Arkiv - Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti

Rasti Pacolli, një mundësi shtesë për përplasjen Thaçi-Kurti

‘Drama’ me kthimin e kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli,  nga Zvicra në Kosovë ende nuk ka përfunduar. Në polemika rreth kësaj çështjeje janë përfshirë edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi si dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Dy krerët shtetërorë vazhdimisht kanë pasur mospajtime, e në situatën e pandemisë kanë praktikuar vetëm komunikimin me letra.

Mirëpo mbrëmë si Thaçi ashtu edhe Kurti kërkuan një ‘përballje’ me njëri-tjetrin. Thaçi tregoi se ku gjendej dhe e “ftoi” Kurtin t’i shkojë në shtëpi, ndërsa ky i fundit kërkoi përballje në debat televiziv.

Ky raport president-kryeministër gazetarit Enver Robelli i ngjan sikur një cirk, ndërsa për  ligjëruesin e politikës sociale, Artan Mustafa presidenti është politikani kryesor i bllokut të partive që rrëzuan Kurtin, ndërsa Kurti është rivali më i rëndësishëm i presidentit.

Të pajtuar për të mos u pajtuar

Një vizitë e ‘mistershme’ e presidenti të vendit Hashim Thaçi për në Shqipëri, ka sjellë dyshime tek ushtruesi i detyrës i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla se mos ndoshta presidenti e ka sjellë në Kosovë kryetarin e AKR-së.

Sveçla kërkoi nga presidenti të dijë se pse nuk i është përmbajtur protokollit shtetëror me rastin e vizitës në Shqipëri, ndërsa nga Pacolli ka kërkuar të tregojë lokacionin, sepse nëse shfaqet në territorin e Kosovës, ai edhe mund të arrestohet.

Pas kësaj deklarate, presidenti Thaçi në një paraqitje përmes telefonit në një nga televizionet vendore tha se është në shtëpi dhe se nëse Sveçla ia mësyn mos të shkojë vetë, “por le të vjen me Albin Kurtin”.

“Që prej çlirimit të Kosovës dhe deri dje kur kam dalë dhe hyrë në relacionit Kosovë-Shqipëri kam hyrë me procedurat e njëjta. Sa për interesimin e Sveçlës dhe shefit të tij, unë jam në shtëpi. Duhet të mendojnë që mos të krijojnë konfuzion, shpifje dhe mos të kërcënojnë as deputetë, e kësaj radhe z.Pacollin. Për ministrin dhe shefin e tij dhe gjithë ndërmarrjen e tyre kriminale. Nëse ia mësyn mos të vjen vetëm, le të vjen me Kurtin”, tha Thaçi.

Ndërsa për dyshimet për hyrjen e Pacollit me të nga Shqipëria, Thaçi ka thënë: “Kjo është një shpifje tjetër ordinere, kërcënim dhe shantazh në këtë kohë të njerëzve të çoroditur që i ngjan sistemeve moniste të viteve 70-ta”.

Ndërsa në reagimin e tij kryeministri Kurti tha se presidenti Thaçi ‘më fyen në studio televizive me zërin e tij porsi kalama’, duke kërkuar nga ai një debat televiziv.

I pyetur sot në një konferencë për media për arsyen e vizitës së tij në Shqipëri, presidenti u përgjigj shkurt ‘veç për qejf’.

“Ai është shembull i keq që qytetarët nuk bën ta ndjekin. Sa për sharjet e fyerjet që m’i bën, duke thirrur me zërin që i dridhet porsi kalama nëpër studiot televizive, e kam zgjidhjen: le ta organizojmë një debat televiziv ku dalim ne të dy, pra, unë Kryeministri në detyrë dhe ai Presidenti jashtë detyrës. Nëse don, le ta marrë me vete edhe Behgjet Pacollin. Në atë rast, po, edhe unë po e marr Xhelal Sveçlën e Rashit Qalajn”, ka shkruar mbrëmë Kurti në Facebook.

Ndërsa sot ish-kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli ka publikuar një fotografi nga Shqipëria duke drejtuar akuza ndaj kryeministri kosovar në detyrë, Albin Kurti e ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Për gazetarin Enver Robelli e gjitha kjo situatë është  një ‘cirk për t’i shastisur fëmijët dhe çmendur të rriturit’.

“Hajde se po të pres në shtëpi. Jo, hajde ti në studio. Merre filanin me vete. Ani, ama edhe ti merre atë filanin. Mos u bë kalama. Mos u bë qerrata. Jo, mos ik ti me “bisht nën shalë”. Merre një shall dhe një shpatë. Jo, merre ti një maskë. Të pres në oborr. Unë ty të pres pas lisit, nën hijen e pisit. Hajde ulu në gropë kush kujt i tutet). Ti je kriminel, jo ti je kriminel. Unë ty të godas me shtizë, unë ty ta kthej me shigjetë – si në mesjetë, kokë-qysqi e shpirtkazmë. Cirk për t’i shastisur fëmijët dhe çmendur të rriturit”, ka shkruar Robelli në Facebook.

Duke komentuar mospajtimet Thaçi-Kurti, Artan Mustafa, ligjërues i politikës sociale dhe sociologjisë politike ka thënë se presidenti Thaçi në kuptim të gamës së pushtetit dhe kohë gjatësisë së dominimit, është politikani më i suksesshëm në historinë e Kosovës.

Mustafa e krahason presidenti Thaçi me politikanin Fadil Hoxha, duke thënë se e përbashkëta e të dyve është krijimi i një  marrëdhënie delikate me Beogradin.

“Thaçi qëndron mbrapa vetëm Fadil Hoxhës. Mirëpo, Thaçi është qasur në pushtet dhe e ka mbajtur atë me shumë më pak dhunë  sesa Hoxha dhe arritjet e Kosovës gjatë dominimit të tij janë më të mira se të Kosovës nën Hoxhën”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Sipas tij presidenti është politikani kryesor i bllokut të partive që rrëzuan Qeverinë Kurti, ndërsa vet Kurti është rivali më i rëndësishëm i presidentit.

“Ky bllok përfaqëson elitën dhe shtresën shoqërore që është favorizuar nga pabarazia në socializëm dhe pabarazia e pasluftës. LVV,  PSD dhe Lëvizja e Bashkuar përfaqësojnë shtresa të shoqërisë që janë në antagoni me shtresën shoqërore që u përmend më sipër. Kurti është rivali më i rëndësishëm i Thaçit, mirëpo Qeveria e tij ka rënë për shkak se nuk ka qenë në koalicionin e duhur shoqëror. Gjithashtu, Qeveria ka rënë edhe për shkak se nuk ka marrë përgjegjësi në raport me dialogun dhe kërkesat përkatëse të Shtëpisë së Bardhë”, ka thënë tutje ai.

‘Frika’ e Isa Mustafës dhe ‘ironia’ e Shpend Ahmetit

Pas polemikës së presidentit me kryeministrin ka reaguar kryetari i LDK-së Isa Mustafa, i cili qasjen e Sveçlës e ka konsideruar keqpërdorim me pushtetin.

Duke kujtuar negociatat për arritjen e koalicionit me LVV-në Mustafa ka thënë se ka zgjedhur të parën Ministrinë e Punëve të Brendshme për shkak se është frikësuar se LVV-ja do ta keqpërdorë këtë ministri “për burgosje të kundërshtarëve, për sajime të dosjeve, për kërcënime, se do tu hakmerret policëve dhe eprorëve të tyre që i mbronin institucionet atëherë kur LVV ushtronte dhunë”.

“E përcolla, rastësisht, mbrëmë zëvendësministrin në detyrë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Në emër të kësaj ministrie, ai pa fije përgjegjësie ligjore dhe as turpi, kërcënonte me arrestim një deputet, kryetar të një partie parlamentare dhe biznesmen qe punëson dhe krijon të ardhura për mijëra familje kosovare”, ka shkruar Mustafa në facebook.

E me të gjithë këtë situatë ka ironizuar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti  përmes një video të publikuar në Facebook, ka bërë të ditur se gjendet në afërsi të objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, aty ku gjendet Presidenca, ka kërkuar ndihmë për të shpërndarë disa pako ushqimore.

“Gjendem saktësisht në mes të Qeverisë edhe Presidencës. Distanca e njëjtë. Veç dashta me ju thanë – qitu jom, tu ju prit jom. Merrni kon doni, qetu m’gjeni. Merrni ma shumë njerëz e hajdeni t’i shpërndajmë do ndihma, pako ushqimore për ata që kanë nevojë. Leni këto sene. Ma mirë me i ndihmu qytetarëve derisa t’kalon pandemia. Qetu m’kini”, ka thënë Ahmeti në këtë video-publikim.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka dalë në mbrojtje deputetit të Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacollit, pasi sipas tij trajtimi ndaj Pacollit ka qenë i padinjitetshëm.

“Gjithmonë kam qenë kundër trajtimit të padinjitetshëm të kujtdo qoftë, duke mos përjashtuar këtu edhe trajtimin, potencialisht të keq të aktivistëve të VV-së dikur. Pa ndryshu asnjë shkronjë, sot e kundërshtoj fuqishëm trajtimin e padinjitetshëm të një të zgjedhuri të popullit, siç është deputeti Behgjet Pacolli. Sipas Kushtetutës, mandati i deputetit është i pacenueshëm dhe i pandikueshëm nga agjendat politike”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social “Facebook”.

Ndërsa lideri opozitar Kadri Veseli ka thënë se presidentin Hashim Thaçi nuk ka mundur ta ndalë as Serbia e nuk mundet as ministri Sveçla.

“Presidenti është institucioni më i lartë në Kosovë dhe për aq sa institucionet e Republikës së Kosovës. Albin Kurti duhet me ndalë zemërgjerësinë ndaj Serbisë. Nuk e kemi ditë qe e ka shpirtin kaq të gjerë se gati na ka pas çmend me Serbinë, Demarkacionin, Zajednicën. Le ta ndal se Serbia nuk është dashnia jonë, më mirë u kanë me hap me Shqipërinë. Presidentin nuk ka mundur me ndalë as Serbia e le më Sveçla”, ka thënë Veseli gjatë një vizite në parkun e biznesit.