Hava Bosno (majtas) më fëmijët dhe bashkëshortin e saj Esadin, i cli u dëbua dhe u vra. Foto kortezi e Hava Bosno.

Mali i Zi shmang përkujtimin e viktimave të dëbimeve gjatë luftës

Familjet e 66 refugjatëve kryesisht boshnjakë, të cilët iu dorëzuan trupave serbe të Bosnjës nga Mali i Zi në vitin 1992 dhe më pas u vranë, kërkojnë ngritjen e një monumenti për të dashurit e tyre, por autoritetet duken të pritura ta shmangin përballjen me krimet e kaluara.

 

“Do të kishte shumë rëndësi për mua, fëmijët e mi, për të gjithë… Unë mendoj se do të ishte mirë që shteti i Malit të Zi ta bënte këtë në mënyrë që brezat e ardhshëm të dinë se dikur kishte njerëz të tmerrshëm që vranë disa njerëz të pafajshëm. Në këtë mënyrë, kjo nuk do t’i ndodhë më askujt në botë.”

Hava Bosno po shpjegon pse ajo beson se autoritetet malazeze duhet të ngrenë një monument në nder të të paktën 66 refugjatëve kryesisht boshnjakë nga Bosnja dhe Hercegovina – burri i saj Esadi mes e tyre – të cilët iu dorëzuan policia në qytetin malazez të Herceg Novit tek Ushtria armiqësore Serbe e Bosnjës dhe më pas u vranë.

I pari nga dy grupet e refugjatëve u dorëzua më 25 maj 1992. Ata u dëbuan me autobus në një kamp të drejtuar nga serbët në Foca në lindje të Bosnjës. Vetëm disa prej tyre mbijetuan.

Më 27 maj 1992 maj, një grup tjetër refugjatësh u dërguan në një vend të panjohur në Bosnjën Lindore. Më pas u mësua se ata ishin vrarë. Eshtrat e shumë prej tyre nuk janë gjetur ende.”

Imagjinoni kur dikush të merr babanë ose bashkëshortin, para syve të tu, dhe e çon atë drejt vdekjes”, tha Bosno. “Pas shumë vitesh, ne varrosëm disa eshtra të tij, të cilat u gjetën diku afër Beogradit.”

Familja ishte transferuar në Malin e Zi nga Srebrenica në Bosnje pikërisht për të shmangur çdo përfshirje në luftë, shpjegoi Bosno, e cila tani jeton në Suedi.”

Ne nuk bëmë asgjë. Po përpiqeshim thjesht të shpëtonim. Burrat tanë nuk morën pushkë për të luftuar, por vendosën të linin pas gjithë atë të keqe që po përgatitej”, tha ajo.

Hazbia Begiç, bashkëshorti i së cilës Asimi gjithashtu u mor që aty, shkoi në komisariatin e policisë në Herceg Novi me Bosnon që të përpiqeshin të merrnin vesh se çfarë kishte ndodhur me të dy bashkëshortët e tyre.”

Kur mbërritëm në polici, një oficer policie na doli përpara dhe na pyeti: “Çfarë dëshironi?”, kujton ajo. “Ne pyetëm për njerëzit tanë dhe ai na u përgjigj pa respekt, duke parë orën e tij dhe na tha: ‘Nëse nuk largoheni që këtu për pesë minuta, do të shkoni diku tjetër, njësoj si njerëzit tuaj.’”

Të nesërmen, të dy gratë shkuan të takonin shefin e policisë, i cili “tundi një copë letër dhe tha se ishte një listë e të gjithë kriminelëve që do të merreshin në Mal të Zi dhe do të dëboheshin në komunat e tyre të lindjes”, tha ajo.

Edhe kunata e Hazbia Begiç, Bahrija Begiç, bashkëshorti i së cilës Azemi u mor, tha se ajo erdhi edhe në Herceg Novi fillimisht si refugjate nga Bosnja me burrin dhe dy vajzat në përpjekje për të shmangur luftën.

Bahrija Begiç, e cila gjithashtu jeton në Suedi tani, kujtoi se policia e morri burrin e saj në pyetje më 23 maj 1992 dhe se ai nuk u kthye më kurrë.”

Një makinë e zakonshme parkoi në oborr dhe pas asaj erdhi edhe një makinë policie. Nuk mbaj mend si ishin policët që mbërritën, por mbaj mend çdo tipar në fytyrat e burrave që zbritën nga makina e zakonshme. Ata ishin trupmëdhenj. Mbaj mend zinxhirët prej floriri, kokat e rruara dhe shikimet e tyre të ashpra”, tha ajo.

