Kam Drojë se Jam Artist

Kush prej nesh nuk do të donte të kishte gjëra e veçori që konsiderojmë se nuk i kemi? Edhe duke u nisur nga premisa që do të njihte pamundësinë e të qenit të përsosur, që për fillim është mjaft çliruese, edhe duke e njohur rolin e diversitetit në komunikime të dobishme, ne cytemi nga diçka e brendshme që, për ta hedhur fajin sa më larg e të mos e rëndojmë mjedisin tonë edhe me këtë, po lejojmë se vjen si trashëgimi që nga koha e njeriut ekskluziv gjahmbledhës. 

Hamendem se e njoh veten aq sa botën e jashtme. Dhe jam i bindur se këto drejtime gjithmonë do të bashkekzistojnë. Pra, i dashur lexues, ju tashmë e keni një ide, ndoshta fare të përafërt, se ç’vlerë do të kenë këta rreshta. Sidoqoftë, do të tregoja, nëse vendose të mbetesh këtu, se ka shumë të huaja që do të doja t’i kisha ose që do të besoja se i kam. Të pasurit dhe të besuarit është njëjtë. E vetëm disa prej tyre do t’i doja tash. Kjo nuk ka të bëjë me rrethin aq sa me rëndësinë që u jap gjërave, ndërsa prioritetet më ndërrojnë me kalimin e kohës. 

Do të doja të mund të flisja pa ndalë. E urrej kur dukem serioz e s’mund ta shpjegoj se nga vjen një gjendje e tillë. Kur më mundon diçka e mbetur nga një ngjarje e rëndomtë e s’më hapet goja. Ndjehem keq, torturohem, kur s’më pëlqen diskutimi i bashkëbiseduesit dhe nuk di ta shpjegojë përse. Më pëlqen kur flas gjatë e pandërprerë, por jo edhe kur jam bindës e sidomos kur përdor referenca. Çështja është vetëm të flasë. Kudo që ndodhem. Me këdo që jam. Për të gjitha temat e mundshme – dita a nuk dita për to.

Pse, a ka dikush që flet mirë e mençur, gjithmonë?

Nuk jam person i dhënë pas teknologjisë, por s’jam i gatshëm të hedh lehtë telefonin përkundër tingullit neveritës të alarmit dhe atij aspak miqësor të ziles kur dikush thërret. Ma bën jetën më të lehtë dhe i dashuroj sms’të se janë një mjet i ndërmjetëm mes letrës dhe telefonatës. Mirëpo seç e kam një nevojë për të pasur një përgatitje të gjatë për një telefonatë. Është e lodhshme. Po, do të doja të kisha mundësi që (dhe ky është larg të qenit kufizim material) të mund të thërrisja shpesh e për çdo imtësi shumë njerëz që i njoh. P.sh. tu tregoj si kaloi dita, një udhëtim, një punë etj., dhe të interesohem për ndodhitë në të cilat ata janë gjendur. Nuk e shoh të nevojshme t’i ndjej e t’i marrë përzemër të gjitha.

Pse, a ka dikush që nuk shtiret ose që krejt kohën mund të dëgjojë? 

E keni parë deri më tash dhe e them tekstualisht prapë se jam i rezervuar ndaj arsyes. Sidomos kur bëhet fjalë për timen. Por sa do të doja, sot, që mu asaj muskujt e fytyrës sime dhe ndoshta edhe duart t’i bindeshin krejt. Sa do të doja që ajo energji, qoftë pëlqyese a e thartë, të mos dilte e tij bindej rendit të po asaj “arsye”. Sa më e lehtë do të ishte bota.

Pse, a nuk jemi të gjithë, në njëfarë mënyre, artistë?

Po, dhe të qenit të këtillë është jashtë fuqisë dhe zgjedhjes sonë. Jemi tërë kohën në rol dhe shpesh i ngjajmë një ore të kurdisur që ecë rrugës së saj pa qenë e vetëdijshme për të por duke e kryer punën e vet.

Megjithatë, kur kthehem, mua më duket e mrekullueshme që është pikërisht kështu. 

Prandaj kur shkoj në teatër nuk shoh lojë artistësh, por thjesht studime antropologjike.