerjen e detyrës zyrtare, Policia jo domosdoshmërisht është palë e dëmtuar, andaj Policia në këtë rast nuk konsiderohet që është palë e dëmtuar”, shtoi ai.

Mbrojtësja e Ismajl Kurteshit, Teuta Zhinipotoku tha se nuk konsiderojnë se në këtë rast ka palë të dëmtuar.

“Prokuroria është dashur që të na sqarojë, se në çfarë vendi Kuvendi dhe punëtorët janë dëmtuar. Cilët janë personat që kanë pësu dëmtime dhe çfarë dëmtime kanë pësu, s’kemi raport mjekësor çfarë lëndime kanë pësu Kuvendi dhe deputetët e tij”, tha avokatja Zhinipotoku.

“Po që se është përdorë gazi lotsjellës, Gjykata e Apelit më datë 9 nëntor 2015, kishte vendosë në bazë të ekspertizës së toksikologjisë se gazi lotsjellës nuk paraqet rrezik për jetën dhe shëndetin e njeriut”, shtoi ajo.

Ndërsa Ismajl Kurteshi tha se sipas mendimit të tij, Gjykata merr vendime në bazë të fakteve e jo të supozimeve.

“Prokurori në fjalën e tij pos tjerash tha se ndonjë nga deputetët, mund të kenë pësuar dëmtime fizike, kjo që e ka thënë prokurori është supozim nuk është fakt. Me sa di unë Gjykata merr vendime në bazë të fakteve e jo supozimeve”, tha Kurteshi.

Ndërsa mbrojtësi i Haxhi Shalës, Naser Sopjani tha se Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk mund të jetë palë e dëmtuar në këtë çështje penale.

“Në këtë rast ne vlerësojmë se veprimet e Prokurorisë janë ato që kanë ndërhyrë në punën e Kuvendit, pasi Kuvendi ka mekanizmat e vet edhe për të filluar procedurë disiplinore ndaj deputetëve dhe ndaj atyre që e vlerëson se janë duke e penguar punën e Kuvendit”, tha avokati Sopjani.

Në këtë seancë kanë munguar përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, ashtu që për këtë arsye seanca u shty për 2 shtator.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Ismajl Kurteshi e Haxhi Shala, më datë 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në Sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, të pandehurit me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim.

E këtë thuhet se e kanë bërë, në atë mënyrë që po sa ka filluar seanca dhe derisa Kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të pandehurit në vendin ku ishin të ulur kanë aktivizuar gazin lotsjellës me të cilin kanë pamundësuar mbajtjen e seancës.

Me këtë secili veç e veç kanë kryer veprën penale, përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm

I pandehuri Haxhi Shala më datë 17 nëntor 2015, rreth orës 11:40 në momentin kur pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Isuf Xhemajli, Mehdi Kozhani, Rifat Gashi, Ali Berisha dhe Faik Krasniqi kanë tentuar që ta shoqërojnë në polici Albin Kurtin, i pandehuri me deputetët të tjerë e pamundësojnë shoqërimin e tij.

Me këtë në vazhdimësi ka kryer veprën penale, pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare

I pandehuri Ismajl Kurteshi në kohë, vend dhe mënyrë si në dispozitivin I. të kësaj aktakuze, i pandehuri ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

E këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që, në momentin kur ka filluar seanca plenare në Sallën Plenare, i pandehuri me qëllim që ta pengojë mbajtjen e asaj seance, ka hedhur gazin lotsjellës me çka ka pamundësuar mbajtjen e seancës.

Me këtë ka kryer veprën penale, pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

I pandehuri Ismajl Kurteshi ka qenë në arrest shtëpiak nga data 30 nëntor 2015, ndërsa nga data 14 dhjetor 2015 kjo masë i është shndërruar në masën e paraburgimit deri më 30 dhjetor 2015.

Ndërsa i pandehuri Haxhi Shala ka qenë në arrest shtëpiak nga data 30 nëntor 2015, deri me 30 dhjetor 2015.