“Na u kërkua të dorëzonim kartat e identitetit sa më shpejt të ishte e mundur. Unë vrapova në shtëpi për të gjetur letrat tona dhe im shoq qëndroi jashtë. Kontrollova në panik, gjeta kartat e identitetit dhe u ktheva jashtë, por im shoq nuk ishte në oborr. Ai ishte në makinë… Ata më thanë me një zë të ftohtë se ishte thjesht një “kontroll rutinë” dhe u larguan.”

Të nesërmen ajo shkoi në komisariat për të pyetur se përse po e mbanin burrin e saj. Shefi i policisë e dëgjoi atë, por nuk i dha asnjë përgjigje. Oficerët e tjerë e ofenduan atë, e mallkuan dhe më pas e shoqëruan jashtë.”

Më ofenduan dhe poshtëruan, por pas disa orësh u ktheva përsëri… Më priti oficeri i turnit dhe më dëgjuan përsëri. Për herë të parë, ata më dhanë shumë shpresë. Më thanë të paketoja ushqime, rroba dhe këpucë më të ngrohta sepse im shoq do të kishte nevojë për këto. Po paketoja gjërat, e lumtur se ai ishte gjallë”, tha ajo.”

Atë mbrëmje mora çantën”, vazhdoi ajo. “Ia dorëzova atë policit që ishte në detyrë te sporteli. Qëndrimi, shprehja dhe mënyra se si ai e hodhi çantën time në dysheme më tha gjithçka. Ai thjesht shtoi: ‘Largohuni nga stacionin sa më shpejt të jetë e mundur, përndryshe pastaj radhën e keni ju.’”

Begiç tha se ajo kurrë nuk e kuptoi se kur u vra saktësisht burri i saj, kush e vrau atë ose pse. Trupi i tij u gjet në Sremska Mitrovica në Serbi në qershor 1992, por u identifikua vetëm në vitin 2005.”

Kampionet e ADN-së nga vajzat e mia, të cilat tani janë gra të rritura, konfirmuan se ishte ai”, tha Begiç.

Në vitin 2005, ajo paditi shtetin e Malit të Zi dhe fitoi. “Ata e pranuan gabimin e tyre, se ata kishin faj. Ky është një hap i madh drejt drejtësisë, edhe pse nuk do të vendoset kurrë plotësisht drejtësi”, tha ajo.

“Unë dhe vajzat e mia u kompensuam për këtë nga shteti i Malit të Zi. A mund ta shlyej kjo shumë parash humbjen e bashkëshortit tim, të babait të vajzave të mia? Përgjigja ime është jo, nuk mundet. Ajo dhimbje nuk mund të kompensohet kurrë.”

Një marrëveshje gjyqësore me 200 të afërm të viktimave dhe disa të mbijetuar u arrit në dhjetor 2008, pas gati katër vjet procesi gjyqësor për dëmet. Mali i Zi i pagoi gjithsej 4,135,000 euro kompensim familjeve për veprimet e paligjshme të policisë malazeze.

Begiç shpreson se njerëzit do të mësojnë diçka nga ajo që ndodhi në vitin 1992: “Jeta e njeriut dhe të drejtat e njeriut duhet të jenë mbi gjithçka – mbi kombin, fenë, gjininë ose ngjyrën e tyre lëkurës”, tha ajo.

“Të gjitha viktimat e pafajshme duhet të kenë një monument “

Në vitin 2011, një grup OJQ-sh i shkroi kryetarit të parlamentit malazez dhe krerëve të grupeve të deputetëve të partive të ndryshme duke kërkuar që të caktohet një ditë përkujtimore në Mal të Zi për viktimat e dëbimeve të vitit 1992.

Human Rights Action, Qendra për Edukim Qytetar, ANIMA – Qendra për Edukimin e Grave dhe Paqes dhe Këshilli për Kontrollin Civil të Punës së Policisë gjithashtu kërkoi që të ndërtohet një monument para ndërtesës së drejtorisë së policisë në Herceg Novi.

OJQ-të kërkuan gjithashtu që policia malazeze të kërkojë ndjesë për sjelljen e saj të paligjshme në arrestimin dhe dëbimin e refugjatëve. Asnjë nga kërkesat e tyre nuk u përmbush.

Në shtator 2018, ata i dërguan përsëri një kërkesë për një monument për viktimat kryeministrit malazez, ministrit të punëve të brendshme dhe atij të kulturës, kreut të këshillit bashkiak të Herceg Novit dhe të gjithë këshilltarëve të tij.

Vetëm ministria e kulturës u përgjigj, duke thënë se fillimisht kërkesa duhej të aprovohej nga komuna që më pas të mund të bëhej diçka.

Në qershor 2015, komuna e Herceg Novit i kërkoi qeverisë dhe ministrisë së kulturës të të interpretonin dispozitat e dy neneve në Ligjin për Monumentet, por nuk mori përgjigje. Komuna vuri në dukje se ligji thotë se nuk mund të ndërtohet një monument pa kaluar 50 vjet nga dita në të cilën ndodhi ngjarja që përkujton ai monument, vetëm në rast se qeveria jep lejen e saj për ngritjen e tij. Ai gjithashtu vuri në dukje se kërkohet pëlqimi i drejtorisë së policisë nëse monumenti do të ngrihet janë ndërtesës së saj.

Nëse këto kushte përmbushen, zyra e kryetarit të komunës së Herceg Novit tha se ajo do të ishte e gatshme të vazhdonte përpara me nismën, “sepse ne besojmë se duhet të ngrihet një monument adekuat për të gjithë viktimat e pafajshme të luftërave të viteve 1990”, tha ajo për BIRN.

Zyra e kryetarit të komunës gjithashtu vuri në dukje se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga autoritetet përkatëse shtetërore për nismën që iu paraqit atyre në vitin 2015 nga Shoqata e Veteranëve të Luftës në Komunën e Herceg Novit, e cila dëshironte ndërtimin e një monumenti për 25 ushtarë që u vranë në luftën e viteve 1990 .

“E gjithë kjo na çon në përfundimin se shteti nuk ka vullnetin për të ngritur të gjithë monumentet e lartpërmendura dhe arsyeja që ne shohim për këtë është se autoritetet shtetërore që drejtonin Malin e Zi në vitet 1990, kur ndodhën këto ngjarje, janë të njëjta e ato që janë në pushtet edhe sot”, tha zyra e kryetarit.

Partia Demokratike e Socialistëve ka qenë në pushtet në Mal të Zi që nga viti 1990. Kryetari i saj Milo Djukanoviç ishte kryeministër në kohën e dëbimeve të refugjatëve në vitin 1992 dhe tani është presidenti i Malit të Zi. Herceg Novi është një nga disa qytetet në të cilat opozita është në pushtet në nivel lokal.

Propozimi për një monument do të diskutohej në asamblenë komunale Herceg Novit në vitin 2015, por nuk u përfshi në rendin e ditës për seancën e këshillit sepse nuk mori shumicën e nevojshme të votave.

Këshilltarët nga Partia Demokratike e Socialistëve, Lista e Qytetarëve Izborand Novska abstenoi, ndërsa ata nga Partia Popullore Socialiste dhe Mali i Zi Demokratik nuk ishin në sallën e asamblesë gjatë votimit.

Dragan Simrak ishte një këshilltar me Partinë Social Demokrate në atë kohë dhe propozoi që nisma të përfshihej në rendin e ditës të seancës së këshillit. Tani ai është menaxheri i komunës së Herceg Novit dhe tha se ky është momenti i duhur për të vazhuar para me idenë e këtij monumenti.

“Duhet vetëm pak vullnet politik për ta zbatuar këtë. Fatkeqësisht, nuk ka pasur vullnet as në nivel shtetëror dhe as në nivel komunal. Kjo është e qartë”, tha Simrak.

Por drejtoresha e ANIMA – Qendra për Edukimin e Grave dhe Paqes, Ljupka Kovaceviç, këmbënguli se asnjë përfaqësues i partive politike që pretendonte se mbështeste ballafaqimin me të kaluarën nuk ka bërë asgjë për të çuar para nismën për ngritjen e një monumenti.

“Nuk ka pasur asnjë forum publik, asnjë diskutim, as edhe një lloj veprimi. Ata mendojnë se mjafton që ata janë politikisht ‘pro kësaj’”, tha Kovaceviç.

“Të gjithë të pandehurit u liruan nga akuzat”

Njëzet e tetë vjet më pas, askush nuk është dënuar ndonjëherë për dëbimet. Nëntë ish-policë, policë të ministrisë së brendshme dhe të sigurimit të shtetit, u gjykuan për krime lufte kundër civilëve, por u liruan nga akuzat.

Ata u liruan nga akuzat nga Gjykata e Lartë në Podgoricë në vitin 2012 dhe vendimi u konfirmua nga Gjykata e Apelit në vitin 2013. Gjykata vendosi se të akuzuarit vepruan në mënyrë të paligjshme, por se nuk kryen krime lufte, as nuk morën pjesë në luftë në Bosnje dhe Hercegovinë në ndonjërën palë.

“Nën presionin e madh nga publiku dhe komuniteti ndërkombëtar, nëntë ish-punonjës shtetërorë u paditën në mënyrë jo të qartë dhe selektive, midis të cilëve nuk kishte as zyrtarë të lartë dhe as ata persona nga prokuroria që autorizuan arrestimet dhe dëbimet”, tha Tea Gorjanc Preleviç, drejtoreshë e Human Rights Action.

“Edhe pse ky nuk ishte një nga krimet më të mirë dokumentuara ndonjëherë, të gjithë të pandehurit u liruan nga akuzat”, shtoi Gorjanc Preleviç.

Ajo tha se deri më sot, prokuroria nuk ka bërë asgjë për të shqyrtuar gabimet që ajo bëri në këtë çështje dhe për të përcaktuar se kush tjetër mund të akuzohej.

Në emër të gjashtë nënave, grave dhe motrave të viktimave, Gorjanc Preleviç ka ngritur një padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke akuzuar Malin e Zi për “mosvendosje drejtësie penale në këtë rast dhe për mungesë respektimi të të drejtës së njeriut për jetën, si edhe për mosparandalim të torturave”.

Procedurat janë ende në vazhdim dhe të mbyllura për publikun, por Gorjanc Preleviç tha se ajo beson se paditësit kanë “një shans të madh për të pasur sukses”.

Që nga viti 2010, Human Rights Action ka organizuar gjithashtu tubime përkujtimore të përvitshme për viktimat e dëbimeve para ndërtesës së policisë në Herceg Novi.

“Kjo nuk e ndihmon Malin e Zi në rrugën e tij europiane”

Kovaceviç tha se ndërkohë që shteti ka kompensuar familjet e viktimave dhe në këtë mënyrë ka pranuar se është kryer një krim, ai “nuk ka pranuar përgjegjësinë për këtë krim dhe nuk i ka gjetur fajtorët”.

Komisioni Europian, në raportet e tij për progresin e Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE, ka thënë vazhdimisht se një nga kushtet që vendi duhet të përmbushë është të përballet me të kaluarën e viteve 1990 dhe të ndëshkojë ata që janë përgjegjës për krimet e luftës.

Raporti më i fundit i komisionit vuri në dukje se që nga viti 2016 nuk është hapur asnjë raste e re për krime lufte dhe se katër raste, përfshirë rastin e dëbimit të refugjatëve, mbeten në fazën e hetimit paraprak.

E pyetur nëse ngritja e një monumenti për viktimat e dëbimeve do të ketë një ndikim pozitiv në progresin e vendit drejt anëtarësimit në BE, Gorjanc Preleviç u përgjigj se kjo gjë do të ishte mirë për zhvillimin demokratik të Malit të Zi në përgjithësi.

“Krimet e të kaluarës duhet të pranohen, të ndëshkohen dhe të shënohen, pa përjashtim, dhe të futen siç duhet në edukimin e brezave që do të vijnë. Vetëm kjo do t’u japë atyre mundësinë që të mos përsërisin krime të tilla, gjë që natyrisht është në interes të Bashkimit Europian”, tha ajo.

Kovaceviç tha se ajo beson se një monument mund të shërbejë si një bazë për pajtimin e komuniteteve të ndara të kombësive të ndryshme etnike në vend dhe të ndihmojë për të mundësuar një zhvendosje nga “mentaliteti luftëtar” dhe patriotizmi i rremë.

Kjo mund të shërbejë gjithashtu si një paralajmërim se njerëzit janë të detyruar të refuzojnë të zbatojnë urdhra që shkaktojnë krime lufte ose shkelje të tjera të të drejtave të njeriut, argumentoi Tamara Milas, koordinatore e programit për të drejtat e njeriut në Qendrën për Edukim Qytetar.

“Malin e Zi nuk e ndihmon në rrugën e tij evropiane fakti që as ky krim lufte nuk është ndëshkuar në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe atë vendor”, tha Milas.

“Shënimi i 27 majit si një ditë për të kujtuar viktimat e dëbimit nuk do të ishte vetëm përkujtim i 66 viktimave, por edhe një mundësi për të theksuar detyrimin e të gjithë shoqërisë që së bashku të forcojnë idetë e drejtuara kundër urrejtjes që çoi në këtë krim”, shtoi ajo.

Hava Bosno, bashkëshorti i së cilës ishte midis viktimave, tha se ajo ende nuk e kupton pse ai u dëbua dhe u vra, dhe se ajo është ndjerë e lënduar nga qëndrimi i autoriteteve malazeze që nga ajo kohë.

“Ata më morën një pjesë nga vetja ime, një njeri që e doja. Ata më morën babanë e fëmijëve të mi”, tha ajo.

“Gjëra të tilla të tmerrshme nuk duhet të ndodhin më. Sidomos jo për njerëzit e pafajshëm.”

 

Ky artikull u realizua si pjesë e skemës së granteve të Drejtësia Tranzicionale në Ballkan e BIRN, mbështetur nga Komisioni Europian.