Letër Redaktorit

Pa të, tregimi nuk do të ishte as i plotë dhe as i rëndësishëm.

I durueshëm e thelbësor, ai korrektoi dhe pasuroi përmbajtjen e gazetës, ndërsa drejtoi stafin në gjurmimin e informacionit të rëndësishëm në interes të publikut. Dhe, me entuziazëm, dizajnoi prezantimin e tij.

I dashur Lexues, ky Redaktor je – Ti.

Kur Presidentja Atifete Jahjaga vizitoi gjatë verës Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ne raportuam për qëndrimin e saj në një xhami në Abui Dhabi, ti shkrove se mbulesa që ajo kishte vënë në kokë nuk duhej quajtur ferexhe, por shami. Në një tjetër rast, kur publikuam aktakuzën e prokurorit ndaj “Grupit Limaj”, the se Fatmir Limaj gjatë luftës nuk njihej si “axha”, por si “daja”. Nëse dikush t’i bën korrektimet e këtilla në fytyrë dhe me arrogancë, edhe kur ka të drejtë, mund të të japë siklet. Mirëpo, kur ato vijnë prej njerëzve që shpesh nuk përdorin as emrin e tyre të vërtetë e që duan vetëm të bëjnë një përmirësim pa kërkuar asgjë prapa, të krijohet ndjenjë solidariteti dhe bindesh se ka shumë njerëz që kujdesen dhe e duan të mirën që tejkalon interesat e ngushta vetjake.

Me opinionet si “‘Fillet e së drejtës’ dhe gështenjat”, “Përfitimet nga kujdesi në një kohë pasigurie” ose “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, lexuesi pasuroi përmbajtjen e gazetës duke sjell interpretime lidhur me nivelin e demokracisë, mënyrën e shpenzimit të parasë publike dhe kualitetin e proceseve gjyqësore. Janë mirëpritur edhe letrat si kjo nga Peja, që kundërshtonte një raportim tonin në lidhje me një tender që komuna i kishte dhënë kompanisë së zyrtarëve të saj (edhe pse raportimi ynë doli të jetë i saktë), sepse mediat, si të gjithë anëtarët tjerë të shoqërisë, duhet të sfidohen për të vërtetën e tyre. Diversiteti e ushqen komunikimin dhe dobinë në sferën publike. 

Një shembull të veçantë të veprimit qytetar dha Luljeta Bexheti-Halimi nga Gjilani. Pasi njoftuam se në arkivat e vendit nuk gjendej numri i parë i gazetës “Rilindja”, kjo zonjë u paraqit dhe më vonë ua dorëzoi institucioneve një kopje që e mbante në bibliotekën private. Kjo flet qartë se qytetarët kosovarë kanë vullnet të sillen me përgjegjësi në komunitet.

Nëse qytetarët krijojnë besim, ata japin ide se si të organizohemi më mirë si shoqëri dhe si t’i luftojmë shkelësit e ligjeve të saj. Disa nga storjet tona më të mëdha — si “Restorant pa leje në zonën e ujvarës”, “‘Gabimi’ i kushtueshëm i investitorit nga Finlanda”, “Si mbetën 1600 udhëtarë të pambrojtur nga shteti” dhe “Kompania e themeluar nga kryeshefi i kadastrit kreu regjistrime pronash” — u sugjeruan nga lexuesi. Ai nuk e përcaktoi tërë politikën editoriale, por bashkë e plotësuam njëri-tjetrin.

Mbi të gjitha, vlerësimet e lexuesit kanë shërbyer si një mësues zemërgjerë. Për çdo javë, kemi shikuar performancën statistikore të artikujve. Të dhënat kanë treguar se për çfarë temash është i interesuar më shumë publiku. Ato kanë shtyrë të konsiderojmë kualitetin e paketimit të artikujve, që të lexohen më lehtë. Dhe më së shumti kanë treguar se shoqëria kosovare jep kredinë dhe nxit motivimin. Tekstet në të cilat është investuar më së shumti, kanë marrë zakonisht edhe reagimet dhe lexueshmërinë më të lartë. Shumë kanë folur për mungesën e shkollimit, emancipimit dhe mosinteresimit të lexuesit tonë. Në fakt, del se njerëzit që kanë marrë pjesë në sferën publike janë ata që nuk e kanë kryer shpesh punën e tyre si duhet.

Lexuesi ka treguar këtë vit se shoqëria jonë beson dhe e çmon punën që vazhdimësia e vërteton se është objektive dhe në interes të publikut.

Për Ty Lexues, faleminderit dhe urime Vitin e Ri!