Faktet

Fotografitë nga sallat e gjykimeve zakonisht krijojnë pamje të zymta. Mirëpo, thelbësisht, aktgjykimi i sotëm në rastin Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) – Sami Lushtaku dhe të tjerët, i nxjerr në Gjykatën Themelore të Prishtinës, është ngjarje inkurajuese për fjalën publike në Kosovë.

Një anë e kësaj ngjarje tregon kurajë. Nëse shteti ligjor është ai që synohet, çdo qytetar duhet të jetë i gatshëm dhe në dispozicion të prokurorisë kur ajo ndjen se ka arsye për të ndjekur një vepër të dyshuar. Kërkohet kohë, mund dhe energji për çdo njeri – sidomos në Kosovë dhe për gazetarët këtu – për t’i qëndruar besnik dhe për ta ndihmuar ligjin. Avokatët mbrojtës në gjykimin në fjalë dhe Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) kanë përmendur se ka raste të shumta të kërcënimit, frikësimit dhe veprave tjera ndaj gazetarëve. Prandaj, kuraja për t’i qëndruar në krah procedurës dhe kërkimit të përgjegjësisë është veprimi i duhur. Çdo ndërmarrje tjetër, përfshirë pranimin e kërkimfaljes së ofruar nga avokatët e të pandehurve, nuk do të kishte shkuar në përputhje me idealet e gazetarisë – të raportimit të thyerjes së ligjit dhe kërkimit të llogaridhënies për vepra përkatëse. Atëherë raportimi i shkeljeve nuk do të kishte kuptim dhe do të përbënte hipokrizi. Shumë gazetarë kosovarë flasin për sundim të ligjit dhe drejtësi, por në vepër ndonjëherë disa e bëjnë të kundërtën, ose kur vjen fjala për tek ata, tërhiqen, nuk bashkëpunojnë dhe bëhen si tërë pjesa tjetër dërrmuese e shoqërisë – në mosmbështetje të zbatimit të ligjit. Ky është shembull tjetër dhe diçka që duhet të ndiqet. Edhe kur përballemi me njerëz të fuqishëm dhe shkelës të provuar të ligjit nga e kaluara. Arsyetimet për të mos i besuar drejtësisë janë cinizëm dhe largim i mëtejmë i saj.

Ana tjetër ka të bëjë me faktet. Gjykata tha se nuk kishte fakte që ndërlidhnin drejtpërdrejt shkrimet e botuara në gazetën Infopress, në maj dhe qershor 2009, me kërcënime ndaj stafit të BIRN-it. Dhe askush nuk duhet të pësojë pa e merituar. Për këtë, duhet të pritet fjala përfundimtare e drejtësisë. Por, nëse për vepra kriminale kundër Lushtakut dhe të tjerëve gjykata vlerësoi se prokuroria nuk pati fakte, të pandehurit do të duhet të tregojnë faktet e tyre për atë se çfarë kanë shkruar e botuar, pasi përmes instrumenteve civile janë paditur nga pala e dëmtuar. Gjykata Themelore foli për shpifje dhe gjatë gjykimit në fjalë, edhe të pandehurit nuk kanë pasur mbështetje për pohimet e veta. Faktet do të mbesin temë. Të dëmtuarit kurrë nuk marrin shpërblimin e duhur, por drejtësia ia vlen të kërkohet, sepse përndryshe e keqja vetëm sa nxitet.

E fundit është sfera publike. Jetojmë dhe punojmë në një hapësirë të parregulluar mirë, ndonjëherë me pronësi të errët të mediave dhe me lehtësi të jashtëzakonshme botimi. Kjo e fundit, si sasi dhe mundësi, është në vetvete e mirë dhe dobiprurëse për demokracinë, por në anën tjetër edhe mjet për të shkaktuar viktima përmes shkeljes së dinjitetit, reputacionit dhe nxitjes së dhunës ndaj njerëzve. Rasti i Infopress-it, sikur edhe disa raste tjera të trajtuara nga gjykatat në muajt e fundit e që përfshijnë mediat, janë sinjale se po vjen një kohë kur ta quash dikë “spiun i Serbisë” dhe të bësh shpifje tjera, pa pasur argumente, do i sjellë autorët për të dhënë përgjegjësi. Të pandehurit e këtij rasti e dinë se ç’kokëçarje u ka sjellë ai. Ajo që kanë bërë ata është e gabueshme. Gazetarët duhet t’i mbajnë edhe autoritetet, edhe shpifësit përgjegjës dhe t’u sjellin kokëçarje të kësaj natyre. Një sferë publike e rregulluar mirë dhe që mbron njerëzit është në interes të të gjithëve.