Lidhjet e drejtorëve në ATK-së me bizneset

Dhjetëra lidhje në mes bizneseve dhe zyrtarëve të ATK-së janë konstatuar në analizën e tretë të BIRN dhe D+.

 

 

Analiza shpërfaqë lidhjet aksionet e drejtorëve të rajoneve ndihmësdrejtorëve e stafit tjetër të ATK-së me biznese dhe deklarues tatimor.

Analiza e tretë vjen pas publikimit të dy analizave të tjera të cilat po ashtu kanë shpërfaqur lidhje të zyrtarëve të lartë të ATK-së me biznese.

Analiza tregon se ndihmës drejtori i ATK-së ne rajonin e Ferizajt, Fehmi Veselaj ka deklaruar se fëmijët e tij kanë aksione në tre kompani private.
Veselaj ka deklaruar se familja e tij posedon 100% të aksioneve në kompaninë NTSH  Vigani, si dhe 51% të aksioneve në kompaninë Extra Fix Shpk dhe 33% në kompaninë Tirana Group Shpk.

Ai ka deklaruar se pasuria e tij kap vlerën e mbi 200 mijë eurove, duke përfshirë një shtëpi, tokë, male, veturën Audi Q5 dhe 46 mijë euro, para të gatshme në bankë.

Ndihmës Drejtori tjetër Fadil Gashi, në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se ka pasuri në vlerë milionëshe. Pasuria të cilën e ka deklaruar e tejkalon shumën e 1.5 milion eurove.

Ai ka deklaruar se ka një banesë, tokë në vlerë rreth 200 mijë euro, shtëpi në vlerë 600 mijë euro, dy lokale afariste, dy vetura në vlerë mbi 30 mijë euro. Lidhja e tij biznes shfaqet tek lokali të cilin e ka lëshuar me qira.

Lidhje të mundshme me biznese ka deklaruar edhe Menaxheri Ukshin Rrecaj. Ai ka deklaruar se dy fëmijët i ka të punësuar në ndërmarrje private emrin e të cilave nuk e ka bëre të ditur.

Pasuria të cilën menaxheri Rrecaj e ka deklaruar e tejkalon shumën e 380 mijë eurove dhe përbehet prej 3 banesave, toka në vlerë 250 mijë euro, dhe dy vetura në vlerë 22 mijë euro.

Pasuri dhe lidhje me biznese e politik ka deklaruar se ka edhe ndihmës drejtoresha Diamanta Skenderi.

Skenderi ka deklaruar se bashkëshorti i saj paguhet për konsulencë në AAK,  si dhe i njëjti punon në kolegjin UBT. Pasuria të cilën drejtoresha e ka deklaruar kap vlerën e mbi 320 mijë euro në të cilën përfshihen tre apartamente, një shtëpi dhe një veturë Shkoda Octavia.

Pasuri milionëshe, lidhje me biznes deklaroj edhe zëvendës drejtori Burim Troni. Pasuria të cilën e ka deklaruar ai tejkalon 1.8 milion euro përfshirë tokën mbi 1.5 milion euro, shtëpi në vlerë 110 mijë euro, lokal 100 mijë euro dhe një banesë në vlerë 65 mijë euro.

Lidhjet e tij me biznese shfaqen tek dy bizneset në të cilat aksionar është prindi i tij.

Troni ka deklaruar se prindi i tij ka aksione në NLB dhe në kompaninë Cement Plus.

Ndërsa ushtruesja e detyrës së drejtorit Melihate Godanci Haxhiu në AKK, ka deklaruar se pasuria e saj kap vlerën e 120 mijë eurove. Lidhja e saj e mundshme me tatimpagues shfaqet te fakti se bashkëshorti i saj punon në bankën TEB.

Godanci ka deklaruar se ka në pronësi një banesë, një shtëpi të cilën e ka vlerësuar 11.500 euro, tokë dhe një veturë.

E Valdet Shala përpos pasurisë rreth 470 mijë euro të deklaruar në AKK, ka deklaruar edhe të ardhurat nga lindja dhe synetia e fëmijëve. Rreth 2 mijë euro është shuma të cilën e ka deklaruar si dhurata drejtori Shala. Ai ka deklaruar se ka në pronësi edhe 2 banesa, një shtëpi dhe një tokë si dhe rreth 8 mijë euro para të mbajtura kesh jashtë banke.

Shaip Arifi, Auditor i brendshëm në ATK, ka deklaruar se ka pasuri të perbashket me vëllezër në vlerë 150 mijë euro. Ai ka deklaruar se ka 13 mijë euro para të gatshme në bankë . Lidhja e tij e mundshme me biznes shfaqet tek lokali të cilin e ka dhënë me qira ndërsa emrin e qiramarrësit nuk e ka bëre të ditur.

Katër shtëpi, tokë, lokal dhe dy vetura ka deklaruar se i ka ndihmës drejtori Ramadan Kryeziu. Ai ka deklaruar se pasuria e tij është pronë e përbashkët dhe kap vlerën e 937 mijë euro duke mos e llogaritur vlerën e 10 hektarë tokë të cilat i ka deklaruar me vlerë zero.

Lidhje me biznes janë shfaqur edhe në deklarimin e ndihmës drejtoreshës Adrijana Latifi. Ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj posedon aksione në “Olt Petrol”. Vlera e pasurisë të cilën Latifi e ka deklaruar është rreth 270 mijë euro duke e përfshirë edhe kapitalin në euro tek biznesi “OLT Petrol”.

Menaxheri Bashkim Hyseni ka deklaruar se kompania “Global Construction” i ka borxh shumën prej 13 mijë eurove të cilat ai ki kishte paguar për një banesë por që kompania nuk e ka ndërtuar asnjëherë objektin. . Pasuri të cilën Hyseni e ka deklaruar në AKK kap vlerën e 50 mijë eurove. Ajo përbehet prej një banese në vlerë 46500 euro dhe një veturë në vlerë 3500 euro.

Rreth 20 mijë euro borxhe ndaj personave fizik ka deklaruar se ka edhe menaxheri tjetër Azem Duraku.
Duraku ka deklaruar se ka në pronësi një banesë, shtëpi, tokë, lokal dhe një veturë golf 7. Ai ka deklaruar se ka të hyra vjetore edhe nga Qipro. Shuma të cilën e ka pranuar nga Qipro është 1737 euro.

Ky është publikimi i tretë në lidhje me deklarimet e pasurisë së zyrtareve të ATK-së.

Muaj më parë KALLXO.com, publikoje edhe lidhjet drejtuesve të lartë, dhe drejtorëve rajonal me biznese të ndryshme në Kosovë.

https://kallxo.com/gjate/analize/lidhjet-e-drejtoreve-te-atk-se-me-bizneset/

Këto publikime janë në kuadër të projektit në mes të Ambasadës Britanike në Kosovë dhe organizatave BIRN dhe Demokracy Plus, që ka për qëllim angazhimin në luftën  kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe ekonomisë informale.

(Raporti është edituar pas sqarimit të z. Besnik Skenderi